Ambasadorja Ozan: Lufta kundër FETO-s jashtë vendit vazhdon me vendosmëri

Ambasadorja e Turqisë në Mal të Zi, Songül Ozan tha se lufta kundër strukturës së FETO-s jashtë vendit vazhdon të jetë një ndër pikat më me prioritet të agjendës së Turqisë.

1455380
Ambasadorja Ozan: Lufta kundër FETO-s jashtë vendit vazhdon me vendosmëri
türkiye-nin yeni podgorica büyükelçisi songül ozan.jpg
Türkiye Podgoritsa B.Elçiliği.jpg
15 temmuz.jpg
15 Temmuz.1.jpeg
15 temmuz halk.jpg

Ambasadorja Ozan: Lufta kundër FETO-s jashtë vendit vazhdon me vendosmëri

Me rastin e 4-vjetorit të grushtshtetit të dështuar në Turqi, Ambasadorja e Turqisë në Mal të Zi në një deklaratë për media ka folur rreth kësaj tentative të dështuar nga ana e organizatës terroriste FETO, e cila më 15 Korrik të vitit 2016 në Turqi synonte marrjen e pushtetit me forcë, pushtet i zgjedhur përmes votës së lirë dhe demokratike.

Ambasada e Turqisë këtë vit zgjodhi t’i drejtohet opinionit me një deklaratë për shtyp, sepse për shkak të pandemisë së koronavirusit ishte e pamundur të organizonte pritje për mysafir dhe të ftuar ashtu siç ishte praktikuar tash 4 vite me radhë.

Duke kujtuar 15 Korrikun e vitit 2016 Ambasadorja e Turqisë në Mal të Zi Songul Ozan nënvizoi se ajo çfarë ka ngjarë atë ditë, nuk ishte grushtshtet i mirëfilltë. Në momentet e para vijoi ajo, kur janë parë avionët luftarakë mbi Ankara dhe Stamboll kemi kuptuar se diçka e pabesueshme po ngjet. Në orët ne vijim, ky përjetim i çuditshëm është sforcuar me të dhënat që kjo është diçka më shumë se një tentativë për një grushtshteti dhe se shkaktarët e kësaj ndodhie janë pasuesit e Fetullah Gulenit.

Është e pamundur,- tha me tej Ambasadorja Ozan,- që të gjenden fjalë adekuate për të përshkruar brutalitetin dhe tradhtinë, që kanë treguar atë mbrëmje pjesëtarët e grushtshtetit.

Ambasadorja Songul Ozan këtë e cilësoi si aktin terrorist më të përgjakshëm në historinë e Republikës së Turqisë. Ata kanë përdoru armë vdekjeprurëse kundër civileve të pafajshëm, të cilët kishin dalë në rrugë në mbrojtje të demokracisë dhe institucioneve. Në deklaratë më tej thuhet se puçistët kanë vrarë ushtarakë të pafajshëm dhe komandantë, të cilët kanë refuzuar që të bëhen pjesë e kësaj tentative.

Puçistët,- nënvizoi me tej Ambasadorja,- kanë bombarduar Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë, Presidencën, Ndërtesën e Shërbimit Informativ Kombëtar (MIT) dhe qendrën e njësisë speciale të Policisë. Atë mbrëmje, janë vrarë 251 shtetas turq, ndërsa mbi 2.000 qytetarë janë plagosur. Sipas saj, 15 Korriku ka qenë provimi i mbijetesës dhe forcës për shtetin dhe demokracinë turke.

Ne jemi krenar,- tha ajo,- që e kemi tejkaluar këtë provim. Forcat e armatosura dhe qytetarët që nuk kanë qenë pjesëtarë të forcave të policisë, si dhe mediat, të gjithë bashkë u ngritën kundër puçistëve. Populli turk pavarësisht përkatësitë politike u ngrit dhe doli para tankeve dhe duke kërkuar të drejtat e tij demokratike u bë shembull i solidaritetit historik. Ambasadorja Ozan më tej veçoi se tashmë është më se e qartë që pas kësaj tentative gjakatare qëndron Fetullah Gulen dhe pasardhësit e tij. Synimi i tyre ka qenë që të marrin kontrollin e shtetit turk.

Gulen prej vitesh i ka orientuar ndjekësit e tij që të infiltrohen në të gjitha organet e institucionet shtetërore, siç është Policia, Gjyqësor, Forcat e Armatosura dhe shkollat. Të ashtuquajturit “Gulenistë” paraqesin shembullin tipik të radikalizimit të kultit personal. Nisur nga të gjitha këto, qeveria turke edhe para 15 Korrikut ka ndërmarrë masa kundër kësaj organizate terroriste dhe burimeve të tyre financiare.

Më pas Ambasadorja foli për masat konkrete që janë ndërmarrë ndaj  pjesëtarëve te FETO-s duke nënvizuar atë që Turqia ka të drejtë dhe obligim që të ndërmarrë masat e nevojshme kundër atyre që janë të orientuar të veprojnë kundër shtetit dhe popullit. Në vende të ndryshme kemi zbuluar veprimet e paligjshme iniciuar nga strukturat e lidhura me FETO-n. Për më shumë se 120 anëtarë pjesëtarë të kësaj organizate terroriste, nga më shumë se 20 shtete si dhe ata që janë depërtuar në vendet e treta, është mundësuar ekstradimi i tyre në Turqi.

Më tej znj. Ozan shtoi se deri tani në 38 shtete në tërësi ose pjesërisht është pezulluar aktiviteti i të ashtuquajturave kurse të gjuhës. 20 shkolla të këtij lloji i janë bashkangjitur fondacionit «Maarif». Krahas kësaj Turqia në 22 vende ka hapur shkolla të reja në kuadër të këtij fondacioni.

Ne, tha  Ambasadorja Songul Ozan jemi të përkushtuar në forcimin e identitetit demokratik, sepse e dimë që kjo është mënyra e vetme e luftës kundër ç’do forme të terrorizmit dhe manifestimeve të tij.

“Pas tentativës së grushtshtetit të 15 Korrikut shteti i Malit të Zi në çdo rast ka treguar përkrahje dhe solidaritet me ne”,- tha Ambasadorja Ozan. Sipas saj Mali i Zi nuk i ka dhënë mundësi veprimi organizatës FETO në Mal të Zi, e me këtë ka dëshmuar miqësinë e vërtetë dhe aleancën që ka me ne. Prandaj me këtë rast dëshiroj t’i falënderoj edhe një herë Qeverinë e Malit të Zi, njerëzve të politikës, Bashkësinë Islame dhe të gjithë miqtë në Malin e Zi për solidaritetin që kanë treguar ndaj nesh. Ne si shtet me përkrahjen dhe bashkëpunimin e miqve tanë, siç është Mali i Zi, do të vazhdojmë me të njëjtën vendosmëri luftën kundër organizatës FETO.

Me këtë rast ambasadorja Ozan uroi qeverinë dhe qytetarët e Malit të Zi me rastin e 13 Korrikut, Dita e Shtetësisë së Malit të Zi.

- Përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme