Maqedoni e Veriut – Shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i Republikës së Maqedonisë së Veriut shpalosi rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik të këtij viti.

1461747
Maqedoni e Veriut – Shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare

 

Në përputhje me Kodin Zgjedhor, KSHZ-ja miratoi në një seancë publike konkluzionin për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik 2020, bazuar në të dhënat e procesverbaleve të komisioneve zgjedhore komunale.

Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski, njoftoi rezultatet përfundimtare dhe shpërndarjen e mandateve të deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Koalicioni "Mundemi" (LSDM) fitoi 327.408 vota ose 35,89 për qind apo 46 mandate, koalicioni VMRO-DPMNE fitoi 315.344 vota ose 34,57 për qind apo 44 mandate, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) fitoi 104.699 vota ose 11,48 për qind apo 15 mandate, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa fitoi 81.620 vota ose 8,95 për qind apo 12 mandate, E Majta fitoi 37.426 vota ose 4,1 për qind apo 2 mandate, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) fitoi 13.930 vota ose 1,53 për qind të numrit të përgjithshëm të votave apo 1 mandat, tha Derkovski.

Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut, të drejtën e votës e kanë ushtruar 943.750 nga gjithsej 1.814.236 votues të regjistruar, që nënkupton një pjesëmarrje prej 52 për qind. / AA



Lajme të ngjashme