Koalicioni Shqiptar dhe Partia Boshnjake refuzojnë pjesëmarrjen në qeverinë e re të Malit të Zi

Koalicioni Shqiptar “Bashkë nji za” nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re, sepse, siç thanë ata, nuk mund të jenë pjesë e Qeverisë në të cilën dominojnë partitë dhe politikat që nuk e duan barazinë e shqiptarëve në Mal të Zi.

1513161
Koalicioni Shqiptar dhe Partia Boshnjake refuzojnë pjesëmarrjen në qeverinë e re të Malit të Zi

Koalicioni Shqiptar dhe Partia boshnjake refuzojnë pjesëmarrjen në qeverinë e re të Malit të Zi

Koalicioni Shqiptar “Bashkë nji za” nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re, sepse, siç thanë ata, nuk mund të jenë pjesë e Qeverisë në të cilën dominojnë partitë dhe politikat që nuk e duan barazinë e shqiptarëve në Mal të Zi dhe me të cilat dallojnë në mënyrë programore dhe strategjike. Në përgjigjen e Koalicionit Shqiptar (PD-UDSH-LDnëMZ) drejtuar mandatarit Zdravko Krivokapic, thuhet se partitë që do të dominojnë në qeverinë e re, nuk votuan që Tuzi të bëhet Komunë, as për Ligjin mbi Përdorimin e Simboleve Kombëtare. “Ato subjekte shtetin e Kosovës e quajnë shtet të rremë, e shpesh edhe shtet terrorist, dhe ata Malin e Zi nuk e duan një shtet qytetar, por një Mal të Zi Serbo(madh),” thuhej në përgjigje. Liderët e këtyre partive, siç thanë ata, në fillim të shekullit 21, “ëndërrojnë të marrin Shkodrën, Dubrovnikun, Pejën dhe Prizrenin dhe flasin për gërmimin e armëve”. “Ata e konsiderojnë anëtarësimin në NATO një gabim strategjik, ashtu si dhe pavarësinë e Malit të Zi”, thuhet në mes tjerash në përgjigjen e Koalicionit Shqiptar. Në anën tjetër, Partia boshnjake pati filluar bisedimet me mandatarin Krivokapiq në një takim para disa ditësh, por dje Këshilli Qendror i Partisë Boshnjake vendosi që ata mos të jenë pjesë e qeverisë së re. Ndërkaq Lista Shqiptare (Forca-ASH-LDSH-Unioni për Tuz) është i vetmi subjekt i cili është në bisedime me mandatarin dhe përfaqësuesin e tre koalicioneve fituese të zgjedhjeve, Zdravko Krivokapic. Nga ky koalicion para disa ditëve kanë deklaruar se ata mund të jenë pjesë e qeverisë së re, nëse do të pranohen kërkesat e tyre.

Në Mal të Zi – rreth 5 mijë raste aktive me koronavirus   

Mali i Zi renditet i pari në Evropë për nga numri i rasteve që nga fillimi i pandemisë Covid-19 në 100 mijë banorë. Sipas të dhënave të publikuara me 16 tetor, Mali i Zi ka një normë prej 2.385,15 rastesh të regjistruara të koronavirusit të ri për 100.000 banorë, ndjekur nga Armenia dhe Spanja. Epidemiologët thonë se Mali i Zi bëri më keq se vendet e tjera dhe se nuk kishte ndonjë justifikim të madh për këtë. “Duke pasur parasysh shkallën e organizimit shoqëror, cilësinë e shërbimit mjekësor dhe strukturën e personelit, nuk ka justifikim për një numër kaq të madh të njerëzve të infektuar. Në Malin e Zi, gjatë valës së parë të koronavirusit, e cila u shoqërua nga masa të rrepta të Trupës Kombëtare të Koordinimit për Sëmundjet Infektive (NCD), u regjistruan 324 raste të Covid-19. Gjatë valës së dytë, e cila filloi nga qershori, ndodhi që më shumë njerëz të infektuar të regjistroheshin në një ditë sesa gjatë gjithë valës së parë, e cila zgjati për rreth dy muaj e gjysmë. Megjithëse nuk u shpall gjendje e jashtëzakonshme, një numër masash kufizuese ishin në fuqi në prill dhe maj. Për shembull, është e ndaluar për më shumë se një person të qëndrojnë në një vend publik, “ora e ndalimit” ditët e javës filloi në 7 pasdite, dhe në fundjavë nga ora 1 e pasdites dhe 11 paradite deri në 5 të ditës tjetër, restorantet nuk po funksiononin, parqet dhe plazhet ishin bllokuar, vizitat në familje të tjera ishin të ndaluara, transporti ndërkombëtar, ndërqytetës dhe qytetar, jo më shumë se dy persona mund të ishin në makina. Mali i Zi ishte destinacioni pa korona virus për 42 ditë të plota dhe virusi u ri-regjistrua në mes të qershorit. Pas zgjedhjeve parlamentare, të mbajtura më 30 gusht, numri i njerëzve të infektuar u rrit në mënyrë drastike, për shkak të tubimeve masive të mbështetësve të opozitës dhe qeverisë së mëparshme. Situata epidemiologjike është përkeqësuar në dy javët e kaluara në Budva, Kolashin, Ulqin, Cetinë dhe Zhabjak, kështu që në këto komuna, objektet hoteliere dhe shkollat u mbyllën nga dita e hënë e këto masa do të jenë në fuqi gjatë dy javëve të ardhshme.

Edhe 7 të vdekur dhe 145 të infektuar

Në Mal të Zi gjatë 24 orëve të fundit, deri dje në ora 17, nga pasojat e korona virusit kanë vdekur 7 persona dhe janë konfirmuar 145 raste të reja të infektimit, është kumtuar nga Instituti për shëndetin publik i Malit të Zi. Theksohet se laboratorët e këtij instituti deri dje në ora 17 kanë përfunduar analizën e 561 mostrave në korona virusin e ri si dhe në laboratorët tjera në shtet të cilat bëjnë diagnostifikimin PCR, gjithsej janë regjistruar 145 raste të reja të prekura me këtë virus. Theksohet po ashtu se nga fillimi i muajit qershor 234 persona kanë vdekur si pasojë e infektimit me korona virus kurse prej fillimit të vitit, 243. Gjatë 24 orëve të fundit është konfirmuar edhe shërimi i 294 pacientëve. Numri i përgjithshëm i rasteve aktuale aktive me Covid 19, në Mal të Zi, është 4 mijë e 234 persona.

Shteti do të subvencionojë pagat me 60 milion euro

Shteti i Malit të Zi me më shumë se 60 milionë euro do të subvencionojë pagat në sektorin privat, prej të cilave deri tani janë paguar 51 milionë, kanë kumtuar nga Ministria e Ekonomisë. Ndihmën për zbutjen e pasojave ekonomike që ka shkaktuar koronavirusi prej muajit maj deri në muajin shtator të këtij viti, e kanë shfrytëzuar mbi 15 mijë subjekteve afariste të cilëve u janë paguar 51 milion euro. Qeveria në javën e kaluar, me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, ka vendosur që edhe gjatë 2 muajve të ardhshëm të përkrahë programin e subvencionimit të pagave. Theksohet se rreth 73 mijë të punësuar në njëfarë mënyre kanë qenë shfrytëzues të përkrahjes nga Qeveria për një ose më tepër muaj.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi, përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme