Kryeministri Hoti paralajmëron masa të reja pas shtimit të numrit të rasteve me Covid-19

Ditëve të fundit në Kosovë janë shtuar restet e reja të të sëmurëve me Covid-19 dhe kjo ka bërë që kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti të paralajmërojë masa të reja për të përballuar hovin e ditëve të fundit.

1513199
Kryeministri Hoti paralajmëron masa të reja pas shtimit të numrit të rasteve me Covid-19

Kryeministri Hoti paralajmëron masa të reja pas shtimit të numrit të rasteve me Covid-19

Edhe një pacient tjetër i infektuar me koronavirus ka vdekur të dielën si dhe janë regjistruar edhe 137 raste të reja me këtë virus. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në raportin e rregullt të pasdites, ka njoftuar se shifrat e reja të të infektuarve, kanë dalur pas testimit të 869 mostrave. Janë shëruar poashtu edhe 49 pacientë. Më së shumti raste poztive përsëri janë shënuar në komunën e Prishtinës 54, në Gjilan 20 raste, Podujevë 17, Gjakovë 8 raste etj.

*

Kryeministri Hoti paralajmëron masa të reja kundër Covid-19

Pas shtimit të numrit të rasteve të reja me Covid-19, Kryeministri Avdullah Hoti thotë se institucionet po përgatiten që t’i përgjigjen kësaj. Ai ka kërkuar kujdes maksimal në punë, në shkollë, në biznes, në rrugë dhe në çdo aktivitet ku ka grumbullim të njerëzve. Hoti ka njoftuar se po rishikohen lista e vendeve me rrezik për të ndaluar udhëtimin nga ato vende, gjithmonë duke u bazuar në protokollet përkatëse. Kryeministri ka njoftuar se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka planin në aktivizim të shtretërve shtesë në Prishtinë dhe në spitale rajonale, si dhe është bërë plani për ri-shpërndarjen e stafit mjekësor sipas nevojës.  Hoti poashtu ka potencuar se janë rritur kapacitetet testuese, duke mundësuar që pothuajse të gjithë ata që kanë nevojë për testim të testohen brenda ditës, dhe testimi së shpejti do të decentralizohet në rajone.

*

Lajcak thotë se për Asociacionin duhet të ndryshojë Kushtetuta e Kosovës

I dërguar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajcak, pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq ka thënë në Beograd se Kosova duhet të ndryshojë Kushtetutën për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ai tha se para se të shkonte në Prishtinë, kishte deklarata të ndryshme, por që, në 25 takime, aq sa kishte, askush nuk tha që ai nuk do të përmbushë detyrimet e tij. Kur bëhet fjalë për Kushtetutën, ai thotë se pozicioni i BE është të negociojë procese kaq serioze sa është logjike që Kushtetuta do të duhet të ndryshohet. “Dhe askush nuk tha që ishte e pamundur, kushtetuta nuk është Bibla. Nëse biem dakord për çështje serioze, atëherë sigurisht që duhet të pasqyrohet në kushtetutë,” tha ai.

*

Reagon kryeparlamentarja Vjosa Osmani

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani deklaroi se i ka theksuar të dërguarit të BE-së se duhet të respektohet Kushtetuta e Kosovës në formimin e asociacionit.

“Nuk ka shumicë as për ndryshim të kushtetutës prandaj unë nuk e di se çfarë realiteti paralel tenton të prezantojë z. Lajcak, sepse realiteti i vërtetë është krejt i kundërt me atë në Serbi, dhe besoj, që kështu nuk është rruga përpara për të arritur konsensus për çfarëdo çështje”,  theksoi Vjosa Osmani.

Me deklaratat e Lajcak nuk pajtohet as nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, e partisë opozitare Vetëvendosje. Madje ajo thotë që tema e Asociacionit nuk është hapur fare në takimin e Lajcak me Albin Kurtin.

“Deklaratat e tilla janë shqetësuese. E vërteta është që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese tema e Asociacionit duhet të jetë çështje e mbyllur dhe në fakt është çështje e mbyllur për të gjithë. Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, ndryshimet kushtetuese do të duhej t’i bënte Republika e Serbisë me largim të Kosovës nga Kushtetuta e saj”, theksoi ajo.

Sa i përket kësaj teme nuk ka ende asnjë reagim nga Qeveria e Kosovës.

*

Jashari kundër ndryshimit të Kushtetutës për Asociacionin

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim nuk duhet dhe nuk mund të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës, në emër të arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. “Ajo që duhet të ndryshojë kushtetutën është Serbia, e cila përveç kësaj duhet dhënë përgjegjësi për të pagjeturit, viktimat e luftës, gjenocidin mbi popullatën e pafajshme dhe dëmet materiale të shkaktuara në luftën e fundit në Kosovë”, ka thënë ai. Jashari poashtu ka shtuar se Kushtetuta e shtetit tonë duhet të ndryshohet vetëm për të hequr votimin e dyfishtë të pakicës serbe, siç e quan ai derivat të pakos të Ahtisarit dhe i cili sipas tij pengon të ardhmen dhe zhvillimin e shtetit.

*

Surroi thotë se Kosova ka pranuar vetë ta ndryshojë kornizën juridike për Asociacionin

Shkrimtari dhe publicisti, Veton Surroi ka reaguar ndaj deklaratave të Emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke kërkuar që të mos fajësohet ai për deklaratat e ndërrimit të Kushtetutës, pasi sipas Surroit Lajçak po konstaton gjendjen faktike të trashëguar nga marrëveshjet e nënshkruara mes kryeministrave të Kosovës dhe kryeministrit e presidentit të Serbisë në Bruksel. Përmes një postimi në Facebook, Surroi ka thënë se “Gjendja mund dhe duhet të tejkalohet, por kërkon maturi, diplomaci dhe unitet”.

“Formulimin se do ndryshuar Kushtetuta nuk e ka bërë Lajçaku. E kanë bërë nënshkruesi i Marrëveshjes së vitit 2013 dhe Kuvendi i Kosovës, me dy të tretat e votave të veta. Ky është tashmë problem evident (dhe i radhës) për Kosovën , dhe nuk zgjidhet duke hedhur dru mbi Lajçakun apo ndërmjetësit e mëhershëm. Nuk zgjidhet as duke hedhur dru mbi njëri tjetrin në Kosovë”, shkruan Surroi.

*

Hoti shkarkon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka liruar të premten nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajn. Ky vendim është bërë i ditur përmes një komunikate për media të lëshuar nga kryeministria. Qalaj ishte emëruar në këtë pozitë më 28 gusht të vitit 2018 nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj. ”Në përputhje me Ligjin për Policinë, Kryeministri Hoti ka emëruar z. Samedin Mehmetin, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”, është thënë po ashtu në njoftim.

*

Hoti shkarkon krerët e Doganave dhe ATK-së

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka liruar të premten nga detyra ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës të Kosovës, Ibrahim Xhakan si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezajn.

“Në përputhje me ligjet përkatëse në fuqi, Kryeministri Hoti ka emëruar zt. Bajram Rexha, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës të Kosovës, dhe zt. Ekrem Hysenaj ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës së Kosovës”, është thënë në një komunikatë për media të kryeministrisë.

*

Murtezaj akuzon Hotin për përfshirje në rrjet kriminal të fheshjes së tatimeve

Kryeministri i Kosovës po akuzohet për përfshirje në një rrjet kriminal të fshehjes së tatimeve me ndihmën e zyrtarëve të ATK-së, shlyerjes së borxheve, favorizim të bizneseve e nepotizëm në institucione të ndryshme. Me të gjitha këto ish-drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj i cili u shkarkua të premten nga Avdullah Hoti, theksoi se janë duke u marrë organet e drejtësisë. Megjithatë, ai  shpreh dyshimin se të njëjtat po kanë ndikim nga politika. Shkarkimi i tij tha se ka ardhur pasi që ishte “pengesë” për kryeministrin, por që shton se do të ndjek rrugët ligjore. Ai potencoi se miliona euro në ATK janë vjetërsuar, si rezultat i mosveprimit të zyrtarëve të këtij institucioni, dhe që kanë pasur mbështetjen e politikës.

*

Abrashi prezanton projektet e rëndësishme

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka prezantuar punën e 100 ditëve të ministrisë që drejton. Si një nga arritjet më të mëdha, Abrashi e cilësoi kthimin e Kosovës në vëmendjen e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian. Në këtë pikë, listoi projektet të cilat janë prezantuar në SHBA.

Në këtë mes, veçoi autostradën Besi – Merdare, që pritet të kap shifrën prej 250 milionë euro; linjat hekurudhore nga Fushë-Kosova në Merdare dhe atë deri tek porti i Adriatikut, për të cilat duhet të kryhet fizibiliteti; stacionin multi modal në Prishtinë i cili do të shërbejë port i mallrave dhe udhëtarëve e projekti i zhvillimit të Brezovicës. Më tutje, Abrashi ka përmendur edhe prioritetin tjetër qeverisës rreth zhvillimit të aviacionit civil në Republikën e Kosovës duke dhënë edhe lajmin për uljen e taksave në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe interesimin e kompanive të rëndësishme botërore për të zgjeruar operimin në Kosovë.

*

Z-Mobile i jep gjashtë muaj afat afat Telekomit

Gjashtë muaj ka afat Telekomi i Kosovës që ta paguajë borxhin prej afër 23 milionë eurosh që ka ndaj Z-Mobile, përndryshe do të bllokohen xhirollogaritë e Telekomit. Kështu ka thënë kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, i cili ka njoftuar për një takim të mbajtur mes Ministrisë së Ekonomisë, Telekomit dhe Z-Mobile. Edhe pse s’ka qenë i pranishëm, Balaj thotë se Qeveria dhe Telekomi kanë ofruar 250 mijë euro në muaj për marrëveshje, por kjo nuk është pranuar nga Z-Mobile.

*

Memorandum Mirëkuptimi mes Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren dhe Yenilikci Admiral Dernegi

Me rastin e përfundimit të konferencës ndërkombëtare “Konferenca Euroaziatike mbi gjuhën dhe Shkencat Shoqërore”, e mbajtur nga 16-18 tetor 2020, në Antalja të Turqisë, u bë nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes përfaqësuesit të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren – Prof.ass.dr Armend Podvorica Prorektor për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë  dhe përfaqësuesit të Yenilikci Admiral Dernegi – Prof. Dr. Hasan Karacan. Memorandumi parasheh bashkëpunimin në aplikimin e risive në aktivitetet e shoqërisë, bashkëpunimin në pjesëmarrjen e realizimit të projekteve të karakterit vendor dhe ndërkombëtar dhe në mbështetjen e aplikimit të metodave dhe teknikave bashkëkohore në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Gjithashtu ky Memorandum parasheh mundësinë e ndihmesës së studentëve në realizimin e projekteve hulumtuese për programet Master dhe të Doktoratës. Konferenca ndërkombëtare e mbajtur në Antalja, është mbështetur me disa punime shkencore nga stafi i rregullt i  Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren. 



Lajme të ngjashme