Dialogu Kosovë-Serbi kërkohet të mos zbresë në nivel teknik

Përderisa dialogu Kosovë-Serbi i rifilluar me kryeministrin Avdullah Hoti ka marrë kritika të shumta si nga pozita e opozita, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar që dialogu të mos zbresë në nivel teknik.

1462294
Dialogu Kosovë-Serbi kërkohet të mos zbresë në nivel teknik
Aleksandar Vuçiç_Avdullah Hoti.jpg
Kosova Meclisinde_uluslararası anlaşmalar onaylandı.jpg
Mirosllav Lajçak.jpg
sirbistan kosova.jpg
sirbistan-kosova harita.jpg
Kosova_koronavirüs_vakalar.jpg
Miroslav Lajçak_Kosova-da.jpg
Kosova Hükümeti_Avdullah Hoti_toplantı.jpg

Dialogu Kosovë-Serbi kërkohet të mos zbresë në nivel teknik

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti për të biseduar rreth bashkëpunimit ndërinstitucional në menaxhimin e koronavirusit të ri (COVID-19) si dhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Presidenti i Kosovës tha se me kryeministrin Hoti kanë diskutuar për masat e marra nga Qeveria për parandalimin e koronavirusit si dhe ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, për t'u dalë në ndihmë qytetarëve nga kriza ekonomike e shkaktuar nga ky virus.

Thaçi nga zyra e tij në Presidencë tha se sa i përket dialogut, duhet të sqarohet pozicioni i Kosovës duke mos lejuar që dialogu Kosovë-Serbi të zbresë në nivel teknik. 

*

Mustafa kërkon përkrahje për kryeministrin Hoti në dialog 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha të dielën përmes një postimi në Facebook se ka biseduar me Koordinatorin Shtetëror për dialog, Skender Hyseni rreth procesit të dialogut me Serbinë. Mustafa tha se dialogu është krejtësisht politik dhe do të rezulton me marrëveshje për njohje reciproke.

“Sot në bisedë telefonike me z. Skender Hyseni, Koordinator Shtetëror për dialog, shpreha përkrahjen time dhe të LDK-së për kursin se nuk ka asnjë marrëveshje të veçantë, jashtë marrëveshjes gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke”, tha ai.

Mustafa kërkoi bashkëpunim ndërinstitucional si dhe përkrahje nga të gjithë aktorët politikë .

“Në këtë proces duhet dhënë përkrahje të fuqishme kryeministrit Hoti, Qeverisë, Presidentit si dhe të gjithë mekanizmave shtetëror që e cojnë përpara këtë dialog politik. Përgjegjësia për dialogun bie mbi koalicionin qeverisës, ndërkaq pronësia e dialogut i takon shumicës kushtetuese parlamentare dhe asnjë subjekti veç e veç”, tha Mustafa.

*

Kritika ndaj qeverisë Hoti 

Qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti ka marrë kritika nga partnerët e koalicionit si dhe opozita për mënyrën e rifillimit të dialogut me Serbinë. Partnerët e koalicionit të qeverisë Hoti, AAK dhe Nisma Socialdemokrate kanë kërkuar që edhe Partia Demokratike e Kosovës të përfshihet në qeverinë Hoti. Zyrtarët e PDK-së ia kanë bërë me dije Hotit se nuk e ka mbështetjen e PDK-së për dialogun, përderisa nuk përfshihet edhe SHBA-ja. Ndërkaq, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë deklaruar se Hoti e ka përkrahjen vetëm të presidentit Hashim Thaçi dhe se ai shkoi në bisedime pa platformë, pa ekip dhe pa agjendë. Pas 20 muajsh ndërprerje, më 16 korrik rinisi dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Pas këtij takimi, delegacionet e ekspertëve të të dyja vendeve, më 23 korrik u takuan në Bruksel. Kosova u përfaqësua nga koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni dhe palën serbe e përfaqësoi, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

*

Është draftuar kapitulli i marrëveshjes përfundimtare për të pagjeturit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se të enjten në Bruksel, në takimin midis Kosovës dhe Serbisë në nivel ekspertësh, është “draftuar kapitulli i marrëveshjes përfundimtare për të pagjeturit e luftës”. Hoti para deputetëve t ë Kuvendit të Kosovës, tha të premten se, më 16 korrik, është diskutuar për dy tema: të pagjeturit dhe çështjet ekonomike. Hoti tha se parimet për çështjen e të pagjeturve janë:

“Në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar humanitar, të zgjidhet çështja e të pagjeturve, duke ofruar të gjitha informacionet për të pagjeturit - parimi i parë. I dyti: sjellja e drejtësisë në vend dhe, i treti: kujdesi për familjet e viktimave”.

Hoti ka shtuar se për çështjet ekonomike do të bisedohet njëherë tjetër.

*

Lajçak vlerëson produktive dialogun Kosovë-Serbi 

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se “diskutimet politike të kësaj jave (Kosovë-Serbi) në nivel ekspertësh mbi personat e zhdukur dhe personat e zhvendosur ishin produktive dhe konstruktive".

“Mezi presim raundin tjetër të bisedimeve ndërmjet ekspertëve”, ka thënë Lajçak, duke paralajmëruar vazhdimin e dialogut së shpejti, por pa dhënë një datë.

*

Lajçak dhe Reeker bisedojnë për dialogun Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se ka takuar në Bruksel ushtruesin e detyr ës së ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Philip Reeker.

“Biseduam për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe për bashkëpunimin tonë të ngushtë në dialogun Beograd-Prishtinë”, shkroi Lajçak në TWitter, pa dhënë më shumë detaje.

*

Ratifikohen pesë marrëveshje ndërkombëtare 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, ratifikuan pesë marrëveshje ndërkombëtare financiare. Të gjitha marrëveshjet morën nga 84 vota, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Sipas Ministrisë së Financave, këto marrëveshje ndërkombëtare kapin vlerën prej 253 milionë eurosh, kurse disa nga to, do të ndihmojnë Kosovën në përballimin e situatës shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Në tri nga seancat e kaluara, të mbajtura më 11 qershor, 23 qershor dhe 9 korrik, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për, prej 2/3 të deputetëve të pranishëm, për ratifikimin e këtyre pesë marrëveshjeve ndërkombëtare.

*

Miratohet projektligji që mundëson tërheqjen e 10 për qindëshit nga Fondi Pensional

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike COVID-19, i cili hap rrugë ndryshimit të disa ligjeve. Ky projektligj do t’iu mundësojë qytetarëve kontributpagues të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, tha se me ndryshimet që do t’i bëhen Ligjit për Fondin Pensional, Fondi autorizohet që brenda 4 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligjit t'u mundësojë qytetarëve të Kosovës që të tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale. Ajo ka bërë të ditur se tërheqja e fondeve nuk do të kompenzohet nga qeveria, por se ata që tërheqin mjetet do të jenë të liruara nga obligimet tatimore. “Me anë këtij projektligji ndryshohen dhe plotësohen: Ligji për Fondin për Garanci Kreditore, Ligji për Fondin pensional, Ligji për tatimin e të ardhurave të koorporatave, Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatimit. Ligji për të ardhurat personale si dhe Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, ka bërë të ditur Bajrami. Projektligji është thënë se do të dërgohet menjëherë në Kuvendin e Kosovës për miratim. Vlera e përgjithshme që mund të tërhiqet nga Fondi i Kursimeve Pensionale, është rreth 180 milionë euro, mjete këto të cilat do të stimulonin kërkesën agregate në treg, që nënkupton rritjen e shit-blerjeve që do ta bënin qytetarët, pas marrjes së parave nga kontributet pensionale.

*

Rritje e vazhdueshme e numrit të të infektuarve me Covid 19 

Të dielën në Kosovë janë regjistruar edhe 8 viktima dhe 220 raste të reja me COVID-19, ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Ky rezultat vjen pas testimit të 472 mostrave. Më së shumti raste pozitive sërish ka Komuna e Prishtinës 81, pastaj Peja 23 raste, Ferizaj 13, Podujeva 12 raste etj.

*

Kadri Veseli infektohet me koronavirus

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli është diagnostifikuar me koronavirus. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Veseli ka thënë se ndihet mirë dhe deri në shërim të plotë do të qëndron në vetizolim. Në javët e fundit në Kosovë pozitiv në koronavirus kanë rezultuar edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës. Më 10 korrik, edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pati njoftuar se është infektuar nga virusi.

*

Pak shtretër në dispozicion për të prekurit me Covid 19 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur të shtunën në një konferencë për media se nga gjithsej shtatëqind shtretër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale, vetëm edhe 130 shtretër kanë mbetur në dispozicion për personat e infektuar me koronavirus.

Ai tha se aktualisht institucionet përkatëse janë duke punuar në riorganizim të ri në QKUK dhe ndoshta mbylljen e disa klinikave për t'i shfrytëzuar më pas ato për personat e prekur me koronavirus.

*

Mbahet Samiti rajonal i liderëve të Ballkanit Perëndimor

Përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të marrin pjesë në samitin virtual të organizuar nga Këshilli Atlantik të mërkurën, më 29 Korrik, njoftohet në faqen e kësaj organizate ndërkombëtare.

Pjesëmarrës në Samitin për partneritetin e Ballkanit Perëndimor do të jenë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski.

Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, Bosnjë dhe Hercegovina nga Kryetari i Këshillit të Ministrave Zoran Tegeltija, ndërsa Mali i Zi nga ministrja e Ekonomisë, Dragica Sekulic.

Temat e samitit, siç thuhet, do të jenë përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal.

"Ndikime ekonomike dhe sociale të pandemisë COVID-19 në Ballkan kërkojnë veprime urgjente rajonale, në mënyrë që të shmangin ngecjen e përhershme ekonomike dhe paqëndrueshmërinë e mundshme që vjen me të," tha Këshilli Atlantik.

"Masat e dakorduara në Samit - të lidhura dhe të integruara me nismat dhe dialogun ekzistues rajonal - do të dërgojnë një mesazh të rëndësishëm politik për të ardhmen euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor në një kohë të pasigurisë së shtuar,", thuhet në deklaratën e Këshillit.

Këshilli Atlantik është një qendër e politikës së jashtme me bazë në Uashington.



Lajme të ngjashme