Mali i Zi, turizmi bie me 92% për shkak të koronavirusit

Mali i Zi rishpall epideminë e koronavirusit, vendosja e maskave bëhet e domosdoshme edhe në ambiente të hapura në të gjitha qytetet.

1459762
Mali i Zi, turizmi bie me 92% për shkak të koronavirusit
Karadağ_Ülgün_Ulqin plajı.jpg
Karadağ_harita_koronavirüs_yeni vakalar.jpg
Karadağ_koronavirüs_yeni vakalar.jpeg
Karadağ koronavirüs.jpg
Karadağ_Hükümet-Sırp Ortodoks Kilisesi toplantı.jpg
Karadağ_Arnavut siyasi partiler temsilcileri_toplantı.jpg
ABD_Karadağ Arnavut Kökenli STK-lar Birliği.jpg

Mali i Zi rishpall epideminë e koronavirusit

Sipas të dhënave statistikore te muajit korrik, për shkak te koronavirusit, vizitat turistike kanë pësuar rënie prej 92% krahasuar me një vit më parë. Pothuajse gjysma e hoteleve nuk janë hapur për shkak se në Mal te Zi nuk mund të vijnë turiste nga shumica e vendeve të rajonit, por edhe nga vendet e Bashkimit Evropian (BE). Shumica e fluturimeve nga këto vende janë anuluar. Në Mal të Zi numrin më të madh të turistëve e kanë përbërë turistët nga Serbia, ku në javë ka pasur më shumë se 60 fluturime nga Beogradi në Tivat dhe po ashtu nga Beogradi dhe Nishi në drejtim të Podgoricës. Rënie drastike të numrit të turistëve shënon edhe Ulqini, ku lehtë mund të dëshmohet me plazhe dhe hotele të boshatisur. Ulqini, është një prej destinacioneve të pëlqyera turistike për qytetarët e Kosovës. Por për shkak të pengesave në kufi, pak kosovarë po pushojnë aktualisht ne Ulqin. Kjo, ndër të tjera, ka ndikuar që numri i turistëve në Ulqin të jetë fare i vogël. Sipas të dhënave zyrtare, në Ulqin aktualisht janë duke pushuar 2000 turistë. Ky numër është 20 herë më i vogël se ai i turistëve që ishin vitin e kaluar në periudhë të njëjtë. Vitin e kaluar në të njëjtën kohë në Ulqin kishte afro 42 mijë turistë. Sipas të dhënave të Organizatës Turistike të Ulqinit më së shumti mysafirë janë të paraqitur në akomodim privat, më shumë se 1.600. Në hotele po qëndrojnë 380 turistë, ndërsa në kampe 21. Prej numrit të përgjithshëm, mysafirë të vendit janë 157, kurse të huaj 1859. Situata me koronavirus natyrisht është arsyeja kryesore për këtë rënie të jashtëzakonshme. Për kosovarët hyrja në Mal të Zi lejohet vetëm duke prezantuar një test negativ për COVID-19.

Mali i Zi, nga një shtet pa koronavirus në vendin me numrin më të madh të infektimeve në rajon 

Laboratorët e Institutit për Shëndetin Publik gjatë 24 orëve, deri dje në orën 17.00, kanë përfunduar PCR-në, analizën e 614 mostrave në koronavirusin e ri , në mesin e të cilëve 95 kanë rezultuar pozitivë, është kumtuar në konferencën për shtyp të Trupit Koordinues Nacional. Gjatë 24 orëve të fundit nga pasojat e koronavirusit 2 persona të moshës 69 dhe 50-vjeçare kanë vdekur, ka deklaruar ndihmësdrejtori i Institutit për Shëndetin Publik, Senad Begiq. Në Mal të Zi janë të hospitalizuar 161 pacientë të prekur me koronavirus, 28 prej të cilëve janë të shtruar në Qendrën Klinike të Malit të Zi, ka deklaruar drejtori i kësaj Qendre dr. Jevto Erakoviq. Ai ka shtuar se kapacitetet e Qendrës Klinike janë zgjeruar edhe për 28 të ashtuquajtur shtretër Covid. Përndryshe, Mali i Zi është vendi i fundit në Evropë që regjistroi rastin e parë me koronavirus (17 mars) dhe i pari që nuk pati asnjë rast të ri për 28 ditë rresht (dy cikle të inkubacionit). Kjo është arsyeja pse fundi i epidemisë u shpall më 2 qershor. Në atë periudhë (17 mars – 4 maj), u regjistruan 324 raste me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, dhe nëntë viktima. Pas kësaj, rasti i parë u regjistrua më 14 qershor dhe deri më 16 korrik, numri i përgjithshëm i rasteve arriti në 1,582. Numri i rasteve aktive me COVID-19 është rritur shpejt, pas analizimit të 2.000 mostrave të ardhura nga Gjermania, nga të cilat dolën pozitivë 475. Mali i Zi dërgoi 2.000 mostra për testim në Gjermani, për shkak të mungesës së kapaciteteve të nevojshme për testim. Ndihmësdrejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Senad Begiq, thotë se besoj që arsyeja kryesore e kësaj është fakti se të gjithë, si shoqëri, u liruan dhe nuk u mbrojtën nga virusi. “Importi i virusit më nuk mund të shmanget dhe kjo ishte e qartë për të gjithë. Për sa kohë që ekziston kjo sëmundje dhe për sa kohë që është kudo në botë, nuk ka vende apo territore të mbrojtura apo të sigurta”, ka thënë Begiq. Siç thotë ai, problemi kryesor qëndron te vetë virusi, pra te karakteristikat e tij, dhe mbi të gjitha në faktin se një numër i madh i personave të infektuar, ata që janë të gatshëm dhe të aftë për të transmetuar infeksionin, nuk kanë simptoma.

Dështojnë bisedimet ndërmjet Qeverisë dhe KOS

Bisedimet e ekipeve të ekspertëve të Qeverisë dhe Kishës Ortodokse Serbe (KOS), kanë përfunduar pa ndonjë rezultat edhe përkundër lëshimeve të shumta të cilat i ka bërë ekipi negociues i Qeverisë, ka deklaruar kryeministri Dushko Markoviq. Ai ka theksuar se Qeveria gjatë rundit të dytë të bisedimeve të ekspertëve të zhvilluara dje dhe sot ka pranuar që procedura e vërtetimit të pronësisë nga procedura administrative të kalohet në procedurën e rregullt gjyqësore dhe me këtë rast barra e tregimit të pronësisë do të binte mbi shtetin e jo mbi kishën. Markoviq ka theksuar se Qeveria lidhur me këtë ka propozuar një nen krejtësisht të ri , nenin 63 të ligjit , duke pranuar kështu propozimin e kishës. Ai ka theksuar se Qeveria ka propozuar që këto ndryshime të miratohen në Qeveri të enjten dhe t’i procedohen parlamentit në deklarim me procedurë urgjente deri në fund të këtij muaji. Kryeministri ka theksuar se e vetmja kërkesë ka qenë regjistrimi i të gjitha kishave dhe i bashkësive fetare, pra edhe i Kishës Ortodokse Serbe në bazë të ligjit. Për fat të keq, kisha këtë propozim e ka refuzuar”,- ka theksuar Markoviq. Ai ka shtuar se me keqardhje e ka marrë informatën se bisedimet nuk kanë rezultuar me sukses. Ai ka shtuar se Kisha Ortodokse Serbe ka vazhduar praktikën e mëparshme që të funksionojë jashtë sistemit juridik, jashtë rregullave dhe procedurave.

Ftesë të gjitha partive politike shqiptare që të bashkohen në zgjedhjet e 30 gushtit  

Me iniciativë të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, në Ulqin, u mbajt takimi i përfaqësuesve të subjekteve politike të shqiptarëve në Malin e Zi me qëllim të përafrimit të qëndrimeve për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të zhvillohen më 30 gusht 2020. Në takim kanë qenë prezent kryetarët e subjekteve: Forca e Re Demokratike, Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Lidhja Demokratike Shqiptare, Lëvizja Perspektiva dhe Unioni i Tuzit. Në takim nuk ishin prezent kryetari i Partisë Demokratike dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve. Pjesëmarrësit në takim kanë diskutuar dhe janë shprehur se bien dakord për pjesëmarrje të unifikuar në zgjedhje të ardhshme parlamentare, duke iu bërë ftesë edhe atyre që nuk ishin të pranishëm në tryezë, të bëjnë përpjekje për bashkim. Këshilli Kombëtar edhe në ditët në vazhdim do të përpiqet për ta jetësuar këtë qëllim fisnik kombëtar, për unifikimin e subjekteve kombëtare në sfidat e ardhshme politike thuhet në një njoftim të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi.

Përfaqësuesit e Koalicionit të Organizatave të Komunitetit Shqiptar në Amerikë me prejardhje nga Mali i Zi i bëjnë thirrje të gjithë spektrit politik shqiptar të mbështesë dhe miratojë një platformë dhe një listë të vetme bashkëpunimi

Përfaqësuesit e Koalicionit te Organizatave te Komunitetit Shqiptar në Amerikë me prejardhje nga Mali i Zi i bëjnë thirrje të gjithë spektrit politik shqiptar të mbështesë dhe miratojë një platformë dhe një listë të vetme bashkëpunimi me qëllimin final atë të unifikimit dhe përfaqësimit të përbashkët në zgjedhjet e përgjithshme të 30 gushtit. Ne letrën drejtuar të gjitha subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi thuhet; “Të nderuar udhëheqës të partive politike shqiptare në Mal të Zi, Ne përfaqësuesit e Koalicionit të Organizatave të Komunitetit Shqiptar në Amerikë me prejardhje nga Mali i Zi, jemi të vetëdijshëm për gjendjen politike, ekonomike dhe sociale të shqiptareve në Mal të Zi, me përgjegjësi për të tashmen dhe të ardhmen, me vendosmëri për të bashkuar të gjitha forcat intelektuale, akademike dhe shoqërore brenda dhe jashtë vendit për të avancuar pozitën e shqiptarëve; në frymën e respektit dhe bashkëjetesës fetare dhe zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe personalitetit njerëzor; duke besuar se bashkimi i faktorit politik shqiptar do të kontribuojë në përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në këto treva; me bindjen e thellë se përgjegjësia kombëtare dhe bashkëpunimi janë vlera të paçmueshme për avancimin e të drejtave tona si popull autokton ne këto troje; ne po përcjellim me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit politike dhe sjelljen e disa subjekteve politike shqiptare, të cilat edhe njëherë po dëshmojnë se interesat e ngushta personale qëndrojnë mbi vullnetin e popullit shqiptar. Këto subjekte politike po abuzojnë sërish me mbështetjen e sinqertë të elektoratit shqiptar, duke zhvlerësuar interesat kombëtare, duke kompromentuar vullnetin e këtij elektorati dhe duke i mohuar zgjedhësit shqiptar votimin e një liste të unifikuar zgjedhore, e cila do të maksimizojë votën shqiptare dhe do të forcojë zërin e shqiptarëve në Kuvendin e Malit te Zi. Sidoqoftë, kësaj radhe, përgjegjësi të veçantë do të mbajnë partitë politike dhe udhëheqësia e atyre që do të pengojnë procesin e bashkimit të shqiptarëve në një listë të vetme. Tani është koha për t’u sjellë si një faktor i vetëm politik sepse rezultati i këtyre zgjedhjeve do të ketë rëndësi themelore dhe historike për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Mal të Zi në planin afatgjatë. Ndaj ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike shqiptare dhe udhëheqësive te tyre për të garuar me një listë dhe program të vetëm në zgjedhjet e ardhshme, duke lënë mënjanë çdo interes partiak, ose përfitim personal. Ne vlerësojmë përpjekjet e deritanishme të shtetit shqiptar për bashkimin e faktorëve politikë dhe inkurajojmë vazhdimin e ndërmjetësimit te tyre për një listë të vetme. Ne do të reagojmë fuqishëm kundër çdo pengese për lidhjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të subjekteve politike shqiptare që do të zgjedhin një rrugë tjetër, ndërkaq, ata do të mbajnë përgjegjësi kombëtare, ashtu sikurse edhe publike. Këto zgjedhje kanë një peshë historike ndaj secila parti politike dhe udhëheqësia e tyre duhet të shfaqë gatishmërinë për bashkëpunim, vetëdije kombëtare dhe përgjegjësinë e nevojshme para shqiptareve. Çdo alternativë tjetër do të tregojë qartazi se kushdo që nuk i bashkohet listës së përbashkët, nuk ka asnjë lidhje as me shqetësimet e përditshme të shqiptarëve në Mal të Zi, as me mbrojtjen e interesave kombëtare”, thuhet në letrën dërguar të nga Koalicioni i Organizatave të Komunitetit Shqiptar në Amerikë drejtuar të gjitha partive politike shqiptare në Mal të Zi .

Përgatiti për Zërin e Turqisë Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme