Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti izolohet, pas infektimit me Covid-19

Në Kosovë çdo ditë shënohen qindra të infektuar, që në përqindje zakonisht sillet rreth 50% të testimeve të kryera.

1466350
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti izolohet, pas infektimit me Covid-19
Kosova Başbakanı_Avdullah Hoti_korona.jpg
Kosova_kreşler_gösteri_korona.jpg
Enver Hyseni.jpg
Isa Mustafa_Mimoza Kusari Lila.jpg
Aleksandar Vuçiç_Avdullah Hoti.jpg

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti izolohet pas infektimit me Covid-19

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Hoti këtë e ka konfirmuar të dielën më 02 gusht nëpërmjet një postimi në Facebook, duke thënë se nuk ka simptome, përveç një kollë shumë të lehtë. Kryeministri ka theksuar se ndodhet në izolim për dy javë dhe do t`i kryen obligimet nga shtëpia. Kohën e fundit me Covid-19 ishte infektuar edhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, i cili njoftoi të shtunën  se është shëruar. Poashtu, edhe kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka njoftuar më herët se është infektuar.

*

Deputetja Kusari-Lila kritikon kryeministrin duke thënë se nuk u vetëizolua pas testimit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti pas vizitave të se dielës duke thënë se duhej të respektonte protokollin e Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike së Kosovës që pas testimit për COVID-19 personi duhet të vetëizolohet. Kusari-Lila, tha se ka një arsye më shumë për të shkarkuar Qeverinë Hoti për shkak të papërgjegjshmërisë së kryeministrit.

“Pse z. Hoti pasi u testua doli në terren dhe takoi dhjetëra njerëz e biznese të cilët sot të gjithë potencialisht janë të rrezikuar e sigurisht disa prej tyre, nuk do t’iu jepet as mundësia për t’u testuar. Asnjëri nga ta nuk ia pat me borxh të marrë virusin nga Kryeministri. A do të thotë kjo që në javën kur vdekshmëria nga pandemia arriti kulmin më të lartë, Kosova ka një Kryeministër që injoron protokollin, vënë në rrezik bashkëpunëtorët dhe qytetarët e vendit me vizita të paarsyeshme për kohë pandemie”, ka shkruar ajo në Facebook.

*

Hoti thotë se është izoluar menjëherë pas testimit 

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka reaguar pas kritikave se ka thyer protokollet, duke thënë se në momentin që është testuar për COVID-19 ka zbatuar rekomandimin e mjekëve dhe është izoluar.

“Edhe pse nuk kam pas asnjë shqetësim serioz, me paraqitjen e një kolle te lehte te dielën, bashkëpunëtorët më rekomanduan të testohem. Testimin e kam bërë të dielën rreth orës 16. Në momentin që jam testuar, jam izoluar në pritje të rezultatit, pasi kështu është protokolli i rekomanduar nga mjekët. Sapo e kam marrë rezultatin, e kam bërë publik. Kushdo që deklaron ndryshe nuk e thotë të vërteten”, ka shkruar Hoti në Facebook.

*

Mustafa e akuzon Kusari Lilën për kanibalizëm politik

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, e ka quajtur kanibalizëm politik sulmin e deputetes Mimoza Kusari-Lila ndaj kryeministrit Hoti. “Të ngrihesh në mëngjes e ta kërcënosh kryeministrin se do të shkarkojmë, pse të ka kapur virusi një ditë më parë, është kanibalizëm politik, një idiotizëm i skajshëm që kapërcen çdo normë njerëzore!” – ka shkruar Mustafa në Facebook.

*

Përgjigjet edhe njëherë Kusari Lila

Ndërkohë, deputetja Kusari Lila reagoi sërish. Duke i uruar shërim të shpejtë kryeministrit Hoti, ajo ka shtuar se përgjigjja e Hotit, e vë në pah diskriminimin dhe injorimin që po u bëhet të sëmurëve dhe viktimave nga virusi në Kosovë. “Ka shumë familje që janë privuar nga e drejta e lamtumirës me më të dashurit e tyre si rrjedhojë e mos-posedimit të rezultatit të testit, por vetëm se është dyshuar se ishin të infektuar, ata janë varrosur (ndonjëherë edhe në mbrëmje) të mbështjellë me najllonë në përcjellje të policisë. Pas dy dite është kuptuar se ishin negativ në dyshimin për infektim. Po ashtu Kusari Lila thotë se përderisa për qytetarët nuk iu lejohen vizitat, Hoti vetë i 30-ti vizitoni biznese e përuroni rrugë.

*

Protesta në shenjë pakënaqësie me masat e Covid-19

Çerdhet private në kryeqytet kanë protestuar sot, më 3 gusht, para Komunës së Prishtinës, duke kërkuar rihapjen e tyre. Protestë për mosrealizimin e kërkesave të tyre në lidhje me pagesat në përballje me pandeminë, sot ka mbajtur edhe Sindikata e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë. Ato para Qeverisë së Kosovës, kanë kërkuar që ndërrimi i natës në këtë kohë pandemie, i cili paguhet aktualisht 18 euro të paguhet 36 euro. Në mënyrë simbolike, infermierët dhe mamitë i kanë dorëzuar mantelet. Edhe pronarët e pishinave protestojnë në shenjë pakënaqësie për mbylljen e pishinave nga ana e Qeverisë.

*

Mbyllen 12 lokale në Prizren për mosrespektim të masave kundër Covid-19

Policia në Prizren dhe Inspektorët komunal kanë mbyllur 12 lokale afariste në këtë qytet. Policia njofton se gjatë kryerjes së detyrës zyrtare janë gjetur parregullsi dhe janë shqiptuar gjoba.

“Janë mbyllur 12 lokale afariste në qendrën tregtare “Galeria”. Janë shqiptuar 5 dënime për subjekte nga 500 euro. Janë shqiptuar dy dënime personave fizik nga 50 euro. Një vërejtje për subjektin lidhur me mos mbajtjen e distancës, dhe 46 fletëparaqitje për mos mbajtje të maskës mbrojtëse”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren.

Policia ka paralajmëruar se do të jetë vazhdimisht në zbatim të plotë të vendimeve të qeverisë.

*

Hyseni në Uashington flet për dialogun Kosovë-Serbi 

Koordinatori i Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni, ka mbërritur në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka konfirmuar se sot do të fillojë takimet e planifikuara. Hyseni pritet të takohet me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, dhe me Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Më 24 korrik, Hyseni në Bruksel kishte takuar Asistent Sekretarin Kryesor për Evropë dhe Euroazi të Departamentit të Shtetit, Philip Reeker, me të cilin kishte biseduar rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi. Gjithashtu Hyseni përpara këtij udhëtimi ka takuar edhe Enver Hoxhajn e PDK-së dhe Fatmir Limajn, në kërkim të një uniteti sa i përket procesit të dialogut. Skënder Hyseni për pozitën që është emëruar ka marrë përkrahjen e kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

*

Kryeministri Hoti nuk e ka përkrahjen në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, nuk e ka përkrahjen e politikës vendore në dialogun Kosovë Serbi. Kështu ka vlerësuar Instituti Ndërkombëtar për Studime Ballkanike dhe të Lindjes së afërt, në analizën e vet të radhës rreth Ballkanit Perëndimor. “Në Kuvendin e Kosovës, një opozitë e fortë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës konsiderojnë se qeveria aktuale nuk ka legjitimitet ta udhëheqë dialogun”, shkruhet në analizë.

*

Vapa nga Afrika në Kosovë, deri të martën

Masat e ngrohta të ajrit të ardhura ditë më parë nga Afrika, do të mbesin të qëndrueshme edhe të hënën e të martën, duke mundësuar mot me diell dhe relativisht të qetë. Nga dita e mërkurë, paraqiten kushte tjera meteorologjike. Kjo situatë vije si rezultat i masave të ajrit me origjinë nga veriu i kontinentit që do të sjellin vranësira të dendura, reshje shiu dhe shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13 e 17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës ndërmjet 24 e 35 gradë Celsius, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.



Lajme të ngjashme