Rifillon dialogu Kosovë-Serbi, e presidenti Thaci sot në Hagë para Gjykatës Speciale

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka udhëtuar të dielën nga Aeroporti i Tiranës për në Hagë, ku sot, të hënën më 13 korrik, do të paraqitet për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale.

1453919
Rifillon dialogu Kosovë-Serbi, e presidenti Thaci sot në Hagë para Gjykatës Speciale
Kosova Cumhurbaşkanı_Hashim Thaçi asker uniforma ile.jpg
Kosova_Diyanet_Covid_tedbirler.jpg
Kosova Başbakanı_Avdullah Hoti_koronavirüs yeni tedbirler.jpg
Miroslav Lajçak_Kosova-Sırbistan görüşmeleri yeniden başlıyor.jpg
Kosova liderleri_Srebrenitsa yıldönümü.jpg
Kosova_koronavirüs_vakalar.jpg

Rifillon dialogu Kosovë-Serbi, e presidenti Thaçi sot në Hagë para Gjykatës Speciale

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka udhëtuar të dielën nga Aeroporti i Tiranës për në Hagë, ku sot, të hënën më 13 korrik, do të paraqitet për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale.

“Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore. Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit. Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar”, ka shkruar ai në Facebook.

Thaçi ka bërë thirrje për unitet që “të përballohen sfidat me të cilat po përballet vendi”.

Pas publikimit të aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj Thaçit, kreut të PDK-së, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, presidenti Thaçi kishte paralajmëruar se do të dorëhiqet nëse aktakuza i konfirmohet. Më 24 qershor, Prokuroria Speciale ka bërë publike propozim-aktakuzat ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

*

Thaçi pajtohet për zgjatjen e mandatit të Eulex-it në Kosovë 

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është pajtuar për zgjatje teknike njëvjeçare të mandatit të misionit të EULEX-it me një letërkëmbim me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell.

Sipas një njoftimi nga Zyra e Presidentit të Kosovës, zgjatja teknike po bëhet pasi që pandemia e COVID-19 ka pamundësuar negociatat për të ardhmen e mandatit të EULEX-it.

Në letërkëmbimin e tij, presidenti Thaçi ka shprehur gatishmërinë që “gjatë këtyre rrethanave të jashtëzakonshme, Kosova pajtohet për një zgjatje teknike të EULEX KOSOVA, më së voni deri më datën 14 qershor 2021”.

Në përgjigjen e tij, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, pranon këtë pajtueshmëri për zgjatje teknike njëvjeçare të EULEX-it dhe thekson mbështetjen e BE-së për Kosovën, me theks të veçantë te mbështetja në këto kohë të “sfidave të pa precedencë” të shkaktuara nga pandemia.

Mandati i EULEX-it është negociuar çdo dy vite dhe gradualisht është zvogëluar mandati dhe janë bartur kompetencat tek organet vendore.

*

Njohja reciproke, është qëllimi i dialogut me Serbinë, thotë kryeministri Hoti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti përsëriti se dialogu nuk ka alternativë dhe se vetëm përmes dialogut mund të zgjidhen çështjet me Serbinë. Ai në një konferencë për media të dielën (12 korrik), theksoi se në këtë proces hyjnë për qëllimin e njohjes reciproke dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy vendeve.

Sipas tij, marrëveshja finale duhet të përfshi njohjen reciproke, adresimin e çështjes të së pagjeturve, dëmet e luftës, kthimin e dokumenteve kadastrale, rregullimi i marrëdhënieve ekonomike në mes të dy vendeve, lidhjet infrastrukturore.

Ai konfirmoi arritjen e pajtueshmërisë në parim që më 16 korrik të zhvillohet takimi i parë ne Bruksel.

"Këto janë tema që do të jenë pjesë e procesit të dialogut nga e enjtja e tutje", tha Hoti.

Hoti tha se në Bruksel ai do të përfaqësojë shtetin e Kosovës si kryeministër, dhe bashkë me të do të jetë edhe delegacioni shtetërorë i cili përfaqëson koalicionin qeverisës, duke shtuar se gjithashtu është "shtrirë dora tek opozita që të jetë pjesë e këtij procesi".

Dialogu Prishtinë - Beograd, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, u zhvillua të dielën më 12 korrik në Bruksel përmes një video-konference.

Takimi i së dielës ishte paraparë fillimisht të zhvillohej në Bruksel me praninë fizike të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, ky takim është shtyrë për datën 16 korrik në Bruksel. 

*

Lajçak i lumtur që dialogu është kthyer në rrugë të drejtë

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, tha të dielën më 12 korrik, se me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq është pajtuar që bisedimet të vazhdojnë të enjten më 16 korrik.

Lajçak u shpreh i lumtur se pas këtij takimi virtual ndërmjet dy delegacioneve si dhe pas takimit të Parisit, dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve është kthyer në rrugë të drejtë pas 20 muajsh.

Dialogu, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011. Ky proces u ndërpre në fund të vitit 2018. Tani, këtë muaj, dialogu rifilloi.

*

Qëllimi i BE-së është të arrihet marrëveshje ligjërisht e obligueshme, thotë Borrel

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrel, tha se qëllimi i Bashkimit Evropian është të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme e cila është tejet e rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, por edhe vet Bashkimin Evropian.

"BE-ja ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë lehtësues i përpjekjeve për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Marrëveshja është thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, po ashtu është edhe për vet Bashkimin Evropian".

Borrel tha se e dinë se nuk është proces i lehtë dhe se nuk ka qenë asnjëherë.

“Por duhet të punojmë për të ardhmen e përbashkët. Kjo kërkon vullnet politik nga të dyja palët dhe angazhim, nuk ka qenë asnjëherë e lehtë", tha Borrel.

*

Qeveria ashpërson masat ndaj Covid-19 

Qeveria e Kosovës, ka paralajmëruar ashpërsimin e masave për të frenuar përhapjen e sëmundjes COVID-19. Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha të dielën se do te fillojë një zbatim shumë rigoroz i masave ekzistuese kundër përhapjes së koronavirusit. Ai po ashtu nuk e përjashtoi fillimin e ndjekjes së procedurave kushtetuese për gjendje të jashtëzakonshme. Hoti ka bërë të ditur se do të ndalohen tubimet publike dhe ritet fetare.

Në bazë të shifrave me COVID-19, Hoti, ka thënë se gjendja po rëndohet dhe se kapacitetet shëndetësore gati janë të limituara.

Ai tha se janë duke bërë përpjekje që të rrisin kapacitetet shëndetësore gjatë ditëve në vijim për shkak të numrit të madh të rasteve.

“Masat shtesë që do të propozohen sot në mbledhjen e qeverisë do të jenë më shumë rigoroze. Është e papranueshme që po organizohen ahengje dhe dasma nëpër qytete të ndryshme anë e mbarë Kosovës”, tha Hoti.

Ashpërsimi i masave për parandalimin e përhapjes së korinavirusit pason pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në tre javët e fundit.

Vetëm gjatë tre ditëve të fundit, në Kosovë janë shënuar 615 raste me COVID-19 pozitiv.

Ndërkaq, numri i përgjithshëm i të infektuarve deri të shtunën ka arritur në 4.71. Ndërsa janë shënuar 101 raste të vdekjeve.

Me këto shifra të larta, Kosova ka kaluar në vendin e tretë në Europë, me numër të të infektuarve në 100 mijë banorë. Kurse në shkallë të rasteve që shpesh sillen rreth 50%, Kosova ndodhet bindshëm në vendin e parë në Europë.

Që prej 6 korrikut, në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Vushtrri është ndaluar lëvizja e qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 5:00.
Në këtë interval kohor e kanë të ndaluar të ushtrojnë aktivitetin e tyre edhe bizneset e gastronomisë, të cilët ditën mund të operojnë vetëm në ambiente të hapura.

*

Edhe 216 raste të reja me Covid-19

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar të dielën mbrëma (12 korrik), se janë regjistruar edhe 216 raste të reja si edhe një viktimë me koronavirus. Rastet e reja janë rezultat i testimit të 493 mostrave. Sipas institutit, rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 115 raste, komuna Drenas e Fushë Kosovë me nga 16 raste, komuna Lipjan 14 raste, komuna Podujevë 12 raste, komuna Mitrovicë 10 raste, komuna Skenderaj 6 raste, komuna Obiliq e Vushtrri nga 4 raste, komuna Shtime, Kaçanik e Suharekë nga 3 raste, komuna Prizren e Deçan nga 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Ferizaj, Klinë, Malishevë, Pejë, Rahovec dhe Viti.

*

Bashkësia islame pezullon ligjëratat fetare, nuk lejon faljen e mbi 50 personave në xhami 

Bashkësia Islame e Kosovës njofton se për shkak të mbrojtjes sa më të mirë nga Covid-19, ka pezulluar ligjëratat e tribunat fetare, mësimbesimin dhe shkollën verore nëpër xhami.

Nëpër të gjitha xhamitë në vend nuk lejohen të falen më shumë se 50 persona, po ashtu të bëhet shenjëzimi i vendeve se ku mund të falen besimtarët. U ndalohet imamëve të marrin pjesë në të pame dhe namazi i xhumasë të falët nga dy herë në xhamitë qendrore – varësisht nga nevoja.
Po ashtu, u mor vendim që të gjithë besimtarët të mbajnë maskë gjatë faljeve të namazeve, të përdorin sexhadën e tyre personale, të përdorin dezinfektues para shkuarjes në xhami dhe personat mbi 65-vjeç dhe ata nën 16-vjeç të falen në shtëpi.
Në mbledhjen e kryesisë së Bashkësisë Islame u tregua edhe njëherë përkushtimi i Bashkësisë Islame të Kosovës që të bashkëpunojnë ngushtë me të gjitha institucionet shëndetësore, duke iu bërë ftesë institucioneve të mos nguten në vendime për të mbyllur objektet fetare, duke pasur parasysh se Bashkësia Islame ka marrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së kësaj pandemie.

*

Liderët e Kosovës bashkëndiejnë vuajtjet e gjenocidit të Srebrenicës

Zyrtarët e lartë të Kosovës kanë dërguar mesazhe mbështetjeje për popullin boshnjak dhe Bosnjë e Hercegovinën, në përvjetorin e 25 të gjenocidit të Srebrenicës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi se gjenocidi në Srebrenicë nuk mund të harrohet kurrë dhe në emër të Qeverisë së Kosovës dhe për nder të viktimave të këtij gjenocidi, ai kërkoi që të mbahet një minutë heshtje në të gjithë Kosovën në ora 13.

E kryetari I VV-së Albin Kurti përmes një postimi të gjatë në Facebook, vec tjerash ka shkruar se ajo çka ka ndodhur në Srebrenicë është gjenocid. “Jo vetëm sepse e ka parë gjithë bota, por këtë e ka vërtetuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë” ka shkruar Kurti.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj ka shkruar se Srebrenica është fytyra e vërtetë e Serbisë millosheviqjane, ashtu siç pasuan vrasjet e masakrat mbi popullin tonë.

Kurse kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli e ka quajtur gjenocid të tmerrshëm Srebrenicën.

Ndërkaq, qendra Kulturore Informative Boshnjake, së bashku me Qendrën për të Drejtën Humanitare të Kosovës dhe Nismën Rinore për të Drejtat e Njeriut organizuan shënimin e 25-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës. Tarik Musiç, menaxheri i Qendrës Boshnjake thotë se shqiptarët bashkëndjejnë dhimbjen e popullit boshnjak.



Lajme të ngjashme