Pandemia e COVID-19 vazhdon të rrezikojë trevat shqiptare

Institucionet shëndetësore të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të raportojnë për rritjen e rasteve të infektimit me COVID-19.

1453629
Pandemia e COVID-19 vazhdon të rrezikojë trevat shqiptare

Institucionet shëndetësore në Shqipëri kanë konfirmuar se janë regjistruar edhe 4 vdekje të tjera dhe 83 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19) në 24 orët e fundit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që i referohet Institutit të Shëndetit Publik, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në Shqipëri që nga fillimi i pandemisë është rritur në 3.454 dhe numri i të vdekurve në 93.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 420 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe numri më i madh i rasteve të reja pozitive është regjistruar në Tiranë.

“Situata në spitalin infektiv vijon të paraqitet e rënduar. Në 24 orët e fundit ka shtim të pacientëve edhe të moshave të reja”, theksohet në njoftimin e ministrisë.

Ndërkohë janë shëruar edhe 65 qytetarë, duke e rritur në 1.946 numrin e të shëruarve dhe 1.415 persona janë aktivë me COVID-19, në disa qytetet të vendit.

Ndërkaq autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se edhe 4 persona të diagnostikuar pozitiv me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur, duke çuar në 101 numrin e rasteve të vdekjeve nga ky virus.

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), edhe 203 pacientë të rinj janë infektuar me koronavirus, ndërsa numri i të infektuarve është rritur në 4.715.

Rastet pozitive janë nga komuna të ndryshme të Kosovës nga të cilat me numër më të madh janë regjistruar në Prishtinë.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK janë testuar gjithsej 419 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga data 8 shkurt e këtij viti deri më tani janë testuar gjithsej 27.723 mostra.

Të dhënat e fundit sa i përket të shëruarve nga koronavirusi njoftojnë për 71 pacientë të rinj ndërsa deri më tani numri i përgjithshëm i të shëruarve ka shkuar në 2.227 raste.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19) tetë persona kanë ndërruar jetë dhe janë zbuluar 199 raste të reja me këtë virus.

Numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 në vend arrin në 7.975, i të shëruarve në 4.080, ndërsa numri i viktimave në 376. Aktualisht, numri i rasteve aktive është 3.519.

Siç informon Ministria e Shëndetësisë, sot janë raportuar 120 persona të shëruar nga COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 1.545 teste, ndërsa numri i përgjithshëm i testeve të kryera deri më tani kap shifrën 76.107. (AA)



Lajme të ngjashme