Takohen liderët e koalicionit, replikojnë Hoti e Haradinaj

Shuarja e Taskforcës për luftim të korrupsionit në kuadër të policisë së Kosovës ka shkaktuar replikë mes partnerëve qeverisës në Kosovë.

1516038
Takohen liderët e koalicionit, replikojnë Hoti e Haradinaj
Kosova_Fatmir Limaj_Isa Mustafa_Ramush Haradinaj.jpg
Ramush Haradinaj.jpg
Kosova Başbakanı_Avdullah Hoti_açıklama.jpg
Kosova_korona_genel.jpg
Kosova Meclis Başkanı_Vjosa Osmani.jpg

Takohen liderët e koalicionit, replikojnë Hoti e Haradinaj

Tre liderët e partive që janë në koalicion qeverisës, Isa Mustafa i LDK-së, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate, kanë zhvilluar një takim në Kuvendin e Kosovës. Pas këtij takimi, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se është diskutuar për tema të rëndësishme të Qeverisë për ditët në vazhdim, ku përfshihet Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe miratimi i buxhetit.

“Takimi ishte për agjendë të përbashkët për ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike dhe për buxhetin. Kemi pasur diskutime në vazhdimësi. Kësaj here ka të bëjë me nevojën që të mobizliohemi me seancë të jashtëzakonshme për kalimin e ligjit për Rimëkëmbje dhe Ligjin për Buxhetin” ka thënë Haradinaj.

*
Haradinaj e Hoti replikojnë për shuarjen e Taskforcës kundër Korrupsionit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vazhduar replikat me kryeministrin Avdullah Hoti lidhur me shuarjen e Taskforcës Antikorrupsion. I pari i AAK-së ia ka rikujtuar Hotit qëndrimin e Gjermanisë, që ka kritikuar shuarjen e Task Forces.

“Bashkpartiakët tuaj edhe mund t’ju tolerojnë, por, ky është qëndrimi i shtetit aleat që është vendimmarrës për liberalizim të vizave: “Fatkeqësisht vendimi i qeverisë së Kosovës për shuarjen e Taskforcës Anti-Korrupsion, ngrit shqetësime të mëdha për vullnetin politik për trajtimin efektiv të çështjeve korruptive”, thuhet në reagimin e Haradinajt.

Në reagimin paraprak, shefi i Qeverisë, Avdullah Hoti, i tha kryesuesit të partisë në koalicionin qeverisës se “shuarja e Taskforcës antikorrupsion nuk e zbehë luftën ndaj korrupsionit”.

“Puna e zyrtarëve që kanë qenë në kuadër të Taskforcës në Policinë e Kosovës vazhdon pa asnjë ndryshim në trajtimin e lëndëve të krimit dhe korrupsionit, sipas udhëzimeve të Prokurorisë Speciale. Të gjithë ata zyrtarë vazhdojnë të kryejnë obligimet e tyre ligjore sipas organizimit të brendshëm të Policisë së Kosovës pa asnjë ndërhyrje nga askush. Kushdo që ka dyshime për këtë, le të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të kërkuar mbikëqyrje dhe sqarime për punën e secilit”, u tha në reagimin e Hotit.

*

Dialogu s’ka alternativë, thotë qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës edhe më tutje vlerëson se dialogu mes Kosovës e Serbisë nuk ka alternativë. Këtë për “Kosovapress”, e ka thënë edhe zëvendëskryeministri i parë i qeverisë Hoti, Besnik Tahiri

“Dialogu për qeverinë e Kosovës nuk ka alternativë. Ne kemi ndërtuar parimet e sakta se si duhet të shkohet drejtë marrëveshjes finale me njohje reciproke. I kemi bërë këto qëndrime edhe me si qeveri, por edhe subjektet politike opozitare janë në një vijë. Nuk ka nëntema, ka vetëm një e ajo është marrëveshja finale dhe njohja reciproke”, thotë ai.

E deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi fillimisht kërkon zgjedhje të reja në vend, e pastaj rinisje të dialogut. E në një përgjigje për “KosovaPress” zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano e la të nënkuptueshme se dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë në nivelin e emisarit special, Miroslav Lajçak.

*

Hoti shkarkon dy anëtarë të Bordit të KEK-ut

Kryeministri Avdullah Hoti ka shkarkuar të shtunën dy anëtarë të Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës, KEK, të cilët vetë i kishte emëruar në gusht të këtij viti, kjo pasi të njëjtit kanë shpërfillur vendimin e Qeverisë për të mos marrë pjesë në seminare si pasojë e situatës pandemike. Bëhet fjalë për Egzon Berishën dhe Hysen Fazliun që kishin shkuar në Durrës. Të dy këta janë zëvendësuar me dy emra të rinj me një vendim të cilin Hoti e ka marrë të njëjtën ditë.

*
Thaci thotë se është koha që Kosova të jetë anëtare e OKB-së

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se është koha që Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, OKB. Me rastin e 75-vjetorit të themelimit të kësaj organizate, Thaçi përmes një postimi në Facebook ka thënë se në kohën kur njerëzimi po ballafaqohet me sfida të reja, është momenti që tani Kosova të bëhet pjesë e OKB. Thaçi ka theksuar se roli i OKB-së në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në botë mbetet i rëndësishëm.
*

Formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është një detyrim dhe një çështje komplekse

Raportuesi i Bashkimit Europian për Serbinë në Parlamentin Evropian, sllovaku Vladimir Bilqik, thotë se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është një detyrim dhe një çështje komplekse, e cila kërkon më shumë kohë. Ai ka mirëpritur angazhimin e SHBA-së në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe theksoi se BE ka një rol udhëheqës në atë proces. Bilqik, ka deklaruar për portalin “KosovoOnline”, se të gjitha zotimet e marra duhet të respektohen dhe zbatohen, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Prishtina duhet të respektojë angazhimet e marra në Bruksel në vitin 2013, veçanërisht kur bëhet fjalë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

*

Kryeparlamentarja Osmani kërkon mbështetje për viktimat seksuale

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë janë viktima të dyfishta, dhe se institucionet e shoqëria duhet të qëndrojnë afër grave, të cilat ishin viktimë e dhunës seksuale në luftë. Më tej ajo shton se si pasojë e kësaj, një pjesë e madhe zgjedhin t’i vuajnë pasojat emocionale e traumatike në heshtje e izolim të plotë.

“Këto gra nuk janë vetëm! Por ne mbështetësit e tyre jemi ende të paktë në numër. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbështetje, por ka të bëjë me kuptimin e vërtetë të vuajtjes e pasojave shkatërruese shumëdimensionale të luftërave”, ka shkruar Osmani në rrjetin social.

*

Rritet numri i rasteve me Covid-19 në Kosovë

Në Kosovë po vazhdon të rritet numri i të infektuarve me Covid-19. Të dielën, në orarin e zakonshëm rreth orës 15.00, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se janë shënuar edhe dy viktima si dhe 186  raste të reja me koronavirus në Kosovë, në 24 orët e fundit. Instituti ka njoftuar poashtu se janë shëruar 54 persona të prekur me këtë virus. Në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institut dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar 1.049 mostra, prej të cilëve kanë rezultuar 186 raste pozitive. Më së shumti raste të reja si zakonisht janë shënuar në Prishtinë 72 raste, Gjilan 20, Fushë Kosovë 17  etj.

*

Punonjësit shëndetësor, teknik e vozitës fillojnë grevën

Për mosdhënien e pagave shtesë nga 300 euro për punonjësit shëndetësor, teknik dhe vozitës, nga kjo javë nisin grevat për bojkotimin e punës. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë për KosovaPress, se punëtorët teknik, vozitësit, si dhe sigurimi nëpër spitalet e Kosovës po ballafaqohen direkt me pacientët që janë potencialisht të prekur me Covid-19, andaj siç thekson ai, ata duhet trajtuar njëjtë me mjekët dhe infermierët kur bëhet fjalë për pagesën shtesë prej 300 eurove. Azemi thotë se vetëm rastet emergjente do të trajtohen gjatë grevës, ndërsa të gjithë shërbimet tjera do të ndërpriten.

“Definitivisht mendoj që  java do të fillojë me një grevë pothuajse tërëditor. Ka pasur afat të mjaftueshëm qeveria e Kosovës, ministria e Shëndetësisë, dhe të gjitha organet relevante dhe ne kemi bërë të ditur se do ti ndalim shërbimet tona dhe këto shërbime sigurisht do të ndërpriten”, ka thënë Azemi.

*

Vashat e Kosovës dhe Turqisë barazojnë në ndeshjen kualifikuese

Kombëtarja e Kosovës në futboll (femrat) ka barazuar me Kombëtaren e Turqisë 0:0 në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Europian që organizohet vitin e ardhshëm. Ndeshja e zhvilluar në Manavgat, në përgjithësi ishte e hapur, ku të dyja ekipet shfaqën dëshirë për fitore.  Pjesa  e ndeshjes ishte i baraspeshuar sa i përket cilësisë por jo edhe forcave në fushë, ngase prej minutës së 35-të Kosova luajti me 10 futbolliste, meqë pas 2 kartonëve të verdhë u përjashtua shtylla e mbrojtjes Lidridonë Syla. Megjithëkëtë, Dardanet ishin të barabarta dhe e ruajtën portën e vet deri në fund të ndeshjes. Pas këtij barazimi Kosova arrin kuotën  e 10 pikëve dhe renditet në pozitën e katërt, derisa Turqia mbetet në pozitën e pestë me dy pikë më pak.

*

Medalje për Kosovën në Grand Slamin e xhudos në Budapest

Kosova e ka fituar edhe një medalje në Grand Slamin e xhudos në Budapest të Hungarisë. Të dielën, Loriana Kuka ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri 78 kilogramë. Në luftë për vend të tretë, Loriana e mposhti rusen Antonina Shmeleva. Grand Slami i Budapestit shënon rikthimin e garave të mëdha të xhudos pas pushimit të gjatë. Kosova është dëshmuar si fuqi e xhudos. Të premten medalje të artë fitoi Distria Krasniqi. Kosova është renditur e pesta sa i përket medaljeve të fituara, në mesin e 61 shteteve pjesëmarrëse.



Lajme të ngjashme