Biseda Rama-Merkel: Plani i madh i investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor

Kryeministri Edi Rama bisedoi të martën me Kancelaren gjermane Angela Merkel mbi Planin e Madh të Investimeve të Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor dhe nxitjen e mëtejshme drejt Shengenit Rajonal.

1509563
Biseda Rama-Merkel: Plani i madh i investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor
Joint-Force Command Norfolk_4.jpg
Arnavutluk_Yunus Emre_Türkçe_seçmeli ders_1.jpg
Arnavutluk_Yunus Emre_Türkçe_seçmeli ders_2.jpg
İşkodra_Lule Bore_Kardelen Müzik Festivali_4.jpg
TAP Doğalgaz projesi_harita.png
İşkodra_Lule Bore_Kardelen Müzik Festivali_5.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (42/2020)

-Biseda Rama-Merkel: Plani i madh i investimeve të BE për Ballkanin Perëndimor

Kryeministri Edi Rama bisedoi të martën me Kancelaren gjermane Angela Merkel mbi Planin e Madh të Investimeve të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe nxitjen e mëtejshme drejt Shengenit Rajonal.

Gjithashtu në bisedën që zgjati rreth 60 minuta mes Ramës dhe Merkelit u fol mbi progresin e Shqipërisë pas vendimit për çeljen e negociatave dhe përpjekjet në vijim drejt Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE.

“Me Kancelaren Merkel, biseduam pak më parë për rreth 60 minuta mbi Planin e Madh të Investimeve të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe nxitjen e mëtejshme drejt Shengenit Rajonal; progresin e Shqipërisë pas vendimit për çeljen e negociatave dhe përpjekjet në vijim drejt Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE, si edhe kryesimin e suksesshëm të OSBE nga Shqipëria dhe sfidat deri në përmbylljen e mandatit tonë në dhjetor”, u shpreh Kryeministri Rama pas bisedës.

Edhe njëherë si gjithnjë, kënaqësi e veçantë biseda me kancelaren gjermane, një mike e shkëlqyer që e njeh, e kupton dhe e ndjek rajonin tonë e Shqipërinë gjithashtu, me detaje e vëmendje krejt të posaçme! Faleminderit Angela”, theksoi kryeministri Rama.

Këshilli Evropian ka vendosur në mars 2020, të hyjë në bisedimet zyrtare të pranimit me Shqipërinë. Gjatë bashkëbisedimit, u theksua se reformat e rëndësishme, të cilat do të përcaktojnë shpejtësinë e bisedimeve, prekin para së gjithash drejtësinë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

***

-Shqipëria, ndër shtetet themeluese të strukturës më të re të aleancës së NATO-s 

Në Komandën Supreme të Aleancës, ACO SHAPE Mons, Belgjikë, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Krijimit të Komandës së re të NATO, Joint-Force Command Norfolk, ku morën pjesë komandanti Suprem i Aleancës në Evropë (SACEUR), gjeneral Tod D. Wolters (US AIRFORCE), shefi i Shtabit të ACO Admiral Joachim RÜHLE (DEU Army) dhe përfaqësuesit ushtarakë kombëtarë të shteteve pjesëmarrëse në këtë komandë, në SHAPE.

Për palën shqiptare në emër të Ministrisë së Mbrojtjes marrëveshja u nënshkrua nga përfaqësuesi Ushtarak Kombëtar në SHAPE, ACO kolonel Petrit Çuni.

Në fjalën e rastit komandanti i JFCNF duke falënderuar SACEUR, gjeneral Tod D. Wolters dhe përfaqësuesit ushtarakë kombëtarë, në mes të tjerave u shpreh:

“...Roli i Shqipërisë në këtë komandë është domethënës duke kontribuar me dy oficerë në shtabin e kësaj komandë, krah për krah aleatëve tanë; SHBA, Gjermani, Turqi, Mbretërisë së Bashkuar, Itali, Kanada, Francë, Danimarkë, Greqi, Norvegji, Spanjë, Poloni, Islandë, Rumani dhe Bullgari.Nënshkrimi i këtij Memorandumi Mirëkuptimi shënon suksesin e përpjekjeve të mëdha të ndërmarrë nga NATO dhe vendet anëtare të saj për të riorganizuar Aleancën në mënyrë që të ruajmë paqen dhe prosperitetin e vendeve dhe popujve tanë...”.

Në përfundim duke vlerësuar rëndësinë që ka krijimi i kësaj komande, komandanti i JFCNF e mbylli fjalimin duke cituar fjalimin e ish-presidentit të SHBA Harry Truman, gjatë nënshkrimit të Traktatit të Uashingtonit, Traktati i Atlantikut të Veriut: "Për të krijuar një mburojë kundër agresionit dhe frikës nga agresioni, një mbrojtje, e cila do të na lejojë të vazhdojmë biznesin real të qeverisë dhe shoqërisë, biznes i arritjes së plotë i një jetë më të lumtur për të gjithë qytetarët tanë".

Ndërsa, Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka ka deklaruar se Forcat e Armatosura shqiptare do të kontribuojnë me 2 oficerë në Komandën e Forcës së Bashkuar.

“Shqipëria është krenare që është ndër shtetet themeluese të strukturës më të re të NATO-s, Joint-Force Command në Norfolk të SHBA-ve”, tha Xhaçka.

Po ashtu, ministrja Xhaçka shtoi se: “Forcat e Armatosura shqiptare do të kontribuojnë me 2 oficerë në Komandën e Forcës së Bashkuar, që ka për qëllim mbrojtjen e linjave të komunikimit strategjik të Atlantikut të Veriut dhe parandalimin nga çdo sulm i mundshëm, nëpërmjet angazhimit të Flotës së 2-të të Marinës amerikane”.

***

-Gazsjellësi TAP/ Shtrirja e rrjetit të shpërndarjes së gazit mundësi degëzimi në rajon

36 të rinj e të reja janë përzgjedhur të jenë pjesë e ndërmarrjes së re të mirëmbajtjes së rrjetit të gazit, ndërtuar sipas modeleve industriale të kompanisë italiane SNAM dhe me të gjitha standardet ndërkombëtare të funksionimit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vizitoi para pak ditëve, një qendër në Fier, ku zhvilloi një takim me këta të rinj të përzgjedhur përmes një procesi transparent dhe të trajnuar në Shqipëri e në Itali e që do të jenë pjesë e kësaj qendre që do të pasohet nga një e dytë edhe në Korçë.

“Jemi në një fazë shumë interesante dhe shumë frymëzuese të zhvillimit në sektorin e energjisë, në të gjitha drejtimet edhe falë një risie që lidhet me mbështetje masive të Bashkimit Evropian, ku një nga tre shtyllat e planit është zhvillimi i sektorit të energjisë me prioritet investimet, ndër të cilat edhe investimi në fushën e gazit. Ky investim në fushën e gazit, lidhet me rolin e Shqipërisë në rajonin tonë, se Shqipëria ka tanimë në dispozicion një aset të vyer, që është Gazsjellësi Trans Adriatik, prej të cilit ne synojmë, dhe tani synimi merr një formë më konkrete, të shtrijmë rrjetin e shpërndarjes së gazit, jo vetëm në territorin tonë, por edhe në rajon”, tha Rama.

Objektivi ynë, vuri në dukje Rama, është që së bashku me disa vende të tjera të rajonit, të ndërtojë Gazsjellësin Adriatiko-Jonian.

“Është një ndryshim i madh në hapësirën ku ne jetojmë dhe sot me planin e madh të Bashkimit Evropian është një mundësi reale, siç është shtrirja e rrjetit të furnizimit me gaz në territor për familjet e bizneset, që do të ulë në mënyrë të ndjeshme koston e energjisë elektrike dhe nga ana tjetër siç është mundësia e degëzimeve në Kosovë dhe më tej”.

***

-"Turqishtja, zgjedhja ime"

Në Shqipëri po rritet dita ditës interesi për turqishten. Nga viti shkollor 2018-2019 vazhdojnë mësimet e turqishtes si lëndë me zgjedhje në shkollën jopublike "Hafiz Ibrahim Dalliu" në Tiranë, në kuadër të projektit "Turqishtja, zgjedhja ime".

Me qëllim për të mbështetur mësimet e turqishtes në shkollë, këto ditë u firmos protokolli i bashkëpunimet ndërmjet Ömer Osman Demirbaş, drejtor i institutit turk “Yunus Emre, Tiranë dhe drejtorit të shkollës jopublike "Hafiz Ibrahim Dalliu" Klodian Zaimi.

Në kuadër të projektit "Turqishtja Zgjedhja ime" turqishtja është bërë pjesë e programit mësimor në një shkollë tjetër. Mësimet e turqishtes filluan në katër klasa të arsimit të mesëm të lartë në shkollën jopublike "Hafiz Ali Podgorica", në qytetin bregdetar të Durrësit në Shqipëri.

Nga ana tjetër, kryetari i Forumit Rinor të Bashkëpunimit Islamik (ICYF) Taha Ayhan bëri një vizitë kortezie në institutin “Yunus Emre”, në Tiranë, ku u prit nga drejtori Ömer Osman Demirbaş, i cili dhe i bëri një dhuratë simbolike.

***

-Festivali “Luleborë”, solli tingujt e 22 këngëve qytetare shkodrane për publikun 

Festivali i këngës qytetare “Luleborë” i organizuar nga bashkia e Shkodrës për të pestin vit radhazi solli një gërshetim brezash krijuesish e interpretuesish, të cilët sollën vlera të padiskutueshme të këngës shkodrane. Në këtë eveniment kulturor mori pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi e të tjerë.

Edhe pse një situatë e pazakontë për shkak të COVID-19 artistë, kompozitorë, poetë këngëtarë u bënë pjesëmarrës, duke i dhuruar spektatorit shkodran 22 këngë të reja qytetare shkodrane.

Vazhdimi i traditës së krijuar këto pesë vite, u bë i mundur në bashkëpunim me artistët e krijuesit, Teatrin “Migjeni” dhe të gjitha institucionet kulturore të bashkisë së Shkodrës.

Artistët e mrekullueshëm shkodranë përmes tingujve të mrekullueshëm të këngës qytetare sollën këngët më të bukura për publikun.

Këngëtarja Saviana Vjerdha fitoi festivalin "Luleborë", e cila më pas para mediave së bashku me drejtoren e teatrit, Rita Gjeka shfaqen emocionet dhe përshtypjet e tyre...

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme