Në Tiranë vijojnë aktivitetet përkujtimore për 15 Korrikun

Me rastin e 15 Korrikut, Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar që shënohet nga Turqia, në Shqipëri u organizua ceremonia e ndarjes së çmimeve të konkursit për punimet krijuese të studentëve me tematikë tentativën për grushtshteti ndërmarrë nga FETO.

1458889
Në Tiranë vijojnë aktivitetet përkujtimore për 15 Korrikun
Arnavutluk_15 Temmuz temalı kompozisyon yarışması_4.jpg
Arnavutluk_15 Temmuz temalı kompozisyon yarışması_8.jpg
Arnavutluk_15 Temmuz anma etkinliği_3.jpg
Arnavutluk_15 Temmuz temalı kompozisyon yarışması_11.jpg
Arnavutluk_15 Temmuz anma etkinliği_1.jpg
Arnavutluk_15 Temmuz anma etkinliği_2.jpg

Në Tiranë vijojnë aktivitetet përkujtimore për 15 Korrikun, Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar në Turqi

Me rastin e 15 Korrikut, Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar të Turqisë, në Shqipëri u organizua ceremonia e ndarjes së çmimeve të konkursit për punimet krijuese të studentëve me tematikë tentativën për grushtshteti ndërmarrë nga organizata terroriste FETO.

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Ambasadës së Turqisë në Tiranë ishin të pranishëm ambasadori turk Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të tjerë të institucioneve turke në Shqipëri, përfaqësues të shoqatave të ndryshme, studentë, nxënës dhe prindër. 

Ambasadori turk Yörük gjatë fjalës në këtë ceremoni, e cila filloi me një minutë heshtje për nder të dëshmorëve të 15 Korrikut, falënderoi pjesëmarrësit në konkurs, për, siç tha, shprehjen në letër të ndjenjave dhe mendimeve rreth Turqisë dhe popullit turk dhe për rëndësinë e dhënë Turqisë.

Ai theksoi se organizata terroriste FETO që nga vitet 70-të, përveç në Turqi, është strukturuar në rreth 160 vende të botës dhe është përpjekur të fitojë ndikim në sfera të ndryshme në ato vende përmes aktiviteteve të saj.

"Unë jam i sigurt se natën e 15 korrikut 2016, apo në mëngjes, përmes televizionit ose mediumeve të tjera, ju ishit dëshmitarë të ngjarjeve, të asaj nate të tmerrshme, të asaj nate të errët, të cilën e përjetuan vëllezërit, miqtë dhe familjarët tuaj në Turqi".

Yörük theksoi se hartimet e shkruara nga pjesëmarrësit në këtë konkurs paraqesin edhe reagim ndaj ngjarjeve që ndodhën më 15 korrik, duke shtuar se në këtë natë, tentativën për grushtshteti e kundërshtuan edhe shtetasit turq me origjinë shqiptare. 

Këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Atakan Doğan, në fjalën e tij në hapje të ceremonisë, tha se janë mbledhur me rastin e Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar.

Duke iu drejtuar studentëve pjesëmarrës në konkurs, Doğan u shpreh: "Të gjithë ju i keni shprehur aq mirë ndjenjat tuaja dhe i keni shpalosur ato me shkrim, saqë na treguat edhe një herë se sa e thellë është vëllazëria shqiptaro-turke dhe se këto ndjenja do të zgjasin përgjithmonë. Të gjithë studentët tanë që kanë marrë pjesë në konkurs kanë merituar shpërblim dhe ne ju përgëzojmë për suksesin tuaj".

Konkursi u organizua nga Zyra e Këshilltarit për Çështjet e Arsimit pranë ambasadës turke dhe nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë.

Çmimin e parë e fitoi studentja e degës së gjuhës turke, Servete Manallari; çmimin e dytë studentja e shkencave politike, Jesmina Sengla, e cila ndjek kursin e gjuhës turke në Fondacionin “ALSAR”, dhe çmimin e tretë Klaudisian Muja, i cili ka përfunduar shkollën e mesme.

Përveç certifikatave fituesit e çmimeve morën dhurata të ndryshme, si botime dhe materiale në gjuhën turke.

Turqia më 15 korrik të këtij viti shënon përvjetorin e katërt të tentativës për grusht shteti ndërmarrë nga organizata terroriste fetoiste (FETO) dhe me rastin e këtij përvjetori organizohen aktivitete dhe ceremoni të ndryshme në Turqi dhe vende të tjera të botës.

Pikërisht me rastin e kësaj datë institucionet turke në Shqipëri kanë organizuar një ceremoni përkujtimore me rastin e përvjetorit të katërt të tentativës për grushtshtetit në Turqi, ku ambasadori i Turqisë në Tiranë së bashkë me autoritete të tjera turke bënë homazhe në memorialin "Dëshmorët e Demokracisë së 15 Korrikut" në Tiranë.

15 korriku i 2016-s do të mbetet njolla më e errët në historinë e Turqisë moderne, nata kur një tufë puçistësh të drejtuar nga organizata terroriste FETO ngritën armët kundër popullit të tyre, në një tentativë të dëshpëruar për të rrëzuar nga pushteti qeverisësit legjitimë.

Për shpirtrat e dëshmorëve të Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar të Turqisë u lexuan dua-lutje.

Nga ana tjetër, ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, diplomati i njohur, Abdi Baleta, në një emision televiziv kombëtar këtu në Shqipëri, në “Tempora” tha se në vitin 2016, masat popullore iu përgjigjën Presidentit Erdogan, për të mposhtur tentativën e dështuar për grushtshteti.

"...Masa popullore nuk ka reaguar ndonjëherë kaq fuqishëm. Erdogani nuk ju drejtua militantëve të partisë së tij, por popullit të tij dhe ai ju përgjigj.

Masa popullore kishin arritur një pjekuri të re demokratike. Është hera e parë që një organizëm arsimor, kulturor e fetar ka depërtuar përmes ushtrisë që të bëjë një grusht shteti. Kjo ishte e reja e situatës së tanishme. Mos harrojmë në vitin 2015 ka pasur një avion rus që u rrëzua dhe u vra ambasadori i Rusisë. Ne këtu patëm frikë se mos kishte një konfrontim mes këtyre dy vendeve...".

Ndërsa, në lidhje me organizatën terroriste FETO, politologu Abdi Baleta tha se Turqia bën mirë që e shtron problemin e organizatave terroriste në Shqipëri.

Sipas tij, duhet të verifikohen informacionet që Turqia thotë se në territorin shqiptar ka një organizatë që e shqetëson popullin turk.

"...Turqia ka punën e tyre. Ata bëjnë mirë që ia shtrojnë problemin e Shqipërisë. Përderisa ata e konsiderojnë si organizatë terroriste, edhe Shqipëria mund të ketë probleme. Shqipëria mund të mos e ketë ndier rrezikun. Ne na është bërë pyetje nëse jemi kërcënuar nga FETO. Por kërcënim nga FETO unë nuk ka dëgjuar, biles nuk kam pasur raste as nga prindër që i kanë dërguar në shkolla, por është mirë që ata na mbajnë në dijeni. Ne duhet t’i verifikojmë informacionet që vijnë nga Turqia... Ndërsa Turqia po thotë se kjo organizatë që shqetëson Turqinë ndodhet në Shqipëri...".

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme