Qeveria e Kosovës ndan 60 milionë euro për bizneset

Qeveria e Kosovës ndau rreth 87 milionë euro për bizneset private, për t’i rikuperuar humbjet që kanë pësuar nga pandemia COVID-19, për qytetarët në nevojë, për disa ministri dhe të tjera.

1498871
Qeveria e Kosovës ndan 60 milionë euro për bizneset

Qeveria e Kosovës ndau rreth 87 milionë euro për bizneset private, për t’i rikuperuar humbjet që kanë pësuar nga pandemia COVID-19, për qytetarët në nevojë, për disa ministri dhe të tjera.

Nga kjo vlerë, 60 milionë euro u ndanë për bizneset, të cilat do të përfitojnë varësisht nga numri i punëtorëve që kanë pasur të regjistruar në muajin dhjetor të vitit 2019.

Kjo u bë e ditur nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media në Prishtinë, të mbajtur pas mbledhjes së qeverisë.

Hoti tha se mjetet e ndara janë në kuadër të Fondit për Rimëkëmbje Ekonomike, që kap vlerën e 385 milionë eurove.

Përveç mjeteve për biznese, qeveria ndau 7.7 milionë euro për asistencë sociale, 12 milionë euro për Ministrinë e Bujqësisë, 2.5 milionë euro për fushën e kulturës, një milion për Ministrinë e Zhvillimit Rural, një milion për Zyrën për Komunitete, një milion për Agjencinë për Barazi Gjinore dhe një milion për ndërmarrjet publike.

Nuk takohen Hoti e Vuciq, por Hyseni e Gjuriq

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak ka konfirmuar se të hënën, më 28 shtator, do të zhvillohet takimi mes shefave të ekipeve negociatore të këtyre dy vendeve, përkatësisht mes koordinatorit shtetëror të Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, dhe nga pala serbe e cila përfaqësohet nga Marko Gjuriq.

Lajçak ka thënë se temë e diskutimit do të jenë pretendimet financiare dhe ato pronësore, përderisa ka konfirmuar se tema e Asociacionit, nuk do të jetë në agjendë, pasi njëra palë nuk është e gatshme për të diskutuar.

“Mirëpo kjo gjë duhet të adresohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, siç është arritur pajtueshmëri gjatë takimit të liderëve”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në rrjetin social, Tëitter.

Takimi I 28 shtatorit ishte paraparë të mbahej në nivel të lartë, përkatësisht ndërmjet kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandar Vuqic. Konsiderohet se tema e Asociacionit, ka bërë që takim I të hënës, të zhvillohet në nivel ekspertësh.

Hoti thotë se Asociacioni i komunave është temë e mbyllur

Kryeministri Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media më herët të enjten, tha se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumice serbe është e mbyllur dhe se nuk do të diskutohet më për të.

"Kjo temë nuk diskutohet, sepse është mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe pastaj marrëveshja tjetër me parime e vitit 2015 që në fakt e përmirëson marrëveshjen e viti 2013. Pra, nuk është temë që hapet në procesin e dialogut", tha Hoti.

Hoti është I shprehur I vendosur që procesi i dialogut  të qohet përpara.

“Sepse është interes strategjik i Kosovës, i rajonit dhe Evropës që sa më shpejt të përmbyllet kjo çështje mes Kosovës dhe Serbisë dhe rajoni të udhëtojë drejt integrimeve evropiane", tha Hoti.

Serbia e gatshme të vazhdojë dialogun me Kosovën në Bruksel

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten në një adresim për media, tha se Beogradi është i gatshëm të vazhdojë dialogun me Kosovën në Bruksel, por theksoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është temë e pashmangshme.

Ai këto komente i bëri duke u përgjigjur në pyetjen nëse do të vazhdojë dialogu më 28 shtator.

Vuçiq shtoi se pala serbe do të insistojë që të diskutohet për temën e Asociacionit.

Ndryshe, Hoti, më 7 shtator në Bruksel, kur është mbajtur takimi i fundit me presidentin serb Aleksandar Vuciq, kishte konfirmuar se atë ditë janë diskutuar dy tema të ndjeshme, obligimet financiare, që nënkupton dëmet e luftës, borxhin publik dhe Asociacioni. Hoti ka deklaruar atë ditë se për këto dy çështje do të diskutohet edhe në takimet e ardhshme në Bruksel.

Por, duket se presioni nga partitë e tjera, presidenti Hashim Thaci e opinioni, kanë ndikuar që kryeministri Hoti të mbrapset dhe të harrojë se kishte deklaruar se do të diskutohet Asociacioni në takime me Serbinë.

Në tetor në Kosovë vijnë ekspertët për Ujmanin

Për rreth 30 ditë në Kosovë do të arrijnë ekspertët amerikanë për liqenin e Ujmanit.

Studimi i fizibilitetit në Liqenin e Ujmanit është vetëm një prej pikave të marrëveshjes së 4 shtatorit, që është arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.

Kryeministri Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Trump.

Gjykata Speciale thotë se Haradinaj pengoi drejtësinë

Dhomat e Specializuara në Hagë thonë se nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Nasim Haradinaj është arrestuar, pas një fletarresti për veprat penale “kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”. Haradinaj tashmë është transferuar në objektin e paraburgimit të këtyre dhomave në Hagë.

Në fletarrestin e lëshuar për Haradinajn thuhet se ai gjatë tri konferencave për media, të mbajtura në muajin shtator të këtij viti, ka shpërndarë apo u ka krijuar qasje mediave në dokumente dhe informacione konfidenciale, që lidheshin me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Haradinaj thuhet se “ka përmendur emrat e dëshmitarëve (potencialë) dhe ka dhënë informacione lidhur me vendbanimin e tyre dhe të dhëna të tjera personale”.

Konfirmohet arrestimi i Nasim Haradinajt

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka konfirmuar ndalimin e Haradinajt më 25 shtator, në bazë të fletarrestit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara. Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj u arrestua të premten, më 25 shtator, në Prishtinë. Ai gjatë të premtes, në një prononcim për mediat tha e nuk e njeh Gjykatën Speciale. Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se në arrestimit e Haradinajt EULEX-i dhe Policia e Kosovës ofruan mbështetje operative dhe logjistike.

Arrestohet kryetari I OVL UCK-së Hysni Gucati

Të premten është arrestuar para Nasim Haradinajt, kryetari I OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, i cili menjëherë u transferua në Hagë. Gucati, siç njoftuan Dhomat e Specializuara, u arrestua nën dyshimin se ka kryer veprat penale “kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Në flet arrestin e Gucatit, Dhomat e Specializuara, përkatësisht Gjykata Speciale, u tha se ai ka bërë të qasshme për gazetarët dokumente konfidenciale që kanë të bëjnë me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Ka dyshim të bazuar se zoti Gucati ka mbajtur tri konferenca për media më 7, 16 dhe 22 shtator, 2020, ku ai ka shpërndarë ose ka bërë të qasshme për mediat informacione dhe dokumente konfidenciale dhe jopublike që kanë të bëjnë me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe nuk ka intervenuar kur Nasim Haradinaj (nënkryetari i OVL të UÇK-së) ka përmendur emrin e një dëshmitari dhe ka dhënë informacione lidhur me vendin ku ai banon dhe të dhëna të tjera personale”, thuhet në flet arrestin e lëshuar për Gucatin.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, të cilit i referohet edhe Ligji për Dhomat e Specializuara, kushdo që pa autorizim publikon informacione të klasifikuara ose çfarëdo proces zyrtar që është në zhvillim, e i cili, sipas ligjit nuk duhet të publikohet ose konsiderohet si sekret me një vendim të gjykatës apo të autoritetit kompetent, mund të gjobitet apo të dënohet deri në 1 vit burgim.

Nëse publikohen informacione apo të dhëna personale të një personi i cili është në mbrojtje, personi që publikon këto të dhëna mund të dënohet nga 3 deri në 10 vjet burgim, varësisht nga pasojat që shkaktohen nga një veprim i tillë.

Bastisjet në OVL të UÇK-së

Të premten, për më shumë se 8 orë, zyrtarë të EULEX-it bastisën zyrat e OVL të UÇK-së.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tri herë në javët e fundit, ka njoftuar se një person anonim ka dorëzuar tek ajo "mijëra dosje që përmbajnë emrat dhe adresat e dëshmitarëve". Këto dokumente, sipas saj, janë nga Haga. Pas çdo dorëzimi, udhëheqësit e Organizatës kanë mbajtur konferencë për media, ku gazetarëve u është lejuar t’i marrin ato dokumente. Pas çdo konference, dokumentet janë konfiskuar nga hetuesit në Hagë.

Ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.

Marrëveshje mes Unionit të Turizmit të Kosovës me të Shqipërisë

Është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Unionit të Turizmit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Marrëveshja është nënshkruar në ditën botërore të turizmit, me c’rast, u kërkua përkrahja institucionale. Kryetari i Unionit i Turizmit të Kosovës (UTK), Baki Hoti ka thënë se pandemia ka shkaktuar shumë dëme në sektorin e turizmit. Mes tjerash ai ka thënë se turizmi nuk njeh kufi dhe duhet bashkëpunim më i thellë me Shqipërinë.

Nexhat Ramadani zëvendësministër i Tregtisë dhe Industrisë ka thënë se Kosova mund ta përdor turizmin për zhvillimin ekonomik të vendit.

E Rrahman Kasa kryetar i unionit të turizmit të Shqipërisë ka thënë se turizmi është bërë industri që po sjellë shumë të ardhura. Madje ai kërkoi që të ulët TVSH-ja në Kosovë, sic është në Shqiperi.

“Shpresoj të realizohet kërkesa e turizmit në Kosovë për uljen e TVSH-së prej 8 për qind, ne në Shqipëria e kemi 6%”, tha ai.



Lajme të ngjashme