P/raporti i KE-së: Mali i Zi ende nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat

Publikohet progresraporti i i Komisionit Evropian (KE), Mali i Zi ende nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat e BE-së.

1504647
P/raporti i KE-së: Mali i Zi ende nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat
Avrupa Komisyonu_Karadağ İlerleme Raporu 2020.jpg
Karadağ_Lista Shqiptare_Arnavut koalisyonu.jpg
Karadağ Meclis binası.jpg
Karadağ genel seçimler_1.jpg
Karadağ koronavirüs.jpg
Karadağ_koronavirüs_yeni vakalar.jpeg

Publikohet progresraporti i i Komisionit Evropian, Mali i Zi ende nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat e BE-së

Në Mal të Zi po përcillet me vëmendje të veçantë raporti i fundit i Komisionit Evropian (KE), ku analizohet progresi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE). Në pjesën për Malin e Zi, Komisioni Evropian nënvizon se në periudhën në fjalë pati tensione dhe mosbesim mes faktorëve politikë dhe një besim të ulët në kornizën zgjedhore. Parlamenti ishte joaktiv për shkak të pandemisë, ndërsa në gusht edhe u shpërnda për shkak të zgjedhjeve. Komisioni vlerëson se procesi zgjedhor në Mal të Zi ishte i organizuar në përgjithësi mirë dhe në mënyrë transparente, por u zhvillua në atmosferën e polarizimeve të mëdha për çështjet e lidhura me Kishën dhe identitetin. “Këto zgjedhje sollën ndryshime të paprecedentë në shumicën qeverisëse. Parlamenti i ri duhet të angazhohet në arritjen e një konsensusi të gjitha partive dhe shoqërisë në praktikë dhe në këtë mënyrë të dëshmojnë përkushtimin e Malit të Zi për agjendën e reformave evropiane”, thuhet në raport. Komisioni në një pjesë të madhe të raportit e përshkruan edhe situatën e krijuar pas miratimit të Ligjit për Liritë Fetare dhe protestat e mëdha që nisën pas. Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Komisioni vlerëson se në Mal të Zi korrupsioni vazhdon të jetë i pranishëm në shumë fusha dhe kjo është çështje për “shqetësim të madh”. Një lloj progresi është arritur në luftën kundër krimit të organizuar, por kërkohet që të ketë më shumë përparim edhe në konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Komisioni ka kërkuar që në Mal të Zi me urgjencë të hetohen rastet e dyshimeve për përdorim të forcës së panevojshme nga ana e policisë. Kritikat më të mëdha Malit të Zi i janë dhënë për lirinë e shprehjes, ku thuhet se “nuk ka pasur progres”. Përmenden rastet e arrestimeve dhe gjykimeve të gazetarëve të disa portaleve, ndërkohë që nuk janë kryer rastet e vjetra të sulmeve ndaj gazetarëve si dhe për vrasjen e një kryeredaktori të një gazete ditore. Skena e mediave në Mal të Zi vlerësohet si shumë e polarizuar dhe fushata e dezinformimit e ka rritur edhe më shumë ndasinë në skenën publike. Mali i Zi vlerësohet për bashkëpunimin rajonal, por thuhet se në raportet dypalëshe me Serbinë ka pasur tensione.

Unioni Demokratik i Shqiptarëve kundër pjesëmarrjes në Qeverinë e re të Mali të Zi

Përderisa mandatari për përbërjen e re të Qeverisë së Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq ka nisur bisedimet për formimin e Qeverisë së re subjektet politike shqiptare apo koalicionet kanë bërë të njohura qëndrimet e tyre rreth pjesëmarrjes në Qeverinë e re. Njëri nga Liderët e Kolicionit “Bashkë nji Za”, përmes një postimi në Facebook duke iu drejtuar votuesve të tij  nga radhët e Unionit Demokratik të Shqiptarëve, ndër të tjera thotë se “dëshiroj t’u drejtohem të gjithë votuesve tē UDSH-së ,koalicionit Shqiptar "Bashkë nji Za" dhe gjithë opinionit Shqiptar: Mehmet Zenka kryetar i UDSH-së nuk bëhet pjesë e koalicionit ku marrin pjesë ato parti (pro serbe), të cilat në programin e tyre kanë mohimin e të gjithë atyre vlerave për të cilat UDSH-ja tash tri dekada politikisht lufton. Aty ku Kosova quhet shtet terrorist dhe nuk pranohen krimet ndaj kombit tonë, NUK KA VEND PËR MUA DHE UDSH-në, me ato politika që traditat, kulturën dhe objektet tona fetare mijëravjeçare dëshirojnë dita-ditës të na i përvetësojnë apo zhdukin. Nuk ka vend për ne aty ku mohohet gjenocidi i Srebrenicës, nuk ka vend për ne aty ku quhemi Shqiptari, nuk ka vend për ne, me ato që këndojnë këngët e Car Llazarit dhe ftojnë ushtrinë që të kthehet në Kosovë, nuk ka vend për ne me ato politika që mohojnë të gjitha vlerat Euroatlantike, nuk ka vend për ne e aq ma pak për mua dhe partinë që drejtoj (UDSH) me ata të cilët festojnë dhe u këndojnë këngë vrasësve dhe krim-bërësve ndaj kombit tonë. Këto janë vetëm një pjesë e arsyeve përse nuk dëshirojmë të jemi pjesë e atyre kombinimeve pavarësisht përfitimeve që na ofrohen.

Kërkojmë përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi 

Njëri nga Liderët e Koalicionit “Lista Shqiptare” Genci Nimanbegu ka theksuar se nëse do të marrin ftesë për pjesëmarrje në qeverinë e re, do të kërkojnë të ju takojnë vendi i zëvendëskryeministrit dhe ministrit për të Drejtat e Njeriut. Më herët, Genci Nimanbegu nga Lista Shqiptare kishte thënë se përveç ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit, të cilat do t’u mundësonin shqiptarëve të formonin klub të veçantë parlamentar, prioritetet e tyre janë gjithashtu të natyrës politike në interes të shqiptarëve. Nimanbegu ka shtuar se disa nga kushtet që kanë, do të njoftohen nëse marrin ftesë për bisedime në formimin e Qeverisë. Ai deklaroi me përfaqësuesit e shumicës së re parlamentare do të donin të flisnin për zhvillimin ekonomik, por edhe për përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve. Nimanbegu tha se ishin dakord me DPS-në për politikën e jashtme, por kishin përplasje kur bëhet fjalë për zhvillimin ekonomik dhe të drejtat e shqiptarëve. “Kemi pritur 26 vjet për Komunën e Tuzit, e mos të flasim për centralizimin, sistemin shëndetësor ose planifikimin hapësinor. Pas shpalljes së zgjedhjeve, ne nuk kemi më detyrime të koalicionit ndaj DPS-së. Kemi detyrim vetëm ndaj votuesve dhe qytetarëve tanë që respektojnë programin dhe parimet tona politike”, ka thënë Nimanbegu.

Situatë e rënduar epidemiologjike në Mal të Zi  

Në laboratorët e Institutit për Shëndetin Publik dhe në laboratorët e tjerë në shtet, të cilët bëjnë diagnostifikimin PCR-së të koronavirusit, gjithsej janë konfirmuar 232 raste të reja të infektimit. Deri dje në ora 17.00, në këtë Institut kanë arritur edhe konfirmimet për tre rast të vdekjeve të pacientëve me Covid-19 pozitiv. Po ashtu deri dje në ora 17, është konfirmuar edhe shërimi i 355 pacientëve. Përndryshe numri i përgjithshëm i rasteve aktuale aktive me Covid-19 në Mal të Zi është 3 mijë e 869 persona. Prej fillimit të vitit numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara të infektimit me koronavirus është 12 mijë e 359 individë. Numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjeve si pasojë e infektimit me Covid-19, prej fillimit të muajit qershor është 173, kurse prej fillimit të vitit 182 persona. Situata epidemiologjike me Covid-19 ne territorin e komunës së Ulqinit është shumë shqetësuese. Koronavirusi së fundmi ka prekur dhe punëtorët e arsimit, policisë, shëndetësisë dhe sektorëve te tjerë. Andaj shtabi i emergjencës u bën thirrje qytetarëve që të zbatojnë masat e Trupit Koordinues Nacional dhe Shtabit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit. Vendosja e maskave dhe distanca sociale duhet respektuar me përpikëri. Pronarët e bareve dhe restoranteve duhet t’i përmbahen orarit të punës dhe rregullave të parapara. Duhen shmangur ceremonitë e kremtimeve familjare dhe morteve. Ndaj atyre që nuk i zbatojnë rregullat do të merren masa ndëshkuese, thuhet në njoftimin e bërë nga komuna e Ulqinit.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA.



Lajme të ngjashme