Ambasadori turk në Tiranë: “Në mesin e dëshmorëve të 15 Korrikut ka dhe shqiptarë”

Në përkujtim të 251 dëshmorëve të 15 korrikut 2016, ambasadori turk në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ka mbajtur një deklaratë përmes mediave përpara memorialit të ngritur në Parkun e Liqenit në Tiranë.

1455952
Ambasadori turk në Tiranë: “Në mesin e dëshmorëve të 15 Korrikut ka dhe shqiptarë”
Arnavutluk Tiran 15 Temmuz Demokrasi Şehitleri Anıtı.jpg
Arnavutluk_15 Temmuz.jpg
YÖK_2020 tanıtım faaliyeti.jpg
Merkel_Arnavutluk ve Makonya_ile başlıkların açılması.jpg
Srebrenitsa_mezarlar.jpg
küçük resim_Abaz Hado_karantina resim sergisi_2.jpg
Arnavutluk_15 Temmuz 2020.jpeg
Abaz Hado_karantina resim sergisi_3.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (29/2020)

-Ambasadori turk në Tiranë: Në mesin e dëshmorëve të 15 korrikut ka dhe shqiptarë”

Në përkujtim të 251 dëshmorëve, të cilët sakrifikuan jetën e tyre gjatë tentativës për grusht shteti më 15 korrik 2016, ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük, ka mbajtur një deklaratë, përmes mediave, përpara memorialit të ngritur si shenjë e fitores së demokracisë gjatë tentativës për grusht shteti 4 vite më parë, memorial ky i ndërtuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim-TIKA, në Parkun e Liqenit në Tiranë.

 “Terroristët e egër, të cilët kishin depërtuar në brendësi të ushtrisë sonë heroike dhe nuk ishin besnikë të vendit tonë, por të Fetullah Gylenit, kreut pervers të FETO-s, pikërisht katër vjet më parë, duke synuar shkatërrimin e rendit demokratik dhe kushtetues në vendin tonë, realizuan aksionin më të përgjakshëm terrorist në historinë e Turqisë. Tentativa për grusht shteti dështoi përballë qëndrimit të vendosur të qeverisë dhe të miliona shtetasve tanë heronj, të cilët u derdhën rrugëve sapo dëgjuan thirrjen e presidentit tonë”, tha ambasadori dhe më pas foli për ceremoninë e organizuar duke thënë se atë po e zhvillojmë pranë Memorialit të Dëshmorëve të 15 Korrikut, pikërisht në Parkun e Demokracisë 15 Korriku, memorial i cili i përurua pas Marshimit të Fitores së Demokracisë të organizuar me një pjesëmarrje të gjerë vitin e kaluar në po të njëjtën datë. 

 “Ky memorial mban një kuptim të veçantë jo vetëm për popullin turk, por në të njëjtën kohë edhe për vëllezërit tanë shqiptarë”, tha Yörük, dhe më pas shtoi duke thënë se midis 251 dëshmorëve, që u derdhën rrugëve natën e 15 Korrikut, që sakrifikuan heroikisht jetën për vendin e tyre dhe që emrat e tyre janë shkruar në këtë lapidar, ka edhe shtetas me origjinë shqiptare.

Ambasadori turk tha se ky monument është vlerë e përbashkët e dy vendeve shqiptare-turke dhe duke nënvizuar se ai është sulmuar 4 herë vitin e kaluar, kërkoi hapur nga autoritetet shqiptare t’i dorëzohen drejtësisë ata që kurdisën dhe provokuan nëpërmjet medies sociale këta sulme të urrejtjes dhe ata që i realizuan ato.

Në vijim të fjalës së tij, ambasadori Yörük tha: “Lufta jonë me Organizatën Terroriste Fetullahiste FETO vazhdon me të njëjtën vendosmëri në të gjitha vendet e botës. Lufta jonë me FETO-n nuk është një hakmarrje, ajo është një luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar. Lufta jonë do të vazhdojë deri sa t’i dorëzohen drejtësisë të gjithë anëtarët e kësaj organizate terroriste gjakatare dhe globale.”

Aktualisht FETO vazhdon veprimtarinë e saj në shumë vende të botës nëpërmjet institucioneve arsimore, organeve të shtypit, organizatave fetare dhe të shoqërisë civile, tha Ambasadori dhe më pas theksoi se infiltrimi i njerëzve të tyre nëpër institucione shtetërore është njëlloj si një qelizë kanceroze dhe përpiqet të zërë vend në to.

Ai theksoi se për këtë arsye, FETO nuk është një kërcënim i madh vetëm për Turqinë, por edhe për të ardhmen e çdo vendi ku ajo zhvillon veprimtari.

 “Megjithëkëtë, pavarësisht përpjekjet tona, ndiejmë një keqardhje të thellë ngaqë një strukturë e gjerë e FETO-s ende është e pranishme në Shqipëri”, tha Yörük dhe më pas shtoi se të paktën opinioni publik shqiptar ka formuar një ndërgjegjësim në rritje ndaj FETO-s dhe se është duke u zhvilluar më tej bashkëpunimi me autoritetet shqiptare në luftën kundër FETO-s.

Në vijim të fjalës së tij ambasadori tha: “Kjo situatë ka shkaktuar panik dhe frikë mes pjesëtarëve të FETO-s në Shqipëri. Për këtë arsye, këta në çdo rast dhe me propagandë të pabazuar, po përpiqen të helmojnë marrëdhëniet Turqi-Shqipëri. Por sado të përpiqen, fuqia e tyre nuk do të mjaftojë për të prishur lidhjen vëllazërore dhe marrëdhëniet e veçanta midis Turqisë dhe Shqipërisë. As Turqia dhe as Shqipëria nuk do të bien në këtë kurth.”

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin diplomatë turq të akredituar në Tiranë, përfaqësues të shoqërisë civilë, mediave etj.

Në fund të ceremonisë u këndua një dua-lutje për shpirtrat e dëshmorëve të Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar të Turqisë.

***

-Meta: Masakra e Srebrenicës, gjenocid i një shkalle të paprecedentë në zemër të Evropës 

 “Masakra që ndodhi në Srebrenicë 25 vjet më parë, ishte gjenocid i një shkalle të paprecedentë në zemër të Evropës, që nuk duhej të ishte lejuar të ndodhte”, shprehet Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Ai thekson se 11 korriku 1995 shënon një moment historik të rëndësishëm dhe të paharruar për të gjithë ne.

Ndërsa sot kujtojmë viktimat e pafajshme dhe të gjithë ata që pësuan tmerre të paimagjinueshme në gjenocidin e Srebrenicës, duhet të reflektojmë dhe t’i shqyrtojmë me shumë kujdes veprimet tona, për t’u dërguar një mesazh të qartë brezave të ardhshëm, për të mos i harruar dhe për të mos i lejuar kurrë më të tilla mizori të ndodhin në rajonin tonë”, shprehet Meta.

Presidenti shton se “është e një rëndësie jetike që bashkëjetesa etnike-fetare dhe kulturore të ruhet e të forcohet, pa lejuar askënd të helmojë dhe të përçajë popujt dhe kombet tona, qoftë edhe duke ricikluar ide që sjellin ndërmend shpërnguljet masive, në mënyrë që tragjeditë e përjetuara t’i përkasin vetëm të kaluarës së hidhur por jo shumë të largët të rajonit”.

“Duke ju bashkuar sot lutjeve për shpirtrat e viktimave dhe dhimbjes së patreguar që përjetuan popujt dhe kombet e Ballkanit, në nderim të kujtimit të tyre, duhet të forcojmë bashkëpunimin dhe bashkëjetesën për të ecur përpara drejt të ardhmes së përbashkët në Bashkimin Evropian”, deklaron Presidenti.

***

-Presidenti i OSBE-së, Rama: Duke kujtuar Srebrenicën, duhet të dalim përtej përkujtimit dhe fjalëve dhe të mësojmë në mënyrë aktive leksionet

Duke shprehur respektin e tij ndaj viktimave boshnjake të gjenocidit të Srebrenicës në 1995, Presidenti i OSBE-së, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi se në kujtimin e këtij krimi mizor, duhet të dalim përtej përkujtimit dhe fjalëve dhe të mësojnë në mënyrë aktive leksionet.

“Shkalla dhe egërsia e këtij gjenocidi është një tragjedi që rëndon sot mbi shpirtin tonë, edhe 25 vite më vonë”, tha ai.

“Unë shpreh respektin ndaj viktimave që u vranë pa mëshirë dhe ofroj ngushëllimet e mia të thella për familjet e atyre që humbën jetën”, shtoi ai.

Kryeministri tha se ishte i trishtuar dhe i shqetësuar nga një prirje në rritje për të rishkruar historinë e krimeve që u shpalosën në Srebrenicë dhe zonat përreth, në verën e vitit 1995.

“Rishkrimi me qëllimin e keq i historisë mund të çojë në të njëjtat gabime dhe krime që po bëhen përsëri.Gjyqtarët lokalë dhe ndërkombëtarë kanë dokumentuar atë që ndodhi në Srebrenicë dhe rrethinat e saj në vitin 1995. Kjo nënvizon domosdoshmërinë e dhënies së drejtësisë. Mosndëshkimi nuk është opsion”, tha ai.

Ne gjithmonë themi se Srebrenica nuk duhet të përsëritet kurrë, por vetëm disa vite më vonë pati një konflikt shkatërrues në Kosovë”, tha Rama.

“Përgjegjësia për krimet u takon atyre që i kanë kryer. Por, shoqëritë janë gjithashtu fajtore nëse ato nuk kujtojnë dhe nuk mësojnë nga leksionet e asaj që ndodhi në Srebrenicë”, përfundoi ai.

***

-Ambasada e Turqisë në Tiranë njofton për organizimin e panairit virtual për promovimin e universiteteve turke 

Këshilli i Arsimit të Lartë i Turqisë mes datave 20-22 korrik do të organizojë panair virtual në lidhje me promovimin e universiteteve turke si dhe studimit në Turqi.

Sipas njoftimit të Ambasadës së Turqisë në Tiranë, panairi "Studio në Turqi YÖK Panairi Virtual 2020" do të zhvillohet nëpërmjet ueb-faqes "www.virtualfair-yok.gov.tr".

Në njoftim nxënësit ftohen për të studiuar në universitete turke, të cilat në shumë fusha përfshirë shëndetësi, inxhinieri dhe shkencat ekonomike japin arsim cilësor dhe të kualifikuar.

"Mos e humbni mundësinë për t'i realizuar ëndrrat tuaja për të ardhmen me diplomën që do ta merrni në universitetet në Turqi, duke shijuar privilegjin e mikpritjes së gjerë të popullit turk, e cila diversitetin dhe ndryshimin e sheh si pasuri dhe ku jetojnë së bashku qytetërimet dhe kulturat e Lindjes dhe Perëndimit", thuhet në njoftim.

Duke u përgjigjur në pyetjen "pse të studioni në Turqi?", njoftimi rendit, mundësitë e arsimit të lartë cilësor, diversitet i universiteteve dhe programeve, jetë multikulturore, bukuritë natyrore, përvojë historike dhe kulturore, vend miqësor për studentët, populli turk mikpritës, kampusët teknologjik, kushtet e lehta të jetesës dhe mundësia për mësimin e gjuhës turke.

***

-Merkel: Kapitujt e negociatave me Tiranën të hapen brenda vitit

Gjatë seancës plenare të Parlamentit Evropian në Bruksel, kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila prezantoi programin e veprimtarive të presidencës gjermane, mbrojti perspektivën e pranimit për Ballkanin Perëndimor si një nga përparësitë e kësaj presidence.

“Ne duhet të përfshihemi në diskutime me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha ajo.

“Berlini dëshiron që Blloku Evropian të hapë kapitujt e parë të bisedimeve të pranimit me Shkupin dhe Tiranën këtë vit, si një shenjë e perspektivës së anëtarësimit të premtuar për vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Merkel midis të tjerave para anëtarëve të PE-së.

Kujtojmë se Gjermania mori më 1 korrik presidencën e radhës së BE-së.

***

-Në Tiranë çelet ekspozita “Fituam jetën” me punime të realizuara gjatë karantinës

Periudha e karantinës gjatë pandemisë COVID-19 ka ndikuar edhe në jetën dhe veprimtarinë e artistëve, të cilët me punimet e tyre sjellin për artdashësit ekspozita me punime të realizuara gjatë izolimit. 

Nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë në Tiranë është hapur ekspozita me piktura me temë “Fituam jetën”,e artistit dhe kritikut të artit Abaz Hado.

Sipas autorit, simbolika e kohës në këtë ekspozitë lidhet me kohën e COVID-19, kohën e trëndafilave dhe kohën e “qyteteve pa jetë”, sidomos duke pasqyruar momente nga jeta gjatë karantinës.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, gjatë fjalës përshëndetëse në ceremoninë e hapjes tha se ekspozita hapet në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.

"Në një periudhë shumë të vështirë kemi vendosur për të hapur këtë ekspozitë, në kohën e koronavirusit. Sa herë që ato janë në një ekspozitë të tillë ka akoma më tepër kënaqësi të veçantë për realizmin e kësaj ekspozite, për mesazhet që ajo përcjell, por qoftë edhe për idetë e realizimit të gjërave që na sjellin dhe bëjnë më të afërt me artin", tha Koçi.

Ndërkohë, autori i ekspozitës, Abaz Hado, gjatë fjalës së tij, duke iu referuar edhe ngjarjeve nga jeta e tij tha se me anë të ekspozitës synonte të pasqyronte momentet gjatë karantinës.

"Ato shtëpitë tona janë kaq të rëndësishme, kaq të bukura dhe kaq të ëmbla, saqë ne nëpërmjet tyre përballojmë vazhdimisht dhe kemi ngushëllimet tona dhe ato kënaqësitë tona kur komunikojmë me njerëzit e dashur të familjes. Unë doja të sillja këtë eksperiencë se si ne përcjellim momentet e mbylljes. Shikoja se si qyteti nuk kishte më zë, nuk kishte më zhurmë dhe këtë jam përpjekur të sjellë", theksoi Hado.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme