Vazhdojnë bisedimet për formimin e Qeverisë së Re të Malit të Zi

Lista shqiptare “Genci Nimanbegu – Nik Gjeloshaj” akoma nuk ka vendosur nëse do të hyjë në Qeverinë e re dhe as që është caktuar ndonjë takim i ri me mandatarin Zdravko Krivokapiq.

1517662
Vazhdojnë bisedimet për formimin e Qeverisë së Re të Malit të Zi
crna gora.jpg
Zdravko Krivokapiç.jpg
Karadağ_Lista Shqiptare_Arnavut koalisyonu.jpg
Karadağ_seçimleri kazanan muhalefet liderleri.jpg
Karadağ Meclis binası.jpg
Karadağ_harita_koronavirüs_yeni vakalar.jpg
Karadağ_koronavirüs_yeni vakalar.jpeg
Crna Gora5.jpg
Karadağ koronavirüs.jpg

Vazhdojnë bisedimet për formimin e Qeverisë së Re të Malit të Zi

Lista shqiptare “Genci Nimanbegu – Nik Gjeloshaj” akoma nuk ka vendosur nëse do të hyjë në Qeverinë e re dhe as që është caktuar ndonjë takim i ri me mandatarin Zdravko Krivokapiq. “Vendimi akoma nuk ekziston dhe nuk kemi caktuar akoma një takim të ri me mandatarin” kanë deklaruar nga ky koalicion shqiptar. Njëri nga liderët e koalicionit Nik Gjeloshaj, më parë ka kumtuar se Krivokapiq i ka aprovuar kërkesat e tyre dhe se partitë nacionale do të duhej të bashkëpunojnë me Qeverinë e re. “Aprovimi i propozimeve tona nuk do të thotë se do të marrim pjesë në Qeveri, por është detyrim i yni që të luftojmë për orientimet tona programore dhe ato të jenë të pranueshme nga shumica e re”, ka theksuar Gjeloshaj. Të rikujtojmë se më parë Gjeloshaj dhe Nimanbegu ia kanë dorëzuar mandatarit dokumentin, në të cilin i kanë prezantuar kërkesat e këtij koalicioni. Mandatari për formimin e Qeverisë së Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, e ka njoftuar Gjeloshajn, se kërkesat e Listës Shqiptare, janë të pranueshme të jenë pjesë e programit të Qeverisë së re të Malit të Zi, të modifikuara në përputhje me Kushtetutën e Malit të Zi dhe ligjeve relevante. “Pranimi i propozimeve tona nuk do të thotë që ne do të marrim pjesë në qeveri, por është detyrim yni të luftojmë që pikat e programit që ne përfaqësojmë të pranohen nga shumica e re dhe të mos veprojmë në mënyrë të papërgjegjshme dhe të lëmë në pritje kërkesat tona dhe njerëzit tanë të bllokuar. Gjëja më e rëndësishme për ne është që parimet e vendosura nga platforma jonë politike, të cilat ua paraqitëm votuesve, do të jenë pjesë e programit të qeverisë së re”, deklaroi, Gjeloshaj. Përndryshe, ftesën e mandatarit për pjesëmarrje në Qeverinë e ardhshme e kanë refuzuar të gjitha partitë tjera të popujve pakicë.

Krivokapiq ka kërkuar emrat e kandidatëve për ministra 

Mandatari për përbërjen e Qeverisë së re, Zdravko Krivokapiq i ka ftuar mbrëmë përfaqësuesit e shumicës aktuale duke kërkuar që ti dorëzohen emrat e kandidatëve për ministra për ato dikastere të cilat u takojnë. Siç theksohet, nëse partitë nuk e bëjnë këtë brenda disa ditëve të ardhshme, mandatari do të paraqes propozimet e veta për përbërjen e Qeverisë.  Mandatari Zdravko Krivokapic është duke bërë ç'është e mundur që formimi i Qeverisë së re të bëhet në gjysmën e parë të muajit nëntor. Jo zyrtarisht bëhet me dije se Krivokapiq deri në fund të kësaj jave, lidhur me këtë çështje do ti drejtohet opinionit publik.

Rakçeviq: Përkrahim vetëm Qeverinë e përbërë nga ekspertët

Kryetari i Këshillit politik të Lëvizjes qytetare URA, Zharko Rakçeviq ka vlerësuar se Qeveria e ekspertëve është zgjidhja më e mirë dhe se nuk do të ishte mirë që në të hyjnë të gjithë kryetarët e koalicioneve, të cilat përbëjnë shumicën e re në Parlamentin e Malit të Zi. Rakçeviq ka thënë se URA edhe në fushatën parazgjedhore ka insistuar në Qeverinë e ekspertëve e jo në një Qeveri partitokratike. Ai ka theksuar se Këshilli politik i URA-s insiston që Qeveria të jetë e përbërë nga ekspertët me mandat të përkufizuar e cila do të bënte çmontimin e sistemit, do të miratonte ligjet për prejardhjen e pasurisë dhe do të krijonte kushtet për zgjedhje të ndershme. Ai ka shtuar se URA u ka premtuar qytetarëve një Qeveri ekspertësh. “Nëse kjo do të jetë një Qeveri e përbërë nga politikanë dhe nëse dominojnë disa interesa të tjera e jo vullneti për çmontimin e sistemit, nëse fillohet me destabilizimin  e Malit të Zi, unë  do të votojë kundër”, ka theksuar Rakçeviq.

Ngritje-ulje e numrit të infektuarve me koronavirus në Mal të ZI

Laboratorët e Institutit për Shëndetin Publik deri mbrëmë në ora 17 kanë përfunduar analizën PCR të 756 mostrave në koronavirusin e ri, në mesin e të cilave edhe 182 persona kanë rezultuar pozitivë, është kumtuar nga ky institut. Deri mbrëmë në ora 17 këtij Instituti i janë konfirmua edhe 5 raste të vdekjes si pasojë e infektimit me koronavirus. Numri i përgjithshëm i të vdekurve si pasojë e infektimit me Covid-19 prej fillimit të muajit qershor është 266, kurse prej fillimit të vitit 275 persona. Gjatë 24 orëve të fundit është konfirmuar edhe shërimi i 241 pacientëve. Përndryshe, numri i përgjithshëm i rasteve të infektuara me Covid-19 në Mal të Zi aktualisht është 3.628 persona. Numri i përgjithshëm i të infektuarave me këtë sëmundje prej fillimit të vitit është 16 mijë e 914 individë. Të theksojmë se situata epidemiologjike në Mal të Zi është diçka më e mirë dhe të dhënat tregojnë se në 18 komuna numri i të infektuarave është në rënie, ka deklaruar drejtoi i Institutit për shëndetin publikë Boban Mugosha. Ai në konferencën për gazetarët po ashtu ka shtuar se vetëm brenda disa ditëve të ardhshme do të mund të flitet për një trend të rënies së numrit të infektuarave.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatitit, Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme