Hyrja e ushtrisë serbe në veri të Kosovës, shkakton reagime të shumta në vend

Zyrtarët e KFOR-it kanë sqaruar se ushtarët serbë kanë qenë në një patrullim të përbashkët me ushtarët ndërkombëtar në kuadër të KFOR-it.

1470447
Hyrja e ushtrisë serbe në veri të Kosovës, shkakton reagime të shumta në vend
Sırp askerleri Kosova_Karaçeve devriye_tepkiler.jpeg
Kosova_korona_genel.jpg
Vjosa Osmani_Mustafa Şentop.jpg
AVDULAH_HOTI_KOSOVA_BASBAKANI.jpg

Hyrja e ushtrisë serbe në veri të Kosovës, shkakton reagime të shumta në vend

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 8 gusht pas raportimit nëpër media kosovare më 7 gusht, se në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës kanë hyrë forcat serbe, ky mision tha se së bashku me forcat serbe kanë zhvilluar "një patrullë të sinkronizuar përgjatë vijës kufitare administrative, në afërsi të fshatit Hodonoc".

“Që nga viti 2008, patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore së bashku nga KFOR-i dhe Forcat e Armatosura serbe përgjatë Vijës Kufitare Administrative për të ofruar siguri dhe për t’u siguruar që nuk ka aksidente. Në këtë drejtim, KFOR-i gjithashtu zhvillon patrulla të përbashkëta me Organizatat e Sigurisë së Kosovës në afërsi të Vijës Kufitare Administrative”, thuhet në një njoftim të KFOR-it.

Vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është rreth 350 kilometra.

*

Hoti thotë se për rastin në Karaçevë do të veprojnë sipas Kushtetutës 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti thotë se organet përgjegjëse janë duke hartuar një raport lidhur me ngjarjen që ndodhi të premten, më 7 gusht, ku u raportua se xhandarmëria serbe hyri në territorin e Kosovës, përkatësisht në Komunën e Kamenicës.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se qytetarët e kësaj ane nuk do të mbeten pa mbrojtjen e institucioneve të Kosovës.

"Veprimet tona do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend",- ka shkruar Hoti.

*

Ministri Veliu thotë se ushtria serbe ka qenë bashkë me KFOR-in

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu, ka deklaruar se gjatë një takimi me komandantin e KFOR-it, gjeneralimajorin Michele Risi, është njoftuar se hyrja e forcave të xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët i këtyre forcave me pjesëtarët e KFOR-it. Ai ka shtuar se e mirëpret faktin se në të kaluarën janë organizuar patrullime të përbashkëta të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, "duke kërkuar njëkohësisht që patrullimet e tilla të rifillojnë edhe në këtë pjesë të Kosovës, iniciativë e cila u mirëprit edhe nga ana e gjeneralit Risi, i cili tha se janë të gatshëm ta asistojnë Policinë e Kosovës dhe të rifillojnë aktivitetet e tilla". Sipas Veliut, palët janë pajtuar që të takohen dhe të diskutojnë mbi modalitetet për rifillimin e patrullimeve të përbashkëta e të sinkronizuara përgjatë vijës kufitare me Serbinë.

*

Haradinaj – Stublla: Patrullimi në Karaçevë, i paautorizuar 

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla thotë se ngjarja e 7 gushtit në Karaçevë nuk rezulton të jetë patrullim i sinkronizuar, por patrullim I përbashkët mes Kfor-it dhe Serbisë. Sipas saj, për këtë gjë askush nuk ka mandat e as autorizim. Në një postim në rrjetin social Facebook, ajo ka sqaruar se patrullimi i sinkronizuar nënkupton që secila forcë ushtarake vepron brenda territorit të vet dhe nuk e kalon kufirin.

“Ngjarja e 7 gushtit në Karaçevë nuk rezulton të jetë patrullim i sinkronizuar, por patrullim i përbashkët me Serbinë, për të cilin nuk ka askush mandat e as autorizim. Popullit të shqetësuar duhet t’i sqarohet se a e ka shkelur Serbia marrëveshjen me NATO-n që ka hyrë 300 metra brenda territorit të Kosovës, apo këtë e ka bërë me aprovimin paraprak!”, ka shkruar Stublla në Facebook.

Ministrja Stublla-Haradinaj, që vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shton se mekanizmat e sigurisë në asnjë mënyrë nuk do të duhej të lejojnë, e aq më pak të lehtësojnë patrullime të tilla në territorin e Republikës së Kosovës, që sipas saj shkaktojnë shqetësime dhe pasiguri te qytetarët e asaj ane.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

*

Kryeministri Hoti thotë se hapja e shkollave varet nga situata epidemiologjike

Ministria e Arsimit dhe Shkencës si dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë po përgatisin udhëzuesin për mënyrën e organizimit të vitit të ri shkollor nga 1 shtatori, ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Në një postim në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se po studiohen përvojat e vendeve të tjera.

Sipas tij, po ashtu janë duke shqyrtuar edhe platformat e ndryshme të ndihmesës për stafin mësimdhënës dhe nxënësit, sidomos në organizimin më të mirë të punës praktike në arsimin e mesëm profesional.

Megjithatë, Hoti tha se vendimi final për hapjen e shkollave do të ndikohet nga gjendja epidemiologjike.

"Në procesin e vendimmarrjes do të përfshihen plotësisht komunat, të cilat do të kenë përgjegjësi që të zbatojnë udhëzimet. Gjatë javës që vjen, do të jemi në kontakt me kryetarët e komunave dhe drejtorët për arsim, për të diskutuar modalitetet e mundshme të fillimit të vitit shkollor”, ka shkruar Hoti.

*

Raste të shumta me Covid 19 në Kosovë 

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), të dielën njoftoi se 12 pacientë kanë vdekur dhe janë regjistruar 188 raste të reja me COVID-19. Shifrat e rasteve të reja dalin pas testimit të 462 mostrave. Instituti njofton se janë shëruar edhe 142 persona. Raste aktive janë 3.976. Prishtina prin me më së shumti raste, përkatësisht në kryeqytet janë regjistruar 28 raste të reja.

*

Ndërkombëtarët të brengosur lidhur me projektligjin për UÇK-në

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se Projektligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, I cili është shqyrtuar nga Kuvendi i Kosovës të premten, rrezikon të minojë lirinë e shprehjes.

“Penalizimi i kritikës ndaj çfarëdo grupi apo individi është hap i rrezikshëm, edhe nëse nuk është me atë qëllim, drejt autoritarizmit. Ka vende që, për shembull, penalizojnë kritikën ndaj një presidenti në detyrë ose ndaj prijësve të tjerë politikë - shprehje që është pjesë e diskursit të përditshëm të gjallë në Kosovë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në demokracitë e tjera”, ka thënë ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett përmes një deklarate.

Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë “kundër UÇK-së”, dhe përkundrazi e kuptojnë se sot “Kosova nuk do të ishte shtet i pavarur pa përpjekjet e UÇK-së dhe organizatave të tjera rezistuese”.

“Ligji i propozuar, gjithashtu, do të mund të minonte përpjekjet për të siguruar drejtësi. Dëshmitarët, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre, do të pyesnin se a do të mund të dënoheshin për shkak të dëshmisë për krimet e supozuara të individëve të asociuar me UÇK-në, madje edhe nëse ata individë janë akuzuar se kanë vepruar të vetëm, e jo në emër të grupit”, ka deklaruar Kosnett.

Për më tepër, sipas ambasadorit Konsett, Kosova tashmë ka ligje kundër shpifjeve dhe fyerjeve. Këto ligje ekzistuese, sipas tij, duhet të aplikohen nëse njerëzit bëjnë pohime të rrejshme, të vërtetueshme, kundër veteranëve të UÇK-së.
Më 6 gusht, edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde, ka dalur kundër projekligjit në fjalë.

“Unë ndaj vlerësimin e kolegut tim amerikan. Rrallë herë në një shoqëri demokratike është ide e mirë të përpiqeni të ngufatni diskutimet duke i kufizuar ato përmes ligjit penal”, ka shkruar ambasadori gjerman në Tëitter.

Ndërkaq, edhe Zvicra është e shqetësuar se Ligji i propozuar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së mund të dëmtojë lirinë e shprehjes.

Kuvendi i Kosovës ka nisur të premten shqyrtimin e Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas propozimit që i është bërë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Megjithatë projektligji nuk është vënë për votim, për shkak të mungesës së kuorumit. Seanca e radhës e Kuvendit pritet të mbahet të enjten e kësaj jave.

*

Kuvendi miraton në lexim të parë projektligjin kundër koronavirusit 

Kuvendi i Kosovës ka miratuar të premten në lexim të parë projektligjin që ka të bëjë me pandeminë e koronavirusit, i cili është propozuar nga gjashtë deputetë, në krye me Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Për këtë projektligj kanë votuar 77 deputetë, 1 ka qenë kundër dhe 1 tjetër ka abestenuar. Përgjatë kësaj seance është përkrahur edhe propozimi i Komisionit të Shëndetësisë që leximi i dytë i këtij ligji të bëhet të premten e javës së ardhshme. Kryetarja Osmani, si propozuese e projektligjit, ka thënë se ky dokument ka për qëllim të mbrojë shëndetin e qytetarëve në Kosovë dhe që, siç tha ajo, autoritetet përkatëse të ndërmarrin masat e duhura në parandalimin e sëmundjes, COVID-19, në përputhje edhe me ligjet e tjera dhe Kushtetutën e Kosovës.

*

Kryeparlamentarët e Kosovës dhe Turqisë zhvilluan bisedë telefonike

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një bisedë telefonike me Kryetarin e Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop. Në njoftimin e Kuvendit të Kosovës bëhet e ditur se gjatë bisedës telefonike është diskutuar për bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, në veçanti për bashkëpunimin parlamentar. Osmani e falenderoi Turqinë për përkrahjen e dhënë Kosovës gjatë pandemisë së koronavirusit, duke dhuruar donacione me material mbrojtës në kohën kur Kosova sfidohet me situatë të rënduar në ballafaqimin me këtë virus.

"Kryetari Şentop, ndërkaq, theksoi se kanë gatishmëri që t’u përgjigjen edhe kërkesave të tjera të Kosovës, qoftë për pajisje mbrojtëse, qoftë për mjekim të pacientëve", thuhet gjithashtu në njoftim.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

"Kryetari Şentop theksoi se dialogun e vlerësojnë si çështje të rëndësishme, ndërkaq kryetarja e Kuvendit theksoi se ky proces duhet të përfundojë me njohje të shtetit të Kosovës nga Serbia, në kufijtë aktualë të Kosovës dhe duke respektuar parimin e unitaritetit të shtetit", theksohet në njoftim.

Të dy kryetarët u pajtuan për intensifikim të mëtejmë të bashkëpunimit ndërparlamentar.

*

Filloi Dokufest, edicioni i 19-të 

Në Prizren ka filluar edicioni i 19-të i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër DokuFest, por për herë të parë do të mbahet në formatin dixhital për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri. Këtë vit, festivali I hapur më 07 gusht, do të jetë i hapur deri më 25 gusht. Audienca do të ketë mundësi të ndjek rreth 150 filma nga 51 vende, nga të cilat rreth 90 do të garojnë në 8 kategori të konkursit.  Të frymëzuar nga rock grupi britanik "Joy Division" dhe një nga këngët e tyre, tema e festivalit të këtij viti është "Transformimi", që do të "ndriçojë tranzicionin që ne përjetojmë në shoqëri në shumë mënyra”. Të gjithë ata që duan të ndjekin festivalin duhet të regjistrohen në faqen e internetit të festivalit "online.dokufest.com".



Lajme të ngjashme