Paqartësia pason zgjedhjet e 30 gushtit në Malin e Zi

Një përmbledhje e zhvillimeve kryesore të javës në Malin e Zi pas zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit.

1487850
Paqartësia pason zgjedhjet e 30 gushtit në Malin e Zi
Karadağ_seçimleri kazanan muhalefet liderleri.jpg
Karadağ genel seçimler_3.jpg
Karadağ seçimler_genel resim.jpg
crna gora.jpg
B.Elçi Songül Ozan_Karadağ Diyanet İşleri Başkanı Rifat Feyziç.jpg

Vazhdon paqartësia pas zgjedhjeve të 30 gushtit në Mal të Zi

Në Sheshin e Pavarësisë në Podgoricë u mbajt një siç e kanë quajtur "tubim patriotik", për siç thanë organizatorët, mbrojtjen e Malit të Zi si shtet të pavarur. Ky tubim, ku morën pjesë mijëra qytetarë, kaloi i qetë dhe nuk u raportua për asnjë incident. Qytetarët që morën pjesë në këtë tubim kënduan himnin e Malit të Zi dhe këngë patriotike dhe valëvitën flamurin shtetëror. Të gjithë të pranishmit në këtë tubim masiv porositën se ata "nuk do ta japin Malin e Zi". Njëri nga organizatorët, tha para të pranishmëve se e vetmja parti që i ka mbledhur në këtë shesh është – Mali i Zi. "Ne nuk jemi mbledhur për ta ndryshuar rezultatin zgjedhor. Të kishin pasur fituesit e zgjedhjeve atë natë këtë flamur që ju e keni sonte, ne nuk do të kishim arsye që të mblidheshim sonte", ka thënë, njëri nga organizatorët e tubimit. Në këtë tubim, morën pjesë qytetarë nga qytete të ndryshme të Malit të Zi. Tubimi, siç u tha, u organizua nga një grup i organizatave patriotike malazeze. 

Partia Demokratike e Socialistëve bashkon partnerët e koalicionit në takim

Përderisa ende pritet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve në një atmosferë të tensionuar me deklarata dhe akuza ndërmjet pozitës aktuale dhe opozitës, kanë nisur bisedimet për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi pas zgjedhjeve të 30 gushtit. Në Podgoricë u zhvillua takimi me partnerët e koalicionit parlamentar, në të cilin përveç liderëve të Partisë Demokratike të Socialistëve, morën pjesë liderët e Socialdemokratëve, Partisë boshnjake, Partisë Liberale, Iniciativës kroate dhe partive shqiptare; Alternativës Shqiptare, Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Partisë Demokratike dhe Forcës. Nga PDS deklaruan se kanë rënë dakord për veprim të përbashkët për të ruajtur vlerat themelore të Malit të Zi. “Duke u nisur nga rezultatet e arritura në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 30 gusht, në takim unanimisht u dakordua për veprimin e përbashkët të këtyre partive për aleancë evropiane, qytetare e antifashiste të Malit të Zi, e cila do t’i kushtohet ruajtjes së arritjeve dhe vlerave themelore, me të cilat Mali i Zi njihet sot, dhe të kontribuojë në zhvillimin demokratik dhe ekonomik dhe arritjen e cilësisë evropiane të qytetarëve”, deklaruan nga PDS-ja. Rikujtojmë se Partia Demokratike e Socialistëve ka fituar 30 mandate dhe së bashku me partnerët aktualë ka 38 mandate. Partia Social Demokrate si ish-partner i partisë në pushtet e cila ka fituar 2 mandate, ende nuk është deklaruar se cilit bllok do ti bashkohet. Në anën tjetër tre koalicionet opozitare së bashku kanë 41 mandate, me çka kanë shumicën dhe pritet se do të formojnë qeverinë e re, me të cilën pas 30 vitesh do të dërgojnë Partinë Demokratike të Socialistëve në opozitë.

Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve sulmohet me gurë objekti i Bashkësisë Islame në Plevle 

Pas zgjedhjeve të 30 gushtit, gjatë festimeve të mbështetësve të opozitës në Mal të Zi, u shënuan disa incidente, veçmas në veri të Malit të Zi në qytete të banuara me shumicë myslimane. Persona ende të panjohur kanë hedhur gurë në lokalet e Bashkësisë Islame në Plevle, dhe përmes xhamit të thyer kanë futur një mesazh, në të cilin shkruhen fjalë fyese dhe kërcënuese ndaj myslimanëve atje. E nxitur nga kjo situatë Ambasadorja e Turqisë në Podgoricë, Znj. Songül Ozan ka vizituar Bashkësinë Islame në Mal të Zi, ku në një takim me Reisin e Bashkësisë Islame Rifat Fejziq kanë shprehur brengosje për sigurinë e boshnjakëve, shqiptarëve dhe pakicave të tjera. Znj. Ozan ka shprehur besimin se Mali i Zi është mjaft i hapur që të pranojë të gjithë qytetarët pavarësisht nga përkatësia etnike dhe fetare. Sipas znj. Ozan, Mali i Zi dhe Turqia janë partnerë të sinqertë dhe kështu do të vazhdojnë të jenë edhe në të ardhmen.

Letër Përkrahje nga Reisi i Turqisë për Bashkësinë Islame dhe myslimanët në Mal të Zi 

Pas ngjarjeve të ndodhura në Plevle, përkrahje Bashkësisë Islame i ka ardhur përmes një letre nga Reisi i Bashkësisë Islame të Turqisë prof. dr. Ali Erbash, i cili shkruan se me keqardhje të madhe ka marrë lajmin se disa grupe ekstremiste kanë bërë presion ndaj motrave dhe vëllezërve myslimanë në Mal të Zi dhe se në Plevle po ndodhin sulme me retorikë raciste, ku si cak është komuniteti mysliman. Pavarësisht se ku ndodhen, për cilën arsye dhe nga kush, çdo sulm ndaj objekteve tona, ndaj myslimanëve dhe popujve të tjerë për ne janë të papranueshme. Vepra të tilla të nxitura nga islamofobia dhe racizmi kanë si qëllim dhe punojnë kundër ardhmërisë së njerëzimit dhe shpresës për jetë të përbashkët në paqe. Bashkësia Islame dhe populli i Turqisë do të jetë përherë me ju, thuhet në letrën e Kryetarit të Bashkësisë Islame të Turqisë Ali Erbash.

Partitë shqiptare në Mal të Zi ende pa ndonjë pozicionim rreth shumicës parlamentare

Ende pa ndonjë pozicionim edhe për partitë shqiptare në Mal të Zi, të cilat me dy koalicione zgjedhore fituan dy deputetë në parlamentin e ardhshëm. Shqiptarët nuk duan dhe nuk mund të jenë thjesht një zbukurim në kurorën e askujt, ka thënë bartësi i listës shqiptare, Nik Gjeloshaj. “Vetëm shqiptarët vendosin për shqiptarët, do të thotë, përfaqësuesit e tyre nga partitë shqiptare”, ka thënë ai. I pyetur nëse do ta pranonte ofertën për të shkuar me shumicën e re, Gjeloshaj u përgjigj se nuk kishte ende një ftesë zyrtare për të hyrë në pushtet. “Në çdo rast, ne nuk duam dhe nuk mund të jemi thjesht një zbukurim në kurorën e dikujt, i cili do të “provonte” strukturën pro-evropiane të një mazhorance”. Ai ka thënë se mendon se votuesit e tyre nuk do të ishin shumë të kënaqur me një vendim të tillë. “Sidoqoftë, nëse opozita aktuale bën një marrëveshje dhe ne marrim një ftesë, vendimi do të merret nga i gjithë koalicioni”, tha shtuar Gjeloshaj. Ai theksoi se shqiptarët duan marrëdhënie të mira me të gjitha kombësitë në Mal të Zi, se njerëzit janë të ndarë në njerëz dhe jo-njerëz, por, siç deklaroi ai, parimet politike janë të tilla që nuk ka kompromis rreth tyre. Duke folur për rezultatin e zgjedhjeve të fundit, ai tha se për shqiptarët, këto zgjedhje ishin më të suksesshme se në vitin 2016. “Numri i mandateve është rritur me një, në vend të një deputeti të mëparshëm, ne do të përfaqësohemi me dy, ne kemi arritur një numër shumë më të lartë të votave, dhe sa i përket ”gjerësisë“ ne jemi më mirë në terren. Deputetët tanë tani kanë mbështetjen e madhe të të gjithë kombit shqiptar”,- deklaroi Gjeloshaj.

Për Zërin e Turqisë nga Mal i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme