Hoti nisi dialogun me Vuçiq, përderisa presidenti Thaçi ishte në Hagë

Dialogu mes Kosovës e Serbisë ka vazhduar pas ndërprerjes 20-muajshe dhe për herë të parë pjesëmarrës në takim nuk ka qenë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Po ashtu për herë të parë, në dialog ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti.

1458077
Hoti nisi dialogun me Vuçiq, përderisa presidenti Thaçi ishte në Hagë
Miroslav Lajçak_Kosova-Sırbistan görüşmeleri yeniden başlıyor.jpg
Kosova Cumhurbaşkanı_Hashim Thaçi asker uniforma ile.jpg
Hashim Thaçi.jpg
Avdullah Hoti.jpg

Hoti nisi dialogun me Vuçiq, përderisa presidenti Thaçi ishte në Hagë

Në Bruksel më 16 korrik, pas ndërprerjes 20-muajshe, është mbajtur takimi i parë i dialogut mes Prishtinës e Beogradit. Dialogu virtualisht rifilloi më 12 korrik, ku palët biseduan përmes një video- konference, por takimi i së enjtes paraqet bisedimet e para direkte.

Me ndërmjetësimin e BE-së, dialogues këtë herë ishin kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Krye-ministri Avdullah Hoti, e ka vlerësuar të vështirë takimin ku sipas tij, janë diskutuar dy tema: çështja e të pagjeturve dhe zhvillimi ekonomik.

“Qëndrimin tonë e kam prezentu në këtë takim dhe nuk do të lëviz asnjëherë nga ai qëndrim. Kjo është faza finale e përmbylljes së çështjeve të hapura me Serbinë”, tha Hoti.

“Jemi në fazën përfundimtare të përmbylljes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, fazë e cila do të marrë disa javë ose muaj, por jo më shumë”, tha në vazhdim kryeministri i Kosovës.

Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se bisedimet me kryeministrin Hoti nuk kanë qenë të lehta.

"Bisedimet për të zhdukurit dhe të zhvendosurit do të vazhdojnë të mërkurën tjetër në nivelin teknik", tha Vuçiq.

Vuçiq gjithashtu deklaroi se gjatë takimit, Kosova kërkoi që të hapen arkivat e policisë së Serbisë, dhe Serbia në anën tjetër ka kërkuar që Kosova të hapë arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

*

Kryeministri Hoti thotë se qëllimi i dialogut me Serbinë është njohja reciproke

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se qëllimi i dialogut me Serbinë është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Hoti poashtu ka thënë se me vendosmëri e guxim, e ka evituar qasjen izoluese duke marrë përgjegjësitë shtetërore në dialog.

“Këtë e bëmë pa hezitim pasi udhëhiqemi nga parimi i ruajtjes së integritetit territorial dhe unitaritetit të shtetit, si dhe nga respektimi i plotë i kushtetutshmërisë. Kjo është qasja jonë në dialog, që është legjitime dhe e vetme. Koha e politikës izoluese dhe e frikës për t'u përballur është tashmë pas nesh”, ka thënë Hoti përmes një postimi në Facebook.

Hoti po ashtu ka thënë se qeveria që ai udhëheqë ka hequr nga diskutimet integritetin territorial të Kosovës.

*

Takimi i radhës në fillim të shtatorit, thotë Lajçak

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, paralajmëroi një raund të ri bisedimesh të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, në fillim të muajit shtator.

Ai tha se për këtë janë pajtuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë bisedimeve që kanë pasur të enjten, më 16 korrik, në Bruksel.

Lajçak, i cili e ka ndërmjetësuar dialogun, konfirmoi se bisedimet janë fokusuar në çështjen e personave të pagjetur dhe të zhvendosur si dhe zhvillimin ekonomik.

Ai tha se të dyja vendet duhet të punojnë ngushtë me Kryqin e Kuq Ndërkombëtarë për të zgjidhur çështjen e personave të pagjetur.

*

Takimi i parë Kosovë-Serbi pa presidentin Hashim Thaçi

Takimi i 16 korrikut në Bruksel, ishte takimi i parë në të cilin nuk mori pjesë ish-bashkëbiseduesi kryesor i Brukselit nga Prishtina - presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Derisa bisedimet po zhvilloheshin në Bruksel, Thaçi po jepte dëshminë në Prokurorinë e Specializuar në Hagë. Thaçi ka një propozim aktakuzë për shqyrtim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Dita e enjte ishte e katërta ditë e intervistimit të tij në Hagë. Pas njoftimit nga ana e prokurorëve se kanë paraqitur aktakuzën te një gjyqtar i procedurës paraprake, zyrtarët e BE-së e ndërprenë komunikimin me Thaçin. Dialogu në Bruksel filloi në mars të vitit 2011 me diskutime për çështje teknike. E në tetor të vitit 2012, procesi kaloi në nivelin politik. Negociatat atëbotë u zhvilluan ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nga kryeministrat e atëhershëm, Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi.

*

Presidenti Thaçi i bindur në pafajësinë e tij

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është kthyer të premten në Kosovë nga Haga. Në një fjalim drejtuar publikut të shtunën në mbrëmje më 18 korrik, presidenti Thaçi, bëri thirrje për dialog mes forcave politike në Kosovë, për debat të shëndetshëm mes qeverisë dhe opozitës dhe theksoi nevojën për unitet në raport me dialogun me Serbinë.

Ai tha se ky process i Gjykatës Speciale nuk do ta rishkruajë historinë, përkundrazi, historia e rezistencës së Kosovës do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush.

Presidenti tha se në Hagë është intervistuar për 30 orë dhe "në ballafaqim me organin e akuzës” është njoftuar "për pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar” dhe u është përgjigjur pyetjeve të tyre.

Presidenti tha se "i mbetet prokurorit dhe gjykatësit që të vlerësojnë me paanshmëri dhe me mendje të hapur dëshminë e tij”, duke u shprehur i bindur se ata lehtë mund të vijnë në përfundimin se Thaci nuk ka bërë asnjë lloj krimi apo shkelje të pretenduara.

*

Presidenca kundër rikthimit të dialogut teknik

Shefi i kabinetit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që është edhe këshilltari kryesor i tij, Bekim Çollaku, ka thënë se rinisja e dialogut teknik të udhëhequr nga BE-ja nuk është në interesin e Kosovës.

”Ai është dizajnuar për të justifikuar hapjen e më shumë kapitujve për pranimin e Serbisë në BE, teksa e lë Kosovën të izoluar dhe në status quo. Qëllimi duhet të jetë marrëveshja përfundimtare politike me njohje reciproke”, tha Çollaku përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

*

Opozita kritikon Hotin për qasjen në dialog me Serbinë

Partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë kritikuar kryeministrin Hoti për raundin e ri të dialogut në Bruksel, që u zhvillua më 16 korrik.

LVV dhe PDK kanë thënë se Hoti nuk është i përgatitur dhe nuk ka platformë të qartë për dialog.

Edhe këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, pasi Bashkimi Evropian paralajmëroi se dialogu i nivelit teknik do të rikthehet më 22 korrik.

Çollaku tha se Kosovës i duhet një marrëveshje përfundimtare e jo një dialog teknik, që nuk është në interes të shtetit.

Më 16 korrik, pas 20 muajsh, Kosova dhe Serbia zhvilluan raundin e ri të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.

Hoti, që u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, tha se në këtë takim është folur për të zhdukurit dhe ekonominë.

*

PDK thotë se Hoti nxitoi që shkoi në Bruksel 

Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar kryeministrin Avdullah Hoti për pjesëmarrje në takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se kryeministri Hoti u nxitua që shkoi në takim pasi procesi ka paqartësi si dhe kryeministri nuk ka mbështetje të nevojshme politike e institucionale. Hoxhaj tha se PDK është kundër qasjes dhe mënyrës se si Qeveria e Kosovës e ka filluar dialogun.

“Takimi në Bruksel tregoi se qeveria e Kosovës nuk është e përgatitur as politikisht e as përmbajtësisht për një proces të tillë. Ajo ka hyrë në dialog pa platformë, pa strategji, pa konsensus, pa koordinim, pa përvojë në këtë proces dhe pa asnjë ekspert”, deklaroi Hoxhaj.

Në paraqitje para mediave, Hoxhaj tha se Qeveria Hoti do të duhej të kërkonte shtyrjen e takimit dhe të përpiqej të arrinte konsensus politik në vend. Po ashtu, sipas tij, kryeministri Hoti ka gabuar që ka pranuar në përcaktimin e temave.

“Për herë të parë është rikthyer në proces të dialogut tema e të zhvendosurve serbë nga Kosova e cila është mbyllur para 15 vjetësh. Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet sa i takon të zhvendosurve serbë”, deklaroi Hoxhaj.

*

KMDLNJ kritikon për diskriminim të qytetarëve në kryerje e testit për Covid-19

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka kërkuar nga autoritetet kosovare që testimet për koronavirus, të bëhen në bazë të nevojave dhe jo në bazë diskriminuese. Në Kosovë po vazhdon numri i lartë i të rezultuarve pozitivë ndaj Covid-19. Por, ka ankesa të shumta nga qytetarët se nuk po u bëhet testi, megjithë simptomet e qarta. Përderisa, ka njerëz, deputetë, të cilët nga dy herë brenda një jave bëjnë testin. Dhe këtë KMDLNJ po e sheh si diskriminuese.

“Për KMDLNJ është e papranueshme, e pakuptueshme dhe e dënueshme, si nga aspekti i të drejtave të njeriut ashtu edhe atij ligjor nëse nuk bëhen testet, madje të detyrueshme në rastet si: kur në një familje ka të prekur nga COVID-19 ndërsa anëtarët që jetojnë me ta nuk iu bëhen testet; kur ka raste që në të njëjtën familje ka anëtarë me sëmundje të rënda kronike; kur simptomat janë të qarta se janë të prekur nga virusi”, thuhet në reagimin e KMLDNJ-së.

Ky këshill po ashtu ka kërkuar nga autoritetet shëndetësore që të tregojnë saktë shkakun e vdekjes së personave të prekur me COVID-19, me qëllim që të mos shkaktohet huti në opinion.

KMDLNJ ka kërkuar po ashtu që të rritet numri i testimeve.

*

Në Kosovë, program për dëshmorët e 15 korrikut

Me rastin e përvjetorit të tentativës për grusht shtet në Turqi më 15 korrik 2016 të orkestruar nga organizata terroriste FETO, që shënohet edhe si Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, në Prishtinë, në të njëjtën ditë u organizua program përkujtimor. Në programin e organizuar në Xhaminë Jashar Pasha, u lexua Kuran, mevlut dhe hatme për dëshmorët e 15 Korrikut. Në programin ku morën pjesë edhe hoxhallarë vendas, Këshilltari i Çështjeve Fetare pranë Ambasadës së Turqisë, Nevzat Sabri Akın tha se viteve të kaluara merrnin pjesë edhe popullata, por këtë vit, për shkak të pandemisë, kanë lexuar hatme vetëm hoxhallarët.

"Më 15 korrik, hoxhallarët tanë i thanë 'ndal' përpjekjes së pabesë për grusht shteti me ezane dhe u lutën shpirtërisht. Qindra vëllezër tanë flijuan jetën. Mijëra njerëz u plagosën e përjetuan shqetësim. Unë i dënoj fuqishëm ata që u përpoqën të kryejnë grusht shteti më 15 korrik, duke i lënë në duar të Allahut organizatën terroriste FETO dhe organizatat e ngjashme terroriste dhe i lutem Allahut që të mbrojë vendin tonë, Kosovën dhe Islamin nga e keqja e tyre", tha Akın.



Lajme të ngjashme