Shqipëria solidarizohet me Libanin

Krerët e lartë të shtetit shqiptar, kanë reaguar në lidhje me shpërthimin në Bejrut, duke shprehur solidaritet me popullin e Libanit.

1468178
Shqipëria solidarizohet me Libanin
Beyrut-ta patlama_dayanışma.jpg
Arnavutluk Cumhurbaşkanı_Lübnan patlaması_dayanışma mesajı.jpg
Arnavutluk_Ilir Meta_Baba Mondi_bayramlaşma_2.jpeg
Ilir Meta_Türkiye askeri işbirliği anlaşmasını imzaladı.jpg
Arnavutluk_Kurban_ALSAR_1.jpg
Arnavutluk_Kurban_ALSAR_5.jpg
Arnavutluk_Kurban_İstanbul Derneği_3.jpeg
Dünya Bankası_Arnavutluk yardım_korona2.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (32/2020)

-Shqipëria solidarizohet me Libanin

Krerët e lartë të shtetit shqiptar, kanë reaguar në lidhje me shpërthimin në Bejrut, duke shprehur solidaritet me popullin e Libanit.

Presidenti Ilir  Meta ka ngushëlluar popullin e Libanit pas shpërthimit të ndodhur këtë të martë, ku u plagosën me qindra njerëz si dhe mbi 100 të vdekur.

“Mendimet dhe lutjet e mia janë me familjet e viktimave dhe të lënduarit nga shpërthimi tragjik në Bejrut! Solidarizim me popullin e Libanit, shprehet Meta.

Ndërsa, kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin ndaj popullit libanez, pas shpërthimit të ndodhur në Bejrut.

“Çfarë lëndimi e trishtimi! Vdekje, plagosje, shkatërrim që le pa frymë e pa fjalë! Ngushëllime e solidaritet me popullin e Libanit”, shprehet Rama.

***

-Presidenti Meta: "Turqia vullnet për mbështetjen e marrëdhënieve të qëndrueshme me Shqipërinë"

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekretuar ligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak ndërmjet Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë".

Sipas njoftimit nga Presidenca, kjo marrëveshje reflekton vullnetin e vazhdueshëm disavjeçar të Republikës së Turqisë për mbështetjen e marrëdhënieve të qëndrueshme me Republikën e Shqipërisë, përmes kontributeve të drejtpërdrejta për Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, jepet kontribut financiar për blerjen e shërbimeve dhe mallrave për qëllime ushtarake, duke ndikuar në rritjen e mëtejshme të ndërveprueshmërisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. 

Sipas parlamentit shqiptar, marrëveshja është realizuar në kuadër të bashkëpunimit dhe miqësisë me Republikën e Turqisë, si dhe me synim fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak brenda kuadrit të marrëdhënieve të qëndrueshme miqësore. 

Marrëveshja ka për qëllim të shërbejë për marrjen e financimeve në formën e grantit prej Republikës së Turqisë dhe përdorimin e tyre për blerjen e shërbimeve për qëllime ushtarake nga Shqipëria.

Kjo marrëveshje është nënshkruar mes palëve më 24 janar dhe 24 shkurt të këtij viti dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 23 korrik, ndërkohë hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Përmendim se në shkurt 2020 mes Shqipërisë dhe Turqisë është nënshkruar plani i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes për këtë vit me qëllim forcimin dhe intensifikimin e ndërveprimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

***

-Autoritete shqiptare vizitë për bajram në Selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve

Presidenti i Republikës, Ilir Meta me rastin e Festës së shenjtë të Kurban Bajramit, vizitoi në ditën e parë të Kurban Bajramit, Selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku së bashku me krerët e bashkësive fetare shqiptare katolike dhe ortodokse, uroi Kryegjyshin Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Duke u përcjellë urimet më të mira e të përzemërta të gjithë besimtarëve myslimanë e bektashianë, si dhe mbarë popullit shqiptar, kreu i Shtetit theksoi:

“Urimet më të mira për të gjithë besimtarët dhe qytetarët tanë, sepse kjo është një ditë shumë e rëndësishme vëllazërimi që na fton të bëjmë sakrifica për ta forcuar këtë solidaritet.

Falënderim për udhëheqësit tanë fetarë për mesazhet e mençura dhe harmoninë që ata e kanë mbrojtur dhe pasqyruar në mënyrë të vazhdueshme, duke bërë çdo gjë për të mbajtur qytetarët tanë të bashkuar rreth vlerave më të mira njerëzore, kombëtare, por edhe evropiane. 

Uroj që edhe politika të mësojë, të marrë këtë shembull të frymës së mirëkuptimit, të bashkëpunimit, të interesave më të mëdha qytetare.

Jam i sigurt se populli do të udhëhiqet nga kjo harmoni që frymëzojnë këta udhëheqës të nderuar, të cilët bëjnë një punë të jashtëzakonshme për të edukuar qytetarët, në veçanti fëmijët dhe të rinjtë me vlerat më të mira hyjnore, njerëzore, qytetare dhe atdhetare.

Njëkohësisht sot është një ditë e rëndësishme për t’u angazhuar të gjithë së bashku për atë qëllim madhor, që ka populli dhe vendi ynë: anëtarësimin në BashkiminEvropian dhe për të hequr sa më shpejt çdo pengesë që e frenon këtë ëndërr të jashtëzakonshme për t’u materializuar.

Kjo është e vetmja rrugë që të rinjtë të mos na ikin, por edhe ata që kanë ikur të kthehen, ashtu siç shprehu besimin e tij Papa Françesku gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë që ‘shqiponjat do të kthehen në folenë e tyre!”, ka theksuar presidenti Meta pas vizitës për Kurban Bajramin në selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë.

***

-Sakrifica, përkushtimi dhe solidariteti është mesazhi që buron gjatë festës së Kurban Bajramit

Fondacioni “ALSAR” në ndjekje të traditës së tij 14-vjeçare dhe në përmbushje të programit të tij për zhvillimin e veprimtarive humanitare në kontekstin e promovimit të vlerave të solidaritetit human dhe përkujdesjes ndaj shtresave shoqërore në nevojë, zhvilloi gjatë datave 31 Korrik - 2 gusht 2020 projektin “Kurbani; Solidaritet shoqëror ndaj njerëzve në nevojë”.

Ndër treguesit kryesorë të zbatimit të projektit të Kurbanit për vitin 2020 përmendim se përfituan ndihma në pako mishi, 6.500 familje të varfra të shtresave shoqërore më në nevojë që trajtohen me ndihmë ekonomike nga autoritetet e pushtetit lokal, me një shtrirje gjeografike në 7 njësi administrative të Shqipërisë, si dhe në Kosovë.

Zhvillimi i këtij projekti është realizuar e koordinuar në bashkëpunim të plotë me drejtuesit e autoriteteve të pushtetit lokal, referuar në marrëveshje protokollare të bashkëpunimit.

Kurorëzimi i suksesshëm i këtij projekti, është mundësuar falë kontributit të çmuar dhe ndihmës bujare të ofruar nga organizatat partnere të ALSAR: Organizatat “HASENE”, “WEFA” dhe “HILAL" me qendër në Gjermani, Shoqata “Hayrat” me qendër në Turqi, Fondacioni “IHH” me qendër në Holandë, Fondacioni “IHH” me qendër në Belgjikë, Shoqata "Ademder" me qendër në Turqi, si dhe organizata “Islamic Mission” me qendër në Britaninë e Madhe.

***

-Shoqata “Istanbul” shpërndan mishin e kurbaneve për nevojtarët

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, shoqata “Istanbul” bëri shpërndarjen e mishit të kurbaneve për shtresat më në nevojë. 

Nga 100 bagëti të trasha të therura, u shpërndanë 3500 pako mishi për individë dhe familje në nevojë në rrethet Shkodër, Tiranë, Malësi e Madhe, Mamurras, Kavajë, Lushnjë dhe Fier.

Projekti i kurbaneve u mbështet si çdo vit nga fondacioni Aziz Mahmud Hudayi, në Turqi.

I gjithë procesi i zbatimit të këtij projekti, ku përfshihet furnizimi, transporti, therja, paketimi dhe shpërndarja u realizua nën kujdesin e veçantë të kryetarit të shoqatës “Istanbul”, Ridvan Seferaj duke respektuar masat e sigurisë ndaj Covid-19.

Shoqata “Istanbul”, krahas urimit për festën e Kurban Bajramit, fton të gjithë që t’i bashkohen lutjeve të tyre drejtuar Zotit të Madhërishëm, që kohët e vështira e sfidat e mëdha që po kalon e gjithë shoqëria të përfundojnë dhe njerëzimi të ndjejë lehtësim nga vuajtjet dhe dhimbjet.

***

-Banka Botërore mbështetje Shqipërisë, miraton financimin prej 15 milionë euro në luftën ndaj koronavirusit/COVID-19

Banka Botërore miratoi një financim prej 15 milionë eurosh për Shqipërinë që të ndihmojë qeverinë të parandalojë, zbulojë dhe të reagojë ndaj pandemisë së COVID-19) si dhe të fuqizojë sistemin kombëtar të gatishmërisë së shëndetit publik. Financimi mbulon një gamë ndërhyrjesh për të fuqizuar shërbimet e shëndetit publik dhe për të ruajtur jetët e njerëzve.

Në përgjigje të kërkesës së Qeverisë, projekti do të japë mbështetje të menjëhershme për të ndihmuar Shqipërinë të kufizojë transmetimin lokal të COVID-19.

Në njoftimin për shtyp theksohet se “në mënyrë që të ndihmojë për të zbuluar dhe parandaluar përhapjen e COVID-19, projekti do të mbështesë testime masive të popullsisë; sigurimin e pajisjeve për të fuqizuar zbulimin dhe gjurmimin e kontakteve, investime për pajisje për kujdesin shëndetësor dhe për laboratorët publikë, pajisje mbrojtëse për  personelin mjekësor, rritjen e numrit të shtretërve në kujdesin intensiv si dhe fuqizimin e  kapaciteteve për vlerësimin dhe modifikimin e kërkesave për distancimin fizik. Projekti do të trajnojë staf mjekësor për kujdesin që duhet treguar për rastet me COVID-19 dhe për parandalimin e infeksionit. Tani që Shqipëria ka hyrë në fazën komplekse të rihapjes së ekonomisë, projekti do të ndihmojë që të intensifikohet më tej komunikimi me publikun”.

“Banka Botërore qëndron në krah të popullit shqiptar në këtë krizë të paprecedentë. Do të doja të vlerësoja përkushtimin e jashtëzakonshëm të punonjësve të shëndetësisë në Shqipëri për të shpëtuar jetët e njerëzve dhe inkurajoj fuqishëm qytetarët të zbatojnë distancimin social dhe masat e tjera kufizuese që synojnë të minimizojnë ndikimin e pandemisë, tha Maryam Salim, menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë. Duke pasur parasysh pasigurinë e  ecurisë së pandemisë, projekti është hartuar në mënyrë që të jetë fleksibël dhe të plotësojë nevojat që do të shfaqen, ndërsa evoluojnë edhe njohuritë për epidemiologjinë e COVID-19.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme