Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti rezulton pozitiv në testin për COVID-19

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, njoftoi se ka rezultuar pozitiv në koronavirusin e ri (COVID-19).

1466105
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti rezulton pozitiv në testin për COVID-19

Hoti shkroi në profilin e tij në Facebook se sot e ka bërë testin dhe ka rezultuar pozitiv në COVID-19.

"Nuk kam shenja, përveç një kollë shumë të lehtë. Nga sonte jam në izolim për dy javët në vazhdim. Do të kryej obligimet nga shtëpia", njoftoi Hoti.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, parti të cilës i takon edhe Kryeministri Hoti, konfirmoi zyrtarisht dje se është shëruar nga COVID-19 pas tre javësh.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë sot kanë bërë të ditur se edhe 13 persona të prekur nga koronavirusi kanë ndërruar jetë duke e çuar në 249 numrin e viktimave nga ky virus.

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), edhe 245 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, derisa numri i tyre ka shkuar në 8.799.

Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 133 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani është gjithsej 4.863, kurse numri i rasteve aktive është 3.687. (AA)



Lajme të ngjashme