Sot filluan votimet treditore për zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut

Për 120 ulëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut do të garojnë 15 koalicione dhe parti politike me gjithsej 1.560 kandidatë.

1454293
Sot filluan votimet treditore për zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut

Maqedoninë e Veriut ka filluar procesi treditor i votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Procesi i votimit në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare për herë të parë do të zhvillohet tre ditë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Sot (13 korrik) do të votojnë personat e infektuar me COVID-19 dhe personat në vetizolim. Komisionet zgjedhore komunale (KZK) kanë miratuar 716 kërkesa për votim të personave që janë të infektuar me COVID-19 ose janë në vetizolim.

Deri te KZK kanë arritur mbi 770 kërkesa të tilla, ndërsa prej gjithsej 80 komunave, në 57 do të votojnë të infektuarit me COVID-19 dhe personat në vetizolim.

Votimet e sotme do t'i zbatojnë këshilla të veçanta zgjedhorë që përbëhen nga përfaqësues të stafit mjekësor dhe përfaqësues të partive politike.

Të martën, më 14 korrik, do të votojnë të sëmurët, të pafuqishmit, të sëmurët kronik, personat në burgje, në shtëpitë e pleqve dhe në arrest shtëpiak. Votimin do ta kryejnë këshillat zgjedhorë.

Sipas informatave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), nga gjithsej 9.499 persona që janë pjesë ndonjërës nga kategoritë e lartpërmendura, në KZK janë miratuar kërkesat e 8.852 personave të cilët në përputhje me udhëzimet kanë dërguar dokumentacion përkatës mjekësor për të dëshmuar se kanë nevojë për votim në shtëpinë e tyre.

Në ditën e zgjedhjeve, të mërkurën (15 korrik), do të votohet në 3.390 vendvotime në gjashtë njësitë zgjedhore, ku gjithsej të drejtë vote kanë 1.814.263 qytetarë të regjistruar në Listën Zgjedhore.

Për 120 ulëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut do të garojnë 15 koalicione dhe parti politike me gjithsej 1.560 kandidatë.

Pas prezantimit të pluralizmit politik, vendi ka mbajtur pesë herë zgjedhje të rregullta parlamentare dhe katër herë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zgjedhjet e para parlamentare u mbajtën kur vendi ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, ndërsa zgjedhjet tjera u mbajtën pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1991. (AA)



Lajme të ngjashme