Hoti i kënaqur me koordinimin BE-ShBA për marrëveshjen me Serbinë

“Jam shumë i kënaqur që po shoh koordinim të plotë në mes të BE-së dhe SHBA-së lidhur me marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

1486462
Hoti i kënaqur me koordinimin BE-ShBA për marrëveshjen me Serbinë
Kosova-Sırbistan anlaşma_Beyaz Saray.jpg

Hoti i kënaqur me koordinimin BE-ShBA për marrëveshjen me Serbinë

Kryeministri Avdullah Hoti bashkë me pjesëtarë të tjerë të delegacionit kanë takuar të dielën Emisarin Special të Bashkimit Evropian  për dialog në mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe zv/ndihmës Sekretarin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Matthew Palmer. Hoti tha se bashkë me ta diskutuan për zhvillimet në dialog deri më tani dhe takimin e të hënës të nivelit të lartë, mes tij dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Jam shume i kënaqur që po shoh koordinim të plotë në mes të BE-së dhe ShBA-se lidhur me marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shtoi Hoti.

Kryeministri Hoti, ka thënë se të hënën takohet me palën serbe për të dialoguar marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në një postim në Facebook, Hoti ka shkruar se “Marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke. Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë”.

*

Kryeministri Hoti e vlerëson historike marrëveshjen në Uashington

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka quajtur historike nënshkrimin e marrëveshjes në Uashington  me praninë e presidentit amerikan Donald Trump. Marrëveshje me Trump me një ndryshim të vogël ka nënshkruar në të njëjtën ditë edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

“Një marrëveshje që është një hap i madh drejt normalizimit të plotë të Kosovës dhe Serbisë të cilat do të normalizohen me njohje reciproke midis të dyja vendeve. Një marrëveshje historike në kuptimin e rëndësisë që ka si hap drejt marrëveshjes finale, e nënshkruar nga Shtëpia e Bardhë, nga e cila kanë ardhur vetëm lajme të mira për Kosovën”, tha Hoti.

Hoti theksoi se janë dy pika kryesore të marrëveshjes të nënshkruar midis të dyja palëve në Shtëpinë e Bardhë: projektet e mëdha infrastrukturore dhe njohja reciproke me Izraelin.

“Pjesa e parë e marrëveshjes për projektet e mëdha infrastrukturore përfshin autostradën dhe hekurudhën Prishtinë-Merdarë, studimin e fizibilitetit për hekurudhë që lidh Prishtinën me Detin Adriatik dhe mbështetje të mëdha për ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Gjithashtu investime në energjetikë përmes sjelljes së gazit në Prishtinë dhe ndërtimit të termocentralit në vend dhe rrjetit shpërndarës të gazit në Kosovë. Të gjitha këto marrëveshje kapin shumën mbi 1 miliardë euro, financa të ofruara në dispozicion nga MCC dhe nga Banka Eksport-Import e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka zotim të qartë të presidentit Trump se që gjitha këto projekte të fillojnë së zbatuari brenda një viti”, tha Hoti.

Elementi i dytë i marrëveshjes, siç tha Hoti, është njohja e ndërsjellë me shtetin e Izraelit, për të cilën tha se ka kryer një telefonatë me kryeministrin Netanjahu në prezencë të presidentit Trump duke falënderuar atë për gatishmërinë për shtetin e Izraelit për ta njohur Kosovën, me të cilin është dakorduar që menjëherë të vendosen marrëdhënie diplomatike mes dyja vendeve.

“Sapo të kthehemi në Prishtinë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme që sa më parë Kosova të ketë ambasadën e staf diplomatik të plotë në shtetin e Izraelit”, tha Hoti.

Përpos këtyre dy pikave kryesore të marrëveshjes, Hoti tha se ka edhe pika të tjera, siç është funksionalizimi i pikës kufitare në Merdarë ku do të vendoset i gjithë stafi doganor dhe policor i Kosovës dhe Serbisë; gatishmëria kosovare që të hyjë në mini-schengen; njohja e diplomave dhe certifikatave nga të dyja vendet; është arritur pajtim që gjithashtu të bëhet studim fizibiliteti për Liqenin e Ujmanit (për mënyrën se si do të përdoret uji i këtij liqeni në të ardhmen).

Në fund, Hoti tha se u është kërkuar që për një vit Kosova të pauzojë në anëtarësim në organizata ndërkombëtare (përjashtim bëjnë njohjet e reja); ndërkaq, Serbia është obliguar që të stopojë çfarëdo kampanje kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja të shtetësisë.

*

Thaçi përshëndet arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi në Uashington

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Washington. Thaçi nëpërmjet një komunikate për media, tha se “zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, rritja e mirëqenies sociale për qytetarët, projektet infrastrukturore me kapital të madh, linjat ajrore, hekurudhore e autostradat, kanë qenë gjithmonë prioritet i shtetit të Kosovës, njësoj sikur edhe nevoja për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe kthimi individual i të gjithë të zhvendosurve në shtëpitë dhe pronat e tyre”.

“Shpreh konsideratën më të lartë për lidershipin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentin Trump, që arriti të materializojë përpjekjen për të arritur mirëkuptim mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë për të mirën e paqes, zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes euroatlantike”, shkroi Thaçi, duke falënderuar edhe Emisarin Special, Ambasadorin Richard Grenell, “për angazhimin e tij gjigant që ky proces të jetë produktiv, efikas dhe besoj edhe i implementueshëm”.

“Kosova beson në lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në vizionin e Washingtonit, pasi gjatë gjithë historisë së Kosovës kjo i ka sjellë vetëm përfitime, si çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, themelimin e ushtrisë që do të përfundojë me integrimin në NATO, si dhe tash edhe zhvillim ekonomik”, shtoi presidenti kosovar.

“Miqësia mes Kosovës dhe SHBA-së është e përjetshme”, përfundoi Thaçi.

*

Grenell kritikon ish-administratën Clinton 

I dërguari special i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka dalë me një reagim ndaj Joe Lockhart, ish-zëdhënësit të ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, rreth marrëveshjes që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Lockhart i replikoi Grenellit në një cicërimë në Twitter në të cilën i kishte kritikuar mediat amerikane që nuk kishin raportuar shumë për marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator. “Kjo sepse të gjithë ju keni keqinterpretuar dhe askush nuk ju beson”, ka shkruar Lockhart në Tëitter. Pas kësaj Grenell reagoi duke thënë se zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë i Bill Clinton, Lockhart, është i mërzitur që Kosova dhe Serbia ranë dakord për normalizimin ekonomik. “Ai qartazi dëshiron konflikt të vazhdueshëm. Pse ata kaq gjatë u injoruan nga Uashingtoni?. Administrata Trump do të vazhdojë ta ketë Serbinë dhe Kosovën në top prioritet”, ka shkruar Grenell.

*

Ischinger ka vërejtje për marrëveshjen në Uashington, Grenell e kritikon për mosliberalizim të vizave

Diplomati gjerman, Uolfgang Ischinger ka pasur vërejtje për marrëveshjet e arritura në Shtëpinë e Bardhë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ischinger, lavdëroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për interesimin në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, por duke theksuar se në Uashington nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje mes palëve pasi, sipas tij, të dyja vendet nuk e njohin ende njëra-tjetrën, për çka Ischinger shtoi se mbetet ende shumë punë për të bërë nga Bashkimi Europian. E nëpërmjet një cicërime në Twitter, Richard Grenell, emisar i ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi i ka kujtuar Ischingerit premtimin për liberalizim vizash për Kosovën. “Në vend se të ankoheni, pse nuk i jepni popullit të Kosovës liberalizimin e vizave, gjë të cilën ju e keni premtuar me vite’, shkroi Grenell.

*

Ambasada turke në Prishtinë kundërshton hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem 

Ambasada turke në Prishtinë, sipas një njoftimi të bërë në rrjetin social Facebook, thotë se Turqia ka kundërshtuar hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Nga postimet në mediat sociale të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryeministrit Hoti dhe ministres të Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla është kuptuar se përveç njohjes reciproke të Kosovës dhe Izraelit, një angazhim është bërë edhe nga Kosova për të hapur një Ambasadë në Jerusalem. Është zhgënjyese që një hap i tillë, i cili do të përbënte një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare madje të merret në konsideratë nga autoritetet e Kosovës”, thuhet në postimin e bërë nga ambasada Turke në Prishtinë.

Turqia, thuhet më tutje në njoftim, si një nga vendet e para që njohu Kosovën, gjithashtu që ka siguruar një mbështetje të madhe për përpjekjet drejt njohjes ndërkombëtare të këtij vendi që nga fillimi, nuk e sheh të drejtë që ky proces të ndërtohet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit palestinez, territoret e të cilit janë nën okupim.

“Është theksuar vazhdimisht nga rezoluta të ndryshme të OKB-së që konflikti palestinez mund të zgjidhet vetëm përmes krijimit të një shteti të pavarur, sovran dhe të afërt të Palestinës bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Jerusalemin Lindor si kryeqytet”, thuhet në njoftim.

Reagime kundërshtuese rreth kësaj çështjeje ka pasur edhe nga Liga Arabe si dhe Palestina.

*

S’ka më pritje për Rezonancën Magnetike

Ushtruesi i Drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka njoftuar se nga nesër pacientët nuk do të presin më për kryerjen e Rezonancës Magnetike. “Edhe përkundër fokusit në pandeminë COVID-19, me angazhimin menaxherial dhe profesional të stafit të Radiologjisë është arritur të eliminohet në tërësi lista e pritjes”, është shprehur ai shkurt përmes Facebook. 

Në të kaluarën pritjet e qytetarëve të Kosovës për të bërë një Rezonancë Magnetike kanë qenë me muaj të tërë.

*

Kosova vazhdon me rezultate zhgënjyese 

Kombëtarja e Kosovës në futboll ka pësuar humbje në Prishtinë ndaj Greqisë me rezultat 2-1, në kuadër të Ligës C, të Ligës së Kombeve. Golin e vetëm për Kosovën e shënoi Bernard Berisha në minutën e 82, për rezultatin përfundimtar. Në ndeshjen tjetër të këtij Grupi 3, Sllovenia si vendase e mposhti Moldavinë 1:0. Pas dy xhirove të para, Greqia e Sllovenia kryesojnë grupin me nga 4 pikë, Kosova e Moldavia kanë nga 1 pikë.  



Lajme të ngjashme