Vijon rritja e rasteve me COVID-19 në Ballkan, Maqedonia e Veriut shënon rekordin ditor të vdekjeve

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka njoftuar të enjten se në 24 orët e fundit janë regjistruar 15 raste të reja të vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19), numër rekord i vdekjeve brenda ditës në vend.

1447877
Vijon rritja e rasteve me COVID-19 në Ballkan, Maqedonia e Veriut shënon rekordin ditor të vdekjeve

Me 15 vdekjet e reja gjatë ditës së fundit, numri i përgjithshëm i viktimave është rritur në 321. Gjithashtu janë regjistruar 173 raste të reja me COVID-19, me çka numri i rasteve është rritur në 6.625.

Nga ministria informojnë se në 24 orët e fundit janë regjistruar 150 të shëruar nga koronavirusi, me çka numri i përgjithshëm i të shëruarve është 2.748, ndërsa aktualisht ka 3.556 raste aktive.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 1.653 teste, ndërsa numri i përgjithshëm i testeve të kryera deri më tani kap shifrën 63.383.

Kurse në Shqipëri vazhdon rritja e rasteve pozitive me COVID-19, pasi janë regjistruar edhe 82 raste të reja, ndërkohë edhe 3 persona të tjerë kanë ndërruar jetë gjatë 24 orëve të fundit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në Shqipëri që nga fillimi i pandemisë, së bashku me rastet e reja, është rritur në 2.662 dhe numri i të vdekurve në 69 gjithsej.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 368 teste për të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe rastet e reja pozitive janë regjistruar në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Në vend janë shëruar 43 qytetarë duke e çuar në 1.559 numrin e pacientëve të shëruar, ndërsa raste aktive janë aktualisht 1.034.

Që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë kryer gjithsej 27.671 teste. / AA



Lajme të ngjashme