Rama: Serbia t'i kërkojë ndjesë Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi ditën e martë se Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ftoi ambasadorin e Serbisë në Tiranë për t’i dorëzuar një notë verbale, pas deklaratave të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.

1505136
Rama: Serbia t'i kërkojë ndjesë Shqipërisë
Aleksandar Vuçiç_Edi Rama.jpg
Oliver Varhelyi_Arnavutluk.jpg
ALSAR_yardım_adak_2.jpg
YTB_ALSAR_Konispol_Türkçe kursu_1.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (41/2020)

-Rama: Serbia t'i kërkojë ndjesë Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi ditën e martë se Ministria e Punëve të Jashtme ftoi ambasadorin e Serbisë në Tiranë për t’i dorëzuar një notë verbale, pas deklaratave të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.

Rama tha se nuk do të tolerojë asnjë ofendim nga përfaqësuesit e qeverisë serbe.

Gjatë një konference për mediat me temë "Ekonomia në fokus", Rama tha se për deklaratat e ministrit Vulin, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, t'i kërkojë ndjesë Shqipërisë.

"...Për sa i përket fatkeqësisë natyrore që zbulova se gjendet në kushtet e veprimit permanent në Qeverinë e Serbisë në trajtën e një ministri, mund të them që unë vazhdoj pres që presidenti i Serbisë të kërkojë në emër të Republikës së Serbisë ndjesë për atë fatkeqësi natyrore. E mirëkuptoj që mund mos ketë fuqi mbi atë fatkeqësi, por atë fatkeqësi le ta mbajë për vete dhe për Serbinë...", u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit Rama, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, "ka vazhduar më tutje me procesin".

"...Ambasadori i Serbisë është thirrur apo do të thirret për t'i bërë me notë verbale, vënien në dijeni të shtetit serb se asnjë gojë e shthurur në Qeverinë e Serbisë nuk mund të lëndojë Qeverinë e Shqipërisë apo figurën e një ministri apo të kryeministrit të Shqipërisë...", theksoi Rama.

Kryeministri Rama, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së përbashkët qeveritare më 2 tetor u shpreh se do të firmoset “përfundimisht edhe marrëveshja që e kalon Doganën e Durrësit në dispozicion të plotë të Kosovës dhe që e kthen Portin e Durrësit në një port të Kosovës defakto".

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, përveç disa deklaratave të tjera, në një deklaratë publikuar në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë serbe të Mbrojtjes, disa ditë më parë kishte theksuar se "...Duke deklaruar se Porti i Durrësit do t'i përkasë Kosovës, Edi Rama, vazhdoi me përpjekjet e tij për të krijuar një 'Shqipëri të Madhe'...".

Menjëherë pas kësaj, Vulin i bëri thirrje Ramës që t’i kërkojë falje Serbisë.

“Le të kërkojë falje Rama për Shtëpinë e Verdhë, le të kërkojë falje për mbështetjen e vrasësve nga UÇK-ja”, tha Vulin në një deklaratë të botuar më 6 tetor në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ai vlerësoi gjithashtu, siç e quajti, se “aksidenti që do të shkaktohej nga ‘Shqipëria e Madhe’ do të ishte aksidenti i të gjithëve në Ballkan" dhe deklaroi se do të luftonte kundër.

***

-Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian vizitonë Tiranën

Mbrëmjen e të mërkurës, Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, vizitoi Tiranën zyrtare në kuadër të disa vizitave në rajon për të prezantuar raportet vjetore si dhe Planet Ekonomike të Investimeve.

Fillimisht komisioneri Varhelyi i është drejtuar Parlamentit me një fjalim.

Teksa ka thënë se Reforma Zgjedhore është një kusht për të çelur konferencën e parë ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Varhelyi  ka shtuar se të gjitha institucionet duhet të punojnë me njëra-tjetrën për të bërë të mundur që Shqipëria të vijojë të ecë përpara deri në finalizimin e hyrjes së saj në BE.

Varhelyi në fjalën e tij në Kuvend duke i siguruar se BE është me shqiptarët ka thënë se: “Ne do ju qëndrojmë pranë dhe jemi me ju, po punojmë me ju që ju të bëheni shtet anëtar i BE, shtet i integruar plotësisht në jetën tonë”, u shpreh Varhelyi. 

Më tej Varhelyi dha edhe një vlerësim për punën e bërë me reformat në Drejtësi dhe atë Zgjedhore.

Komisioneri i BE-së më pas është takuar me presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama.

Ai gjithashtu është takuar me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha dhe me organet e “Vetingut”.

***

-Presidenti Trump letër kryeministrit shqiptar: Ju falënderoj për lidershipin tuaj në Ballkan dhe në Evropë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump i ka dërguar një letër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama duke e falënderuar për lidershipin në Ballkan dhe në Evropë.

Në letër, Trump thekson se “mbështetja juaj e hapur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të mund të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G”.

Presidenti Trump e falënderon Ramën për “mbështetjen për normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës dhe për mbështetjen tuaj të fuqishme të Marrëveshjeve të Abrahamit, hapi më domethënës drejt paqes në Lindjen e Mesme”.

Letra e plotë:

I dashur Z. Kryeministër:

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë dua t’ju falënderoj juve për lidershipin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe nëpër Evropë, për ekspozimin e ndikimit malinj të Kinës, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe praktikat grabitqare të huazimit. Mbështetja juaj e hapur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të mund të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, i cili hap rrugën që edhe vendet e tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë. Jam gjithashtu i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve – një alternativë transparente, e bazuar në treg dhe e drejtë, e formatit Kina 17 + 1 prej të cilit unë ju nxis të dilni.

Unë dua t’ju falënderoj që e keni mbështetur normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës dhe për mbështetjen tuaj të fuqishme të Marrëveshjeve të Abrahamit, hapi më domethënës drejt paqes në Lindjen e Mesme për këtë gjeneratë. Ju inkurajoj që t’u bashkoheni Shteteve të Bashkuara dhe të tjera kombeve evropiane në zhvendosjen e ambasadës suaj në Jeruzalem.

***

-Turqia mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor

Drejtoria e Teatrove Shtetërore të Turqisë mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor “Skampa 2020”, që u zhvillua në qytetin e Elbasanit, me shfaqjen e veprës vendore teatrale “Libraria e Pafundësisë” (Sonsuzluk Kitabevi).

E shkruar nga Sabahattin Kudret Aksal dhe me regji nga Drejtori i Përgjithshëm i Teatrove Shtetërore të Turqisë, Mustafa Kurt, “Libraria e Pafundësisë” u shfaq për artdashësit në hyrjen kryesore të Kalasë së Elbasanit, edhe me titra shqip.
Përveç artdashësve të shumtë, të pranishëm ishin edhe zv.ambasadorja e Turqisë në Tiranë, Orkide Deniz Akyamaç, Drejtori i Përgjithshëm i Teatrove Shtetërore të Turqisë, Mustafa Kurt, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, artistë dhe përfaqësues të institucioneve vendore të Elbasanit.
“Libraria e Pafundësisë” tregon historinë e një njeriu që dëshiron t’u dërgojë veprat e shkrimtarëve që kanë shkruar vepra të pavdekshme të gjithë të njohurve të tij, gruas së tij, miqve dhe njerëzve, duke synuar të bëhet i pavdekshëm me vepra të pavdekshme.
Në rolet kryesore në shfaqjen që realizoi Teatri Shtetëror i Ankarasë janë Özgür Deniz Kaya, Orida Yıldıran dhe Gizem Yönel.
Pas përfundimit të shfaqjes, Drejtori i Përgjithshëm i Teatrove Shtetërore të Turqisë, Kurt, në një deklaratë për mediet tha se kanë pasur një bashkëpunim edhe të mëparshëm më këtë festival, pasi kanë marrë pjesë edhe në edicionin e dytë të tij.
"...Jemi shumë, shumë të nderuar, shumë të kënaqur që kemi ardhur. Përshtypjet më të mira kemi për Elbasanin. Kemi pasur një bashkëpunim të mëparshëm. Ne kemi marrë pjesë në edicionin e dytë të këtij festivali, i cili është një festival që ka më shumë se 20 vjet në vazhdimësinë e tij. Nga ana tjetër, ne kemi disa festivale ndërkombëtare që organizojmë si Drejtoria e Teatrove Shtetërore të Turqisë, një nga ata është i Bursës. Shpresoj një bashkëpunim akoma më i thellë dhe më i vrullshëm do të jetë...", u shpreh Kurt.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, në deklaratën për mediet tha se kanë pasur bashkëpunim shumë të mirë me disa bashki të Turqisë, gjithashtu sipas tij, edhe me tetarin kombëtar turk.
"Është një eveniment për qytetin e Elbasanit, por edhe kam idenë për Shqipërinë e Mesme, pasi pas pandemisë dhe pas mbylljes, këto janë aktivitetet e para të mëdha ndërkombëtare që po bëhen në Shqipëri. Kuptohet, jemi përpjekur në maksimum në kushtet e pandemisë të ruajmë distancën. Është një gjë shumë e mirë për qytetin, për ta rikthyer jetën kulturore, për të rikthyer jetën artistike", tha Llatja duke folur për festivalin.
Vlen të përmendim se, themeluesi i festivalit dhe njëkohësisht drejtori artistik i tij është regjisori shqiptar Adonis Filipi, që është edhe organizatori, ndërsa festivali mbështetet nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe Bashkia Elbasan.
Në festivalin që u zhvillua nga 29 shtator-4 tetor morën pjesë 10 trupa teatrale shqiptare dhe të huaja, përfshirë edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Nga ana tjetër, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk priti në një takim në rezidencën e tij, Mustafa Kurt dhe anëtarë të vlefshëm të Teatrit Shtetëror të Ankarasë që erdhën në Shqipëri për të performuar lojën e quajtur “Libraria e Pafundësisë”.

***

-Në Konispol rihapen kurset e gjuhës turke 

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2020 – 2021, Fondacioni “ALSAR” ka rihapur kurset e mësimdhënies së gjuhës turke. Ky program i mësimdhënies së gjuhës turke për nxënësit e zonës së Konispolit mundësohet falë mbështetjes së ofruar nga Drejtoria e Komuniteteve Turke dhe Mike Jashtë Vendit (YTB) me qendër në Ankara, duke iu përgjigjur interesimit të tyre për të zgjeruar horizontin e kulturës dhe të njohurive të tyre në gjuhët e huaja dhe konsideruar këtë si një mundësi optimale për të gjithë nxënësit dhe të rinjtë e interesuar të kësaj zone, që përmes këtij projekti të përfitojnë mundësi e alternativa optimale arsimimi të standardeve bashkëkohore ndërkombëtare, për të ndjekur studimet në Turqi, si në ciklin e mesëm shkollor ashtu dhe në atë universitar.

Në funksion të këtij programi janë ngritur 3 kurse me një pjesëmarrje të përgjithshme të 45 nxënësve. Procesi i mësimdhënies zhvillohet me metoda bashkëkohore të ndërthurura me programe audiovizive për t’i bërë këto kurse sa më atraktive dhe të plotësuara me elemente që lehtësojnë përvetësimin e dijes në mënyrë sa më efikase nga kjo grupmoshë.

Nga ana tjetër, Fondacioni "ALSAR" në kuadër të misionit të tij për t’iu qëndruar pranë shtresave në nevojë, realizoi shpërndarjen e 150 pakove me mish kurbani “Adak” për fëmijët jetimë të qytetit të Tiranës, të cilët trajtohen me ndihmë të vazhdueshme nga ana e tij.

Realizimi i këtij projekti u mundësua falë mbështetjes së ofruar nga bamirës nga Turqia.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme