Kosovë - Presidenti Thaçi nderon Trumpin me urdhrin më të lartë shtetëror

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ndarë urdhrin më të lartë shtetëror – Urdhrin e Lirisë – për presidentin e ShBA-ve, Donald Trump, "në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon".

1493567
Kosovë - Presidenti Thaçi nderon Trumpin me urdhrin më të lartë shtetëror

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka ndarë urdhrin më të lartë shtetëror – Urdhrin e Lirisë – për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, “në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”.

Siç bën të ditur komunikata nga Zyra e Presidentit, i pari i shtetit, në letrën drejtuar presidentit Trump ka deklaruar se marrëveshja për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të ishte e mundur pa udhëheqjen e fuqishme të tij dhe të SHBA-së.

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për kontributin tuaj personal në arritjen e marrëveshjes për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje është përparim i rëndësisë së jashtëzakonshme për përmbylljen e konfliktit shekullor mes popujve tanë. Pas dekadash bllokade dhe stagnimi në negociata, falë udhëheqjes tuaj të guximshme e arritëm këtë marrëveshje historike”, shkruan në letrën e Thaçit dërguar presidentit Trump.

Presidenti i Kosovës e ka siguruar homologun e tij amerikan se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes së qëndrueshme dhe prosperitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Po kështu ai tha se “jemi të palëkundur në përkushtimin tonë për arritjen e një marrëveshjeje që të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura dhe sjell njohjen e ndërsjellët në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Thaçi tha se një marrëveshje e tillë mund të arrihet vetëm nën udhëheqjen e fuqishme të SHBA-së në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ngase sipas tij, roli i SHBA-së është jetik.

“Z. President, kam privilegjin, si President i Republikës së Kosovës, që në shenjë mirënjohjeje për kontributin tuaj personal për lirinë e Kosovës, në arritjen e paqes, pajtimit dhe prosperitetit ekonomik, të ndaj për ju Urdhrin e Lirisë”, shkruhet në letrën e Thaçit për Presidentin Trump.

Duke folur për Marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë, më tutje Thaçi ka thënë se ajo nuk do të ishte e mundur të arrihej edhe pa ndihmën e këshilltarit për siguri të Trump, Robert O’Brein dhe emisarit special Richard Grenell, të cilëve po kështu u ka ndarë Medalje Presidenciale të Meritave, “për meritat e tyre të veçanta në arritjen e marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Uashington”.

Në fund presidenti Thaçi e ka ftuar presidentin Trump që ta vizitojë Kosovën. Një vizitë e mundshme e presidentit Trump në Kosovë, Serbi dhe rajon është paralajmëruar edhe nga Richard Grenell, megjithëse ka shtuar se “ende nuk është vendosur ndonjë datë për këtë vizitë”. (Agjencia Anadolli - AA)

 


Lajme të ngjashme