Gastronomët protestojnë para Qeverisë së Kosovës

Gastronomët në mënyrë simbolike ia "dorëzojnë çelësat" Qeverisë së Kosovës.

1462751
Gastronomët protestojnë para Qeverisë së Kosovës

Gastronomët sot zhvilluan protestë para Qeverisë së Kosovës, duke ia dorëzuar në mënyrë simbolike çelësat e lokaleve të tyre për të treguar se janë sektori më i rrezikuar për shkak të masave të vendosura në parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19).

Protesta, e cila zgjati rreth dhjetë minuta, e organizuar nga Shoqata e Gastronomisë së Kosovës paralajmëron se gastronomia është në prag të falimentimit dhe se për shkak të orarit të kufizuar të punës, masave për ruajtjen e distancës fizike dhe pamundësisë për të mbajtur dasma dhe kremtime, punojnë me kapacitet vetëm rreth 20 për qind. Ata nga Qeveria kërkojnë subvencione për të parandaluar largimin e punëtorëve ose mbylljen e plotë të lokaleve.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi tha se nga Qeveria kërkohet të riprogramojë këstet e kredive, të lehtësojë qasjen në resurset financiare, mbështetjen për pagat dhe qiranë për të paktën tre muaj, të ulë përkohësisht TVSH-në në 8 për qind, të zgjasë orarin e punës, të shtyjë paraqitjen e tatimit për të paktën edhe tre muaj tjerë, mbështetje për energjinë elektrike, ujin dhe mbeturinat si dhe mbështetje për kompensim të mallrave të dëmtuara.

Deturim Sahiti nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës në një deklaratë për Agjencinë e lajmeve Anadolli (AA) tha se hotelieria tashmë pesë muaj ka qenë sektori më i dëmtuar nga epidemia për shkak të masave dhe pa ndihmën e shtetit.

"Vetëm në fillim kemi marrë një pagë për punëtorët nga paketa e urgjencës, tjetra ende nuk është paguar. Ne e kuptojmë se shteti duhet të vendosë masa për shkak të epidemisë, por të paktën të na ndihmojë të mos falimentojmë", tha Sahiti.

Ai thekson se kufizimi i punës vetëm deri në orën 21:00 pasdite është shumë i dëmshëm dhe se do të ketë shumë rëndësi për ta që të mund të punojnë deri në mesnatë.

"Orari i kufizuar për punë nuk solli ndonjë sukses. Ne e pamë se numri i (të infektuarve) fare nuk është ulur, kështu që kërkojmë që me masat që zbatohen gjatë ditës të punojmë në mbrëmje, meqë ato tre orë janë shumë të rëndësishme për bizneset tona", thotë Salihu.

Sektori i gastronomisë në Kosovë punëson rreth 30 mijë punëtorë që është rreth 4.000 biznese ose më shumë se 10 për qind e ekonomisë së Kosovës. (AA)



Lajme të ngjashme