Malit të Zi - Nisin bisedimet për formimin e qeverisë së re

Kandidati për mandatar për përbërjen e Qeverisë së re të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq filloi bisedimet për formimin e Qeverisë me liderët e Frontit Demokratik.

1500399
Malit të Zi - Nisin bisedimet për formimin e qeverisë së re

Nisin bisedimet për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi

Kandidati për mandatar për përbërjen e Qeverisë së re të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq filloi bisedimet për formimin e Qeverisë me liderët e Frontit Demokratik. Siç bëhet me dije, Krivokapiq në prag të takimit ka biseduar me mitropolitin malazez Amfillohije në Podgoricë. Me takimin me liderët e FD Krivokapiq e fillon serinë e bisedimeve me kryetarët e të gjitha partive, të cilat e përbëjnë koalicionin tre palësh. “Mandatari do ta formojë ekipin e vet dhe para së gjithash do të bisedojë me të gjithë kryetarët e partive brenda koalicionit, pastaj edhe me sektorin joqeveritar dhe me intelektualët e pavarur. Përndryshe me nënshkrimet e 41 deputetëve janë krijuar kushtet që shefi i shtetit, Millo Gjukanoviq edhe zyrtarisht të propozojë Zdravko Krivokapiq për mandatar të Qeverisë të re të Malit të Zi.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama viziton qytetin e Tuzit 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qëndroi në një vizitë jozyrtare dhe të paparalajmëruar në Mal të Zi, gjegjësisht në Tuz. Sipas informatave jozyrtare Rama u takua me bartësin e Listës Shqiptare “Koha është tani”, Nik Gjeloshaj, në një nga restorantet në Tuz. Burime të informuara mirë bëjnë me dije se temë e takimit ishte procesi pas-zgjedhor dhe formimi i Qeverisë së ardhshme të Malit të Zi. Gjeloshaj ka konfirmuar se është takuar me Ramën, por nuk ka dashur që të bisedojnë për detalet e takimit. Gjatë fushatës parazgjedhore Rama haptas ka përkrahur partinë e Millo Gjukanoviq, por edhe Listën Shqiptare.

Formalizohet edhe me ligj Flamuri Kombëtar, simboli i shqiptarëve në Mal të Zi 

Qeveria e Malit të Zi ka miratuar Ligjin, i cili përcakton flamurin, himnin dhe festën kombëtare për shqiptarët në Mal të Zi. Me propozimin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi për simbol është miratuar Flamuri Kombëtar, shqiponja e zezë dykrenore me sfond të kuq. Si stemë – shqiponjën e zezë dykrenore, mbi të cilën është përkrenarja e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut si dhe himnin “Rreth flamurit të përbashkuar”. Gjithashtu është raportuar se 28 Nëntori – Dita e Flamurit Kombëtar – është caktuar si Dita e Festës Kombëtare të Shqiptarëve në Malin e Zi.

Është me rëndësi që Mali i Zi të vazhdojë kursin evropian dhe euroatlantik

Mali i Zi dhe Mbretëria e Bashkuar kanë marrëdhënie të mira bilaterale, bashkëpunim të mirë në nivelin politik, i cili duhet pasuruar edhe më tepër përmes lidhjeve ekonomike, ka kumtuar Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq gjatë takimit me ambasadoren e sapoemëruar britanike në Podgoricë, Karen Madoks. Jemi krenar dhe falënderues për partneritetin, bashkëpunimin dhe përkrahjen, të cilën e kemi fituar nga Mbretëria e Bashkuar në rrugën drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike“,- ka theksuar Markoviq. Ambasadorja Madoks ka theksuar se do të jetë e përkushtuar në përparimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Malit të Zi dhe shpreson që së shpejti të nënshkruhet marrëveshja për partneritet, tregti dhe bashkëpunim, e cila do të jetë bazë për forcimin e bashkëpunimit të mëtejmë ekonomik ndërmjet dy vendeve. Bashkëbiseduesit janë pajtuar se është me rëndësi të veçantë që Mali i Zi të vazhdojë kursin evropian dhe euroatlantik, kurse ambasadorja Madoks ka shtuar se Britania e Madhe do të vazhdojë të ofrojë ndihmë në këtë drejtim.

Rritet numri i të infektuarve me koronavirus në Mal të Zi 

Shënon rritje numri i të infektuarve me koronavirus në Mal të Zi. Gjatë 24 orëve të fundit, kanë vdekur 4 persona dhe është konfirmuar infektimi i 128 personave të tjerë, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik. Theksohet se laboratorët e Institutit deri dje në orën 17 kanë përfunduar analizën PCR të 427 mostrave në korona virusin e ri, në mesin e të cilëve 128 kanë rezultuar pozitiv. Numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjes si pasojë e virusit Covid-19, prej fillimit të muajit qershor është 154, kurse prej fillimit të vitit 163 persona. Nga Instituti për Shëndetin Publik kanë kumtuar se deri dje në ora 17 është konfirmuar shërimi i 264 pacientëve. Theksohet se numri i përgjithshëm i rasteve aktive të prekura me Covid-19 në Mal të Zi është 3558. Prej fillimit të vitit numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara të infektimit me koronavirusin e ri është 10 mijë e 441 persona. Nisur nga situata e rënduar, e sidomos në tre qytete në veri të vendit, autoritetet kanë vendosur të mbyllë plotësisht hotelet, restorantet dhe klubet e natës në qytetet ku shënohet numri më i madh i të infektuarve me koronavirus. Pas orës 22:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit është ndalur edhe qarkullimi i njerëzve. Mali i Zi e ka marrë vendimin që të rikthejë masat shtrënguese për shkak të rritjes së numrit të viktimave dhe të infektuarve me Covid-19.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme