Kroaci – Bashkimi Demokrat Kroat i Kryeministrit Plenkoviç fiton zgjedhjet parlamentare

Partia e qendrës së djathtë në pushtet, Bashkimi Demokrat Kroat (HDZ), nën udhëheqjen e Kryeministrit Andrej Plenkoviç, fitoi zgjedhjet parlamentare të së dielës në Kroaci.

1449686
Kroaci – Bashkimi Demokrat Kroat i Kryeministrit Plenkoviç fiton zgjedhjet parlamentare

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (DIP) bëri me dije se pas numërimit të mbi 91% të votave, HDZ-ja do të ketë 67 nga 151 vendet në Parlamentin e Kroacisë, ndërsa rivalët e tyre kryesorë, koalicioni “Restart” i udhëhequr nga Partia Socialdemokrate (SDP), vetëm 41 vende.

HDZ-ja në pushtet gjithashtu pritet të fitojë 3 vendet e rezervuara për zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit.

Kryeministri i vendit dhe lideri i HDZ-së, Andrej Plenkoviç, falënderoi të gjithë votuesit dhe premtoi se do të punojë fuqishëm duke filluar nga mëngjesi i ditës së parë të javës.

“Faleminderit për fitoren e shkëlqyeshme sot. Populli ka zgjedhur rrugën në të cilën ai dëshiron që Kroacia të përparojë. Periudha që lamë pas ishte sfiduese, por plot me përvoja. Ndërsa periudha e ardhshme ka përgjegjësi të mëdha”, deklaroi ai.

Plenkoviç tha se do të ndiejnë gjithmonë mbështetjen e popullit përgjatë 4 viteve në vijim.

Lëvizja “Atdheu” e këngëtarit Miroslav Skoro, një aleate natyrore e HDZ-së, pritet të marrë 16 mandate dhe të dyja këto parti mund ta kontrollojnë të vetme këtë legjislaturë.

Lista e të Pavarurve “MOST” pritet të ketë 8 dhe koalicioni “Mozhemo” 7 vende në Parlamentin e Kroacisë.

Koalicioni i udhëhequr nga HDZ-ja pati fituar edhe zgjedhjet e përgjithshme të 2016-s në Kroaci, shteti anëtar më i ri i Bashkimit Evropian.



Lajme të ngjashme