Rikthehet epidemia e koronavirusit në Mal të Zi

Që ditën e hënë Mali i Zi sërish ka mbyllur kufijtë me shtetet fqinje për shkak të shtimit të rasteve të të infektuarve me koronavirus.

1441905
Rikthehet epidemia e koronavirusit në Mal të Zi
Karadağ_koronavirüsten koruma_grafik çalışması.jpg
Karadağ_koronavirüs_yeni vakalar.jpeg
jo-jedan-tropski-dan-u-podgorici-temperatura-_trt-bosanski-51476.jpg
Karadağ_turizm_2019.jpg
Podgorica.jpg
TIKA_Karadağ_Baranes şehri_çocuk parkı.jpg

Rikthehet epidemia e koronavirusit në Mal të Zi

Pas shpalljes së fundit të epidemisë me koronavirus me 2 qershor në Mal të Zi, kjo republikë shënon këto ditë një valë të re të infektuarve me Covid-19. Kjo situatë e rënduar ka bërë që Këshilli Koordinues Nacional të marrë një sërë masash të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Që ditën e hënë Mali i Zi sërish ka mbyllur kufijtë me shtetet fqinje për shkak të shtimit të rasteve të të infektuarve me koronavirus. Kufiri sërish është mbyllur me Shqipërinë, Kosovën dhe Bonjë-Hercegovinën, pasi në këto shtete tejkalohet shifra prej 25 të infektuarve për 100 mijë banorë, limit ky i vendosur më parë si kusht për hyrje në vend nga autoritetet malazeze. Megjithatë pala malazeze i ka lënë kufijtë e hapur për disa kategori siç janë: mjekët, transporti i mallrave, diplomatët apo organizatat ndërkombëtare, ushtarakët, misionet humanitare, kategori të veçanta pasagjerësh në tranzit si dhe personat që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare në Mal të Zi. Po ashtu personat që dëshirojnë të vijnë në Mal të Zi lejohen vetëm me vërtetim nga institucionet përkatëse, që dëshmohet se nuk janë të infektuar me koronavirus. Pavarësisht të gjithë kësaj, qytetarët që përdorin shpesh pikën kufitare të Muriqanit andej dhe këtej kufirit thonë se kjo masë i penalizon së tepërmi dhe se do të ketë ndikim negativ. E tërë paraqitja e valës së re me koronavirus në Mal të Zi ka ndikim shumë negativ për sezonin turistik. Të dhënat statistikore dëshmojnë se numri i turistëve i këtyre ditëve krahasuar me një vit më parë ka shënuar rënie deri në 90%. Parashihet se turizmi të jetë një nga sektorët më të dëmtuar prej pasojave të COVID-19. Operatorët turistikë e pranojnë se ky sezon është gati i dështuar dhe që mund të mbijetojë duhet të ndërhyjë qeveria. Kjo e fundit ka paralajmëruar pakon e katërt të mbështetjes financiare për ekonominë e turizmit. Drejtori i Qendrës Klinike të Malit të Zi, Jevto Erakoviq ka thënë se deri në këto momente 54 persona janë të infektuar me koronavirus prej të cilëve 4 janë në gjendje të rëndë. Mali i Zi shpalli fundin e epidemisë më 2 qershor, pas dy cikleve, me gjithsej 28 ditë pa raste të reja të infektuarve. Por, më 14 qershor sërish u regjistrua një rast me koronavirusin e ri.

Kroacia e pret me kënaqësi Malin e Zi në BE 

Presidenti i Kroacisë Zoran Millanoviq qëndroi për vizitë zyrtare në Mal të Zi me ftesë të Presidentit të shtetit Millo Gjukanoviq. “Me anëtarësimin në NATO dhe bisedimet me BE, Mali i Zi ka zgjedhur qartë karakterin e demokracive perëndimore”, ka vlerësuar presidenti kroat, Millanoviq. Ai gjatë takimit me kryetarin e Parlamentit, Ivan Brajoviq ka theksuar se nuk është e rastit që në Mal të Zi vjen menjëherë pas marrjes së detyrës. Ai ka theksuar se BE është korniza më e mirë për vendet e rajonit dhe se në këtë shoqëri Kroacia do ta presë e kënaqur Malin e Zi sa më parë që të jetë e mundur, si shtetin e parë anëtar në një periudhë të ardhshme. Brajoviq e ka falënderuar Republikën e Kroacisë për ndihmën në plotësimin e synimeve disashekullore strategjike dhe në këtë drejtim rol vendimtar ka luajtur bashkëpunimi përmbajtësor i dy parlamenteve. Gjatë takimit është folur edhe për sfidat aktuale shëndetësore dhe ekonomike, përmes besimit se Mali i Zi dhe Kroacia këto sfida do ti kalojnë me sukses. Në bisedime kanë marrë pjesë edhe nënkryetari i parlamentit Branimir Gvozdenoviq si dhe deputeti Adrian Vuksanoviq. Po ashtu, presidenti kroat së bashku me Presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq para Katedrales së Shën-Tripunit në Kotorr morën pjesë në vallen tradicionale të “Marinës së Bokelit”, vizituan Katedralen dhe më pas ipeshkvin e Kotorrit. Përndryshe, vizita e presidentit kroat është vizita e parë zyrtare presidenciale pas ndërprerjes disa mujore të aktiviteteve ndërshtetërore për shkak të pandemisë së Covid-19.

BE i jep dritë jeshile hapjes së kapitullit të tetë

Mali i Zi ka marrë pëlqimin nga shtetet anëtare të BE-së për hapjen e kapitullit të tetë negociues për anëtarësim në BE bëjnë të ditur burime të sigurta diplomatike në Bruksel. Për propozimin që të hapet kapitulli i fundit negociues me Malin e Zi, pozitivisht janë deklaruar përfaqësuesit e vendeve të BE-së në grupin e punës të Këshillit për zgjerim, kurse nesër atë duhet ta vërtetojnë edhe përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel. Konferenca ndërqeveritare për hapjen e kapitullit të fundit do të mund të mbahet në fillimin e javës së ardhshme. Vendimi për hapjen e kapitullit të fundit negociues me Malin e Zi është miratuar gjatë javës së fundit të presidencës kroate me Këshillin Evropian. Kryesinë e Këshillit të BE prej me 1 korrik do ta marrë Gjermania. Për ndryshe kapitulli i tetë - konkurrenca, është njëri nga kapitujt më të rëndësishëm negociues, i cili gjithmonë hapet dhe mbyllet i fundit, thuhet në faqen zyrtare të zyrës për integrimet evropiane të Malit të Zi. Për Kryeministrin e vendit Dushko Markoviq kjo është një ditë e shënuar për Malin e Zi, i cili në këtë mënyrë bëhet vendi i parë kandidat që ka hapur të gjithë kapitujt e bisedimeve. Me këtë,- shtoi Markoviq,- ne kemi dëshmuar atë që vite të tëra dëgjohet në adresat relevante, që Mali i Zi është shteti më me perspektivë më pranë anëtarësimit në Bashkimit Evropian. Sipas shefit të ekzekutivit kjo dëshmon përkushtimin e Malit ë Zi në plotësimin e obligimeve të agjendës evropiane dhe vërteton pozicionin e liderit në Ballkan në procesin e integrimit në BE.

BE u ka dhuruar spitaleve 10 rëntgen digjitale mobile 

Në Mal të Zi ka arritur edhe një kontingjent me pajisje mjekësore prej 10 rëntgenëve digjitalë mobilë, të cilët i ka dhuruar Bashkimi Evropian, në vlerë prej 286 mijë e 885 euro. Siç është kumtuar nga Qendra Informuese e BE-së, pajisjet bashkëkohore të rëntgenit do të mundësojnë diagnostikime më precize dhe me të shpejta radiografike në spitalet e Tivarit, Nikshiqit, Beranës, Plevles dhe Bjello Poles. Disa aparate u janë dhuruar edhe Qendrës Klinike të Malit të Zi, Klinikës Infektive, pastaj Klinikës për Neurologji, Institutit për Sëmundjet e Fëmijëve, Njësisë Intensive Metabolike si dhe Qendrës për Përkujdesjen Intensive, thuhet në kumtesë. Theksohet se këto pajisje do të intensifikojnë progresin afatgjatë të kapaciteteve spitalore në Mal të Zi, por edhe për përgatitjen më efikase për valën e dytë eventuale të epidemisë së korona virusit.

TIKA vazhdon realizimin e projekteve të vlefshme në Malin e Zi

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) hapi zyrtarisht në qytetin Beranes në veri të Malit të Zi parkun për fëmijë dhe të rritur. Sipas TIKA-s ky park do të jetë vend i tubimit të banorëve të Beranes e veçmas i fëmijëve. Projekti ka sistemin e ujitjes së hapësirave të gjelbra, ndriçimin, ulëset dhe lojërat për fëmijë. Më këtë projekt mbështetur nga TIKA, qyteti i Beranes ka fituar një hapësirë, ku qytetarët e të gjitha moshave do të mund të kalojnë kohën e veçmas pas masave restriktive pas epidemisë së koronavirusit. Në ceremoninë e hapjes ishte e pranishme edhe ambasadorja e Turqisë në Mal të Zi, Songul Ozan, Koordinatori i TIKA-s në Mal të Zi, Muhamed Unal si dhe zyrtarë të lartë të komunës së Beranes.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi , përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme