Shqipëria është pro reformimit të OKB-së

Presidentit i Shqipërisë, Ilir Meta, në fjalën e tij në Sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara - OKB, theksoi se kjo organizatë duhet të jenë në qendër të një multilateralizmi gjithëpërfshirës dhe efektiv.

1500712
Shqipëria është pro reformimit të OKB-së
Arnavutluk Cumhurbaşkanı_Ilir Meta_BM Genel Kurulu2.jpg
AGİT_üye ülkelerin bayrakları.jpg
SEDM-CC toplantısı_1.jpg
Arnavutluk ordusu_Carpathian Eagle 20_3.jpg
Arnavutluk ordusu_Carpathian Eagle 20_5.jpg
TAP doğalgaz boru hattı_3.png

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (40/2020)

-Shqipëria është pro reformimit të OKB-së

Presidentit i Shqipërisë, Ilir Meta, në fjalën e tij në Sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara - OKB, theksoi se kjo organizatë duhet të jenë në qendër të një multilateralizmi gjithëpërfshirës dhe efektiv.

Në fjalimin e tij mbajtur online dhe publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë, Meta theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian vazhdon të jetë objektivi më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë.

"Kemi pasur shumë arsye për të qenë krenarë gjatë 75 viteve të ekzistencës së Kombeve të Bashkuara. Si rezultat i bashkëpunimit global në kuadrin e OKB-së, ia kemi dalë mbanë të parandalojmë shpërthime të mëdha ushtarake dhe të pakësojmë vuajtjet njerëzore. Përgjigja globale ndaj pandemisë së koronavirusit e ka vënë në provë multilateralizmin si dhe ka ekspozuar kufizimet e institucioneve ekzistuese ndërkombëtare. Ajo ka nxjerrë në pah gjithashtu edhe pasojat alarmuese të bashkëpunimit jofunksional botëror", ka theksuar Meta.

Presidenti i Shqipërisë ka theksuar se me qëllim që të zbutet kurba e pandemisë dhe të parandalohet një krizë ekonomike globale, "duhet të reagojmë në mënyrë kolektive në frymën e bashkimit e të solidaritetit".

Ai theksoi më tej se "Kombet e Bashkuara duhet të jenë në qendër të një multilateralizmi gjithëpërfshirës dhe të efektshëm, ku organizatat ndërkombëtare, institucionet financiare, shoqëria civile, bashkësia e sipërmarrjes dhe grupet e tjera të interesit, të veprojnë përmes lidhjeve më të ngushta institucionale. Ne mbështesim fuqimisht në këtë drejtim vizionin dhe agjendën ambicioze të reformave të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Shqipëria është e bindur se një Organizatë e reformuar e Kombeve të Bashkuara do të ofrojë një qasje më të integruar dhe gjithëpërfshirëse për të realizuar Agjendën 2030 dhe për të qenë të sigurt se askush nuk do të mbetet pas".

Meta thekoi më tej se "Shqipëria beson fort se multilateralizmi është thelbësor për trajtimin e sfidave globale".

"Gjatë përpjekjeve të vazhdueshme për t’i shërbyer paqes dhe sigurisë, Shqipëria ka kontribuar me trupa ushtarake, nën drejtimin e OKB-së, BE-së dhe të NATO-s, në operacione të ndryshme paqeruajtëse në Sudanin e Jugut, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mali dhe Afganistan", u shpreh Meta.

***

-Kreu i OSBE-së, Rama për konfliktin Azero-Armen: Ulini armët e të nisim negociatat, nuk duam viktima 

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, nën cilësinë e kryetarit të OSBE-së, ka reaguar, pas luftimeve, të rinisura mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të OSBE-së, Rama deklaron se të dyja palët e përfshira në konflikt duhet të kthehen në normalitet, ndërsa shton se askush nuk do viktima.

“Unë i nxis të gjithë të përfshirët të kthehen menjëherë në armëpushim para se numri i njerëzve i këtij konflikti të rritet më tej,”– ka theksuar Rama. Kreu i qeverisë shqiptare thotë se është mirë që mes dy vendeve të nisin negociatat.

Ndërsa, ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha me anë të një postimi në rrjetet sociale ka shpjeguar konfliktin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, pas tensioneve të rritura në ditët e fundit ku ka pasur edhe përballje me armë zjarri dhe viktima

Sipas Berishës, shkaku i këtij konflikti qëndron në pushtimin e territoreve azere nga Armenia, e cila mbështetet edhe nga Rusia. Armenia mban të pushtuar krahinën e Nagorni-Karabakut që gjendet në zemrën e Azerbajxhanit dhe që banohet nga armenët, por njihet ndërkombëtarisht si pjesë e territorit të Azerbajxhanit.

Berisha duke i dal në krah Azerbajxhanit  thekson se: “Duke mbështetur plotësisht te drejtën e ligjshme të Azerbajxhanit për vendosjen e sovranitetit të plotë në të gjitha territoret e pushtuara prej mbi tre dekadash nga Armenia me mbështetjen e ruseve i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të angazhohet me seriozitetinmë të madh në zgjidhjen e plotë të këtij konflikti në përputhje me aktet dhe ligjet ndërkombëtare duke i dhënë fund pushtimit armen të territoreve të Republikës së Azerbajxhanit”.

Nga ana tjetër, një takim i posaçëm i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së mbi zhvillimet për konfliktin në Nagorni-Karabah u zhvillua të martën në Vjenë nga Kryesia shqiptare  e OSBE-së. Takimi u ndoq nga përfaqësuesit e 57 shteteve anëtare të kësaj organizate. 

Ambasadori Igli Hasani, Kryetari i Këshillit të Përhershëm, përsëriti shqetësimin e Kryesisë për përplasjet e vazhdueshme dhe përkeqësimin e situatës në terren.

I shqetësuar nga rritja e numrit të viktimave, ai përsëriti thirrjen e Kryesisë së OSBE-së për një ç’tensionim të menjëhershëm të situatës dhe u shprehu ngushëllimet familjeve të të vrarëve dhe të plagosurve.

Përfaqësuesit e vendeve të bashkëkryesuesve të Grupit të Minskut – Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – përsëritën thirrjen e bashkëkryetarëve për të gjitha palët që të ndërpresin menjëherë luftimet dhe të rifillojnë negociatat për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit.

Kryesia shqiptare e OSBE-së përsëriti rëndësinë e një zgjidhjeje të negociuar.

***

-Ambasadorët e vendeve të BE-së thirrje për zbatimin e masave në luftën ndajkoronaviruesit të rrezikshëm

Në Ditën Evropiane të Gjuhëve, Ambasadori i BE-së Luigi Soreca në Tiranë dhe Ambasadorët e shteteve anëtare përcollën një mesazh të veçantë në gjuhën e tyre amtare.

Ata apelojnë për zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca shprehet se BE dhe shtetet e saj kanë mbështetur Shqipërinë në luftë kundër COVID-19 që në fillim të pandemisë dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë këtë. Por tani kemi rastin të bëni pjesën tuaj. Mbaj maskën, laj duar dhe ruaj distancën, bashkë mund t’ia dalim”.

Ambasadorët e vendeve të BE-së apeluan qytetarët që të tregohen të kujdesshëm në luftën ndaj pandemisë, duke mbrojtur veten dhe të tjerët.

***

-U zhvillua takimi i 43-të i Komitetit të Ministerialit të Mbrojtjes së Evropës Juglindore, pjesë e saj edhe Turqia 

Në datat 23-24 shtator 2020, në kuadër të Iniciativës të SEDM, i cili kryesohet nga Shqipëria, në Ministrinë e Mbrojtjes në Tiranë, u zhvillua nëpërmjet video-konferencës, Takimi i 43-të i Komitetit Koordinues të Ministerialit të Mbrojtjes së Evropës Juglindore (SEDM-CC) dhe Takimi i 44-të i Komitetit Drejtues Politiko - Ushtarak/Forcës Paqeruajtëse Shumëkombëshe të Evropës Juglindore (PMSC/MPFSEE). 

Takimet u realizuan nëpërmjet video-konferencës me mbështetjen e portalit të SEDM si rezultat i situatës të pandemisë të COVID-19.
Përfaqësues nga 13 vende anëtare të SEDM, komandanti i Brigadës së Evropës Juglindore (SEEBRIG) si dhe vëzhgues nga NATO IS, UNDP SEESAC, RCC dhe RACVIAC, morën pjesë në këto takime, që u drejtuan nga zëvendësministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Petro Koçi, njëkohësisht kryetar i Sekretariatit të SEDM-CC/PMSC.

Zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi theksoi në fjalën e tij se Iniciativa e SEDM ka treguar në gjithë këto vite se është një proces i shkëlqyer për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe dialogut të përbashkët në fushën e sfidave ndaj sigurisë. Detyra jonë është që bashkërisht nëpërmjet këtij procesi të kontribuojmë në të mirë të paqes dhe stabilitetit rajonal.
Në Takim e SEDM-CC u diskutuan projektet në kuadër të SEDM-it dhe pjesëmarrësit përshëndetën zhvillimin dhe përparimin e tyre, respektivisht ndërlidhjen e spitaleve ushtarake (Interconnection of Military Hospitals Project), promovimin e lidereve gra në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë (Female Leaders in Security and Defense -FLSD) në mbështetje të implementimit të rezolutës të UNSCR 1325, promovimin e institucioneve transparente në vënien në zbatim të principeve të transparencës dhe integritetit (Building Integrity) si dhe në zhvillimin e mëtejshëm të Portalit të SEDM (SEDM Portal). 

Nga ana tjetër, Forcat Speciale Shqiptare me aftësitë e treguara krah kolegëve të tyre nga Turqia, Bullgaria, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, dhe Rumania morën pjesë në stërvitjen “Carpathian Eagle 20”.

Në rajonin stërvitor në Cincu të Rumanisë, trupat elitë të 7 vendeve demonstruan dhe përmirësuan përgatitjen e tyre në qitje, luftimin në qendrat e banuara, desantim nga ajri (hedhje me litar dhe parashutë) shëndetësi dhe xhenio.

***

-Gazsjellësi TAP rriti me 16 herë investimet zvicerane në Shqipëri në 5-së vitet e fundit

Gazsjellësi TransAdriatik-TAP, një nga projektet prioritare të energjisë për Bashkimin Evropian, pjesë e Korridorit të Gazit Jugor, po gjeneron volume të rëndësishme investimesh në Shqipëri nga puna në tubacionet nëndetare, pasi ka mbyllur pjesën më të madhe të punimeve tokësore.

Ky projekt e ngjit Zvicrën në investitorin kryesor të huaj në Shqipëri për tremujorin e dytë të këtij viti, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë.

Të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë se fluksi i investimeve zvicerane arriti në 74 milionë euro, me një rritje prej 64% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 57% krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti.

Për të gjithë 6-mujorin e parë 2020, investitori më i madh i huaj në Shqipëri ishte Holanda, me 143 milionë euro, e ndjekur nga Zvicra me 119 milionë dhe nga Turqia me 48 milionë euro.

Për tremujorin e dytë, Shqipëria thithi investime të huaja në vlerën e 221 milionë eurove.

BSH bën të ditur se, “renditja e investitorëve të huaj sipas stokut të investimeve të deritanishme vazhdon të kryesohet nga Zvicra, me 1.58 miliardë euro, që në pjesën dërrmuese kanë hyrë për të financuar gazsjellësin TAP”.

Ky projekt i ka rritur investimet zvicerane me 16 herë në pesë vitet e fundit.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme