Nisin bisedimet për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi

Në Mal të Zi po zhvillohen bisedime për formimin e qeverisë dhe ndarjen e dikastereve ministrore midis koalicionit që fitoi zgjedhjet e 30 gushtit.

1508831
Nisin bisedimet për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi
Karadağ Meclis binası.jpg
Songül Ozan_Aleksa Beciq.jpg
Karadağ_seçimleri kazanan muhalefet liderleri.jpg
Karadağ_Ulqin_Ülgün_Ulcinj.JPG
Karadağ_koronavirüs tablosu.jpg

Nisin bisedimet për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi

Kanë nisur bisedimet për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi. Deri të dielën, sipas planit të mandatarit për kryeministër të ri të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, palët duhet të paraqesin emrat për pozicionet në Qeveri, ndërsa marrëveshja përfundimtare mbi programin dhe zgjedhjen e ministrave është planifikuar të arrihet deri më 30 tetor. Koalicioni “Bardh e Zi”, i udhëhequr nga lideri i Lëvizjes Qytetare – URA, Dritan Abazoviq, do të propozojë personel për sektorin e sigurisë që bashkëpunon me NATO-n. Ata pretendojnë se kanë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për këtë, si një parti që është e orientuar qartësisht Euro-Atlantike. Këto përfshijnë departamentet e mbrojtjes, punët e brendshme dhe të jashtme si dhe drejtësinë. Krivokapiq dhe Abazoviq bien dakord që Drejtoria e Policisë dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ANB) të drejtohen nga profesionistë. Ndryshe, partitë e tjera parlamentare që kanë krijuar koalicionin fitues kanë kërkuar pjesëmarrje në qeverinë e re.

Ambasadorja e Turqisë në Mal të Zi nis takimet me strukturat e reja udhëheqëse në Mal të Zi 

Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Aleksa Beciq është takuar me Ambasadoren e Republikës së Turqisë në Mal të Zi, Songül Ozan. Beçiq ka vlerësuar marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve dhe ka shtuar se ekzistojnë kushte për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik. Ai ka vlerësuar se dy vendet mike vazhdojnë të kenë marrëdhënie shembull në të gjitha lëmit dhe bashkërisht veprojnë në kuadër të Aleancës Veri-Atlantike . Sipas kryeparlamentarit të ri të Malit të Zi në forcimin e marrëdhënieve të mira bilaterale kontribut jep edhe diaspora malazeze në Turqi, e cila paraqet një element të rëndësishëm në forcimin e këtyre marrëdhënieve. Nga ana tjetër ambasadorja Songül Ozan e ka uruar z. Beçiq për emërimin në detyrën e re duke shpresuar që Mali I Zi do të vazhdojë të kultivojë harmoninë shumëkonfesionale dhe shumëetnike. Ambasadorja Ozan po ashtu foli edhe për historinë e gjatë dhe traditat e dy popujve. Ajo po ashtu veçoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve me theks të veçantë tek bashkëpunimi i dy parlamenteve.

Ambasadori i Shqipërisë takohet me Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi

Ambasadori Ridi Kurtezi zhvilloi një takim kortezie me Kryetarin e ri të Parlamentit të Malit të Zi, z. Aleksa Beçiq. Gjatë takimit Ambasadori Kurtezi e ka uruar Kryetarin Beçiq për zgjedhjen e tij në krye të Kuvendit të Mali të Zi dhe ka përcjellë mesazhin e urimit të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi. Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit midis të dy vendeve dhe u shpreh vullneti dhe gatishmëria për t’i nxitur dhe zhvilluar ato edhe më tej, duke përfshirë edhe marrëdhëniet midis të dy parlamenteve. Në bisedë u vlerësua roli dhe kontributi pozitiv i pakicës shqiptare në zhvillimet në Malin e Zi si dhe në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Situatë e rënduar epidemiologjike në Mal të Zi 

Autoritetet shëndetësore malazeze kanë publikuar raportin e fundit sa i përket situatës epidemiologjike me koronavirus. Laboratorët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) kanë përfunduar analizën PCR të 649 mostrave për koronavirus, ku janë regjistruar 218 raste të reja pozitive të infeksionit. Gjithashtu është bërë e ditur se brenda 24 orëve kanë vdekur dy pacientë si pasojë e virusit. Numri i përgjithshëm i vdekjeve të lidhura me infeksionin COVID-19 që nga fillimi i qershorit është 204 dhe që nga fillimi i vitit 213. Numri i përgjithshëm i rasteve aktive me koronavirus në Mal të Zi është 3.992 ndërkohë njoftohet se nga virusi janë shëruar 143 persona.

Vazhdon të rëndohet situata me COVID-19 në Ulqin

Situata epidemiologjike në Ulqin po bëhet gjithnjë e më brengosëse. Shënohet rritje e numrit të të infektuarve me Covid-19, andaj nisur nga kjo është thirrur me urgjencë mbledhja e Trupit Komunal të Mbrojtjes dhe Shpëtimit. Kryetari i Ulqinit Loro Nrekiq edhe njëherë tërhoqi vëmendjen në respektimin e masave të TKN dhe atij komunal. Në takim u konstatua se rritjes së numrit të infektuarve i kanë ndihmuar tubimet masive, siç janë gazmendet e ndryshme, andaj në këtë drejtim u paralajmëruan masa ndëshkuese ndaj atyre që nuk u përmbahen rregullave. Nga Shtëpia e shëndetit thanë se çdo ditë testojnë 30-50 qytetarë dhe se së shpejti priten të mbërrijnë testet e shpejta që do të lehtësojnë dhe punën e shërbimit.  Kryetari i komunës edhe njëherë u bëri thirrje shërbimeve relevante që të zbatojnë masat e kontrollit dhe në koordinim të fillojnë me aplikimin e masave represive ndaj atyre që nuk i përmbahen rregullave të parapara.   

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA.



Lajme të ngjashme