Gjykata Speciale shqyrton aktakuzën e propozuar për Presidentin Thaçi

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim.

1445564
Gjykata Speciale shqyrton aktakuzën e propozuar për Presidentin Thaçi
Hashim Thaçi_suçlamalar.jpg
ABD_Kosova Bayrakları.jpg
Albin Kurti_UÇK.jpg
Lahey özel uluslararası savaş suçları mahkemesi.jpg
Ramush Haradinaj_Hashim Thaçi_Kadri Veseli.jpg
Kosova Hükümeti_Avdullah Hoti_toplantı.jpg
Kosova_koronavirüs_vakalar.jpg

Gjykata Speciale shqyrton Aktakuzën e propozuar për presidentin Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ndërprerë vizitën e planifikuar më 27 qershor në Uashington, pasi të mërkurën Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim. Aty presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Emrat e të tjerëve nuk janë bërë publike në një komunikatë për media.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se "Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet aty.

Përveç kësaj, në komunikatë është thënë se Thaçi dhe Veseli “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë.

“Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, është thënë në njoftim.

Gjykatësi ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.

*

Thaçi të hënën flet për herë të parë rreth aktakuzës 

Presidenti Hashim Thaçi, të hënën më 29 qershor në orën 20 do t’u drejtohet qytetarëve me një fjalim nga zyra e tij. Fjalimi, që nga Thaçi ishte paralajmëruar për të dielën mbrëma, është shtyrë, ka bërë të ditur përmes një njoftimi Zyra e Presidentit. Ky do të jetë deklarimi i parë i presidentit pas ngritjes së aktakuzës nga Prokurori Special në Hagë. Detaje rreth fjalimit të presidentit, nuk janë bërë të ditura.

*

Grenell konfirmon anulimin e vizitës nga Thaçi

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka anuluar udhëtimin e tij në Uashington. “Unë e respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutimet, derisa të zgjidhen çështjet ligjore të këtyre pretendimeve”, ka thënë Grenell përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

*

Pas anulimit të vizitës edhe nga kryeministri Hoti, anulohet dialogu në Uashington 

Është anuluar takimi i 27 qershorit në Uashington që ishte paraparë për të filluar dialogun në mes të krerëve të shteteve të Kosovës dhe të Serbisë. Këtë e ka konfirmuar edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për dialogun Kosovë-Serbi. Në një postim në Twitter, Richard Grenell e falënderoi kryeministrin Hoti, i cili anuloi vizitën, pas propozim-aktakuzës nga Gjykata Speciale, për presidentin Thaçi dhe kreun e PDK-së, Kadri Veseli. Grenell ka thënë se e kupton vendimin e Hotit dhe mezi pret të ri-caktoj takimin e ri.

Edhe Franca dhe Gjermania presin që dialogu Kosovë-Serbi të rifillojë. Në një postim në Twitter të Ambasadës së Francës në Prishtinë, thuhet se “Franca dhe Gjermania presin që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të rinisë së shpejti. Së bashku me kancelaren Merkel, presidenti Macron mbetet i gatshëm ta udhëheqë Samitin në Paris”, ka shkruar ambasada.

*

Veseli thotë se dyshimet e ngritura janë të pavërteta

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura nga Zyra e Prokurorit Special, në kuadër të Dhomave të Specializuara, janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Kreu i PDK-së ka thënë ky është një veprim i pashembullt i prokurorit, pasi sipas tij, ka lëshuar deklaratën para se gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura. Një tjetër shqetësim sipas Veselit, është dyshimi i bazuar se motivet e vërteta të këtij prokurori janë krejtësisht politike. Ai ka thënë para gazetarëve se lufta e UÇK-së nuk mund të njolloset nga asnjë prokuror.

*

Qeveria beson se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ruajnë qetësinë, pas publikimit të aktakuzave të Zyrës së Prokurorit Special kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit”, ka thënë Hoti përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

*

Osmani thotë se Kosovës i duhet drejtësi

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se “Në këto momente, Kosovës i duhet maturi, unitet, bashkëpunim e urtësi”.

“I duhet edhe mbrojtje e dinjitetit, integritetit e imazhit shtetëror. Por mbi të gjitha, Kosovës i duhet drejtësi. Drejtësia duhet të kryej punën në mënyrë të pavarur e pa presion”, ka thënë ajo përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Sipas saj, “Serbia ende nuk është përgjigjur për krimet e llahtarshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë”.

“Serbia është shtet gjenocidal. Dhe këtë duhet ta themi sot e çdo ditë, në Kosovë, në SHBA, në Evropë e çdokund në botë”, ka deklaruar Osmani.

*

Kurti beson në pafajësinë e UÇK-së 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh ish-kryeministër i Kosovës, ka thënë se beson në pafajësinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe që lufta e saj ka qenë e drejtë.

Kurti është shprehur se situata e krijuar “është pasojë e re e gabimeve të moçme”.

“Kosova është dashur që moti ta ketë gjyqësinë e vet të pavarur dhe të paanshme që të hetojë, gjykojë dhe dënojë të gjitha krimet e luftës dhe të paqes, mbi të gjitha ato që janë shkaktuar nga Serbia në Kosovë”, ka thënë Kurti.

*

Lufta e UÇK-së do të konfirmohet si e drejtë, thotë kreu i LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se beson thellë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ishte dhe do të konfirmohet nga drejtësia ndërkombëtare si luftë e drejtë dhe pastër, se luftëtarët e UÇK-së luftuan për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga terrori, likuidimi dhe gjenocidi serb”, ka thënë Mustafa përmes një postimi në Facebook.

*

Haradinaj beson në pafajësinë e Thaçit dhe Veselit 

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të pastër, dhe se beson në pafajësinë e presidentit Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe bashkëluftëtarëve tjerë.

“Populli shqiptar i Kosovës me të drejtë zhvilloi luftë për liri, pas shtypjes së egër nga regjimet e ndryshme serbe, që zgjati pothuajse një shekull, duke kulmuar me regjimin e Millosheviqit”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

*

BE mbështet Gjykatën Speciale

Bashkimi Evropian ka thënë se është "mbështetës i fortë i punës" së Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale, sepse ato janë "dëshmi e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës ndaj sundimit të ligjit", i cili njëherësh është element kryesor i rrugës së Kosovës në BE.

Përmes një reagimi zyrtar, BE-ja ka thënë se nuk komenton procedurat e Zyrës së Prokurorit Special dhe Dhomave të Specializuara.

“Është shumë e rëndësishme që Zyra e Prokurorit Special dhe Dhomave të Specializuara të vazhdojnë të bëjnë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje”, është thënë mes tjerash në reagim.

*

Aktakuzat, hap para në procesin e drejtësisë, thotë Ambasada Amerikane

Dorëzimi i aktakuzës së paralajmëruar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nga ambasada e SHBA-së në Kosovë, është cilësuar si hap përpara në procesin e drejtësisë dhe të pajtimit në Ballkanin Perëndimor.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxisin Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e pavarur të Prokurorit të Specializuar për t’ju përmbajtur mandatit të tyre përderisa ky rast vazhdon përmes sistemit të drejtësisë”, është thënë po ashtu nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.
Ndërsa, drejtoresha e “Human Rights Watch” në Bashkimin Evropian, Lotte Leicht, (Lote Lajht) po e cilëson si një hap pozitiv për drejtësinë, faktin që është dorëzuar aktakuza ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kreut të PDK-së, Kadri Veselit. “Kjo aktakuzë është një hap pozitiv për drejtësinë përderisa të gjithë këto krime të supozuara kanë qëndruar barrë mbi Kosovën për dy dekada”, ka thënë ajo.

*

Veteranët e UÇK-së thonë se aktakuza është politike

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së vlerëson se propozim-aktakuza nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, për presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e PDK-së është politike. Nasim Haradinaj, nga kjo organizatë, në një konferencë për medie tha se, nga Kuvendi do të kërkojnë ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, e cila sipas tij, duhet të merret edhe me krimet që serbët kanë kryer në Kosovë.

*

Përqindje e lartë e të infektuarve me Covid-19 në Kosovë, pak teste

Pas afro gjysmës së të testuarve që kanë dalë pozitivë të shtunën në Kosovë, ka vazhduar përqindja e lartë. Të dielën mbrëma, nga 202 teste, kanë rezultuar pozitivë 43%, përkatësisht 87 persona. Më së shumti raste pozitive përsëri janë shënuar në Prishtinë 33 dhe në Prizren 7 raste. Të shtunën, afro gjysma, përkatësisht 46% të testeve të kryera kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Kjo përqindje e lartë paraqet rekord negativë, pasi nga vetëm 207 teste të kryera, 96 kanë rezultuar pozitiv. Numri i testeve të kryera në Kosovë është dukshëm më i ulët se në vendet fqinje. Ndryshe, të shtunën, numri më i lartë i rasteve janë regjistruar në Prishtinë 44, pasuar nga komuna e Prizrenit me 10 raste.



Lajme të ngjashme