Mali i Zi, PDS humb zgjedhjet pas 30 vitesh në pushtet

Opozita e tubuar rreth tre koalicioneve me bindje të ndryshme partiake, fiton zgjedhjet e 30 gushtit dhe nis bisedimet për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi.

1483713
Mali i Zi, PDS humb zgjedhjet pas 30 vitesh në pushtet
Karadağ genel seçimler_2.jpg
Karadağ genel seçimler_3.jpg
Karadağ_seçim sonra protestolar.jpg

Opozita fiton zgjedhjet në Mal të Zi

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KShZ) në Mal të Zi njoftoi të hënën rezultatet e zgjedhjeve, sipas të cilave, Partia Demokratike e Socialistëve, e udhëhequr nga presidenti Millo Gjukanoviq, ka fituar 35,12 për qind të votave, ndërsa koalicioni opozitar "Për ardhmërinë e Malit të Zi" 32,63 për qind të votave. Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën të dielën, me një pjesëmarrje prej më shumë se 75% të qytetarëve. Sipas rezultateve të KShZ-së, koalicioni “Paqja është kombi ynë” ka siguruar 12,55 për qind të votave, “E zeza në të bardhë”, 5,55, Socialdemokratët 4,08, Partia e Boshnjakëve 3,81, Partia Social-Demokrate 3,13, Lista Shqiptare 1,61 dhe koalicioni shqiptar “Bashkë nji za” 1,15. Nisma Qytetare Kroate dhe Partia Kroate e Reformës nuk e kanë kaluar pragun për t’u bërë pjesë e parlamentit. Pas gati tri dekadash në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve në Mal të Zi, e cila udhëhiqet nga presidenti pro-perëndimor, Millo Gjukanoviq humbet zgjedhjet me një diferencë të ngushtë me bllokun opozitar të përbërë nga tre koalicione. Tri koalicionet e opozitës fituan më shumë se gjysmën e vendeve në përbërjen e ardhshme të parlamentit të Malit të Zi. Nga 81 vende në parlament, Partia Demokratike e Socialistëve e drejtuar nga Millo Gjukanoviq fitoi 40 vende me partitë e pakicave dhe partnerët tradicionalë, ndërsa tre parti të opozitës fituan 41 vende.

Zgjedhjet u mbajtën në një atmosferë demokratike dhe pa incidente 

Në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën të dielën, të drejtë vote kanë pasur 540.026 qytetarë. Zgjedhjet janë vëzhguar nga 2.089 vëzhgues, nga të cilët 265 kanë qenë të huaj. Shefi i misionit vëzhgues në Mal të Zi, Gianluca Passarelli ka thënë se zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi mbahen në një kohë vendimtare për këtë vend dhe se trazirat politike dhe sociale, kriza ekonomike dhe pandemia paraqesin një sfidë të madhe për të gjithë sistemin. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, fushata parazgjedhore është zhvilluar kryesisht në mediat online dhe në rrjetet sociale. Në përputhje me urdhrat e Këshillit Nacional Koordiues, në tubimet partiake kanë mundur të mblidhen deri në 100 persona jashtë dhe 50 brenda. Temë mbizotëruese e fushatës ka qenë Ligji për Lirinë e Fesë, për të cilin shteti dhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi kanë mosmarrëveshje të ashpra. Ligji, i cili është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi më 27 dhjetor 2019, dhe me incidente të deputetëve të Frontit Demokratik, për Kishën Ortodokse Serbe paraqet përpjekje për të rrëmbyer pronën e saj. Ligji përcakton që e gjithë prona e Kishës, e krijuar para vitit 1918 në Mal të Zi, për të cilën Kisha Ortodokse Serbe nuk ka prova të origjinës, t’i transferohet shtetit. Përveç organizimit të protestave për muaj të tërë në të gjithë Malin e Zi, Kisha Ortodokse Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të votojnë kundër Qeverisë aktuale, e cila ka miratuar ligjin. Në liturgjitë e kishave, të mbajtura gjatë fushatës zgjedhore - përkundër ndalesës së tubimeve për shkak të pandemisë - kanë dominuar simbolet kombëtare serbe dhe mesazhe politike kundër Gjukanoviqit dhe Qeverisë aktuale.

Takohen liderët e tre koalicioneve fituese në Mal të Zi 

Udhëheqësit e koalicioneve opozitare në Mal të Zi kanë zhvilluar të hënën një takim, gjatë së cilit thanë se kanë arritur pajtim për parimet mbi të cilat do të punojë qeveria e ardhshme. Takimi u zhvillua ndërmjet koalicioneve opozitare "Për ardhmërinë e Malit të Zi", “Paqja është kombi ynë”, dhe “E zeza në të bardhë”, që drejtohen nga politikanët, Zdravko Krivokapiq, Aleksa Beçiq dhe Dritan Abazoviq, të cilët fituan shumicën në parlamentin malazez. Sipas opozitës, parimi i parë për të cilin është rënë dakord është se "qeveria e re, demokratike do të zbatojë me përgjegjësi të gjitha detyrimet ndërkombëtare". Së dyti, që qeveria e re do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që Mali i Zi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur. Së treti, që qeveria e re do të jetë e përbërë prej ekspertëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, kombëtare e të tjera. "Qeveria e re do të angazhohet plotësisht në respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin e ligjit, përmes rishikimit të të gjitha ligjeve dhe akteve nënligjore diskriminuese, përfshirë Ligjin për Liritë e Fetare", thuhet në deklaratë. Udhëheqësi i koalicionit zgjedhor “E zeza në të bardhë” në Mal të Zi, Dritan Abazoviq, tha se nuk ka kompromis me interesat kombëtare të Malit të Zi dhe se ky vend mund të zhvillohet vetëm si shtet qytetar, i orientuar për t'u bërë anëtar i Bashkimit Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur. Abazoviq tha në një konferencë për media në Podgoricë se statusi i anëtarit në NATO dhe pavarësia e Malit të Zi janë çështje të padiskutueshme. “Nga këto postulate nuk do të lëvizet asnjë milimetër. Kush nuk e do një shtet të tillë, nuk mund të jetë partner i koalicionit ‘E zeza në të bardhë’. Mali i Zi nuk do të bëhet kurrë Sparta Serbe, as krahinë e Shqipërisë së Madhe, as e Serbisë së Madhe, as e ndonjë shteti tjetër", tha Abazoviq - i cili është shqiptar - dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi. Ndërkaq Fronti Demokratik, një nga anëtarët e koalicionit opozitar “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, që, sipas rezultateve, ka fituar shumicën e mandateve, e ka kundërshtuar fuqishëm anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka thënë se do ta rishikojë këtë çështje kur të marrë pushtetin.

Opozita malazeze anulon festimet për shkak të rrezikut të dhunës 

Udhëheqësit e opozitës në Mal të Zi u bënë thirrje mbështetësve të tyre të ndalin festimet dhe të mos dalin në rrugë. Policia malazeze njoftoi se të hënën në mbrëmje ka identifikuar të paktën njëmbëdhjetë ngjarje me elemente të dhunës, derisa koalicionet opozitare po festonin rezultatin e shënuar në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi që u mbajtën më 30 gusht. Udhëheqësit e koalicioneve opozitare: "Për ardhmërinë e Malit të Zi", “Paqja është kombi ynë”, dhe “E zeza në të bardhë”, që drejtohen nga politikanët, Zdravko Krivokapiq, Aleksa Beçiq dhe Dritan Abazoviq, dënuan incidentet dhe shprehën dyshimin se mbështetës të ish-qeverisë malazeze ose shërbimit sekret ishin prapa incidenteve të caktuara.

Dy koalicionet shqiptare fitojnë dy deputetë në parlamentin e ardhshëm të Malit të Zi 

Në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit shqiptarët garuan të ndarë në dy lista dhe fituan 2 mandate në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Mali të Zi. Krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, listat shqiptare shënuan rritje. Në zgjedhjet e 2016 shqiptarët garuan në katër lista dhe në nivelin republikan së bashku kishin fituar gjithsej 9.790 vota, ndërsa ne zgjedhjet e 30 gushtit dy listat së bashku fituan 11.163 vota. Mirëpo lind pyetja a do të shkojnë t’i bashkohen partitë shqiptare shumicës së re parlamentare. Kjo është një sfidë për shqiptarët, ka thënë ish-nënkryetari i parlamentit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu njëherësh dhe kryesuesi i koalicionit “Lista shqiptare”. Sipas tij, shumë brenda subjekteve politike që kanë fituar zgjedhjet e 30 gushtit, janë shprehur me deklarata anti-shqiptare, anti-Kosovës, kanë thënë se hapi i parë i tyre do të jetë tërheqja e njohjes së Kosovës. Megjithatë, ky nuk pritet të jetë debati në ditët e ardhshme. Deklaratat e para të tyre [pas zgjedhjeve] së paku ishin deklarata qetësuese, që bënin thirrje për bashkëpunim. Madje, disa udhëheqës të këtyre partive kanë thënë se do t’i ftojnë edhe partitë e pakicave në qeverinë e re të Malit të Zi.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme