Rama: Rimbyllemi nëse nuk respektohen masat kundër Covid-19

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “numrat e të infektuarve me COVID-19 në Shqipëri janë shqetësues, por ende nën kontroll”, ndërsa u bëri thirrje bizneseve dhe qytetarëve të respektojnë protokollet e sigurisë së shëndetit.

1438618
Rama: Rimbyllemi nëse nuk respektohen masat kundër Covid-19
korona_Arnavutluk Sağlık Bakanı_Ogerta Manastirliu_3.jpg
Arnavutluk_korona_ambulans.png
Edi Rama_Ilir Meta_Gramoz Ruçi.jpg
Arnavutluk Afganistana yeni özel birlik gönderdi.jpg
Gent Cakaj_telefon görüşmesi.jpg
Avrupa_sınır kontrolleri.jpg
Arnavutluk-a Türk yardımları_ALSAR_4.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (25/2020)

-Kryeministri Rama paralajmëron: "Nëse do të vazhdohet mos respektimi i masave kundër Covid-19 do të na duhet të rimbyllemi" 

Kryeministri Edi Rama deklaroi të martën se “numrat e të infektuarve me COVID-19 në Shqipëri janë shqetësues, por ende nën kontroll”, ndërsa u bëri thirrje bizneseve dhe qytetarëve të respektojnë protokollet e sigurisë së shëndetit.

Rama tha se “testimet janë rritur dhe përpjekja në frontin e shëndetësisë vazhdon njësoj me përkushtim, angazhim total e heroik të mjekëve dhe infermierëve”.

Ai theksoi se “gatishmëria jonë rritet me shtimin e investimeve dhe mjeteve, por ama fati i kësaj lufte vendoset nga qytetarëtjo nga bluzat e bardha, por si dhe sa i bën detyrat e thjeshta çdo individ, respekti për protokollet e çdo biznesi dhe distancimi social në kushtet e këtij normaliteti”.

a-) “Shumë prej jush thanë se kjo është lojë politike, konspiracion ndërkombëtar, thanë se këtë e bëja unë se jam diktator, autokrat, se kisha frikë nga protesta e ku di unë për sa të tjera. Por nuk i vë faj asnjërit prej jush që u mërzit e u nervozua nga ajo mbyllje e madhe; kujtdo që donte të shkonte në punë, të kthehej në normalitet, e as atyre prej jush që gjithnjë e më shumë me kalimin e javëve kujtuan gabimisht se rezultati fantastik që arritëm në fazën e parë nuk lidhej as me masat që morëm dhe  as me sakrificën që gjithë shqiptarët bënë. Nuk u vë faj as atyre që në politikën e tyre ‘hip se të vrava, zbrit se të vrava’ dhanë mesazhe dhe shembuj skandalozë me fjalët dhe tubimet rrugëve”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kur vendosëm javë pas jave të heqim masat dhe ta lirojmë përfundimisht lëvizjen, punën, ndërveprimin ishim të qartë se hapja do të sillte me vete rrezikun e harresës”.

b-) Por, vijoi ai, Bëmë gjënë e duhur dhe, do ta ribënim përsëri sikur të ktheheshin aty ku ishim. E bëmë në kohën e duhur, duke bërë edhe protokollet e duhura për të gjithë”.

c-) Ndërkaq, kryeministri shqiptar në vazhdim tha: “Isha dhe jam dakord me shumëkënd që kërkonte gjithnjë e më shumë, ditë pas dite, javë pas jave, kthimin në normalitet, duke thënë përditë e më shumë se shëndeti i ekonomisë familjare nuk mund të dobësohej përtej një pike të caktuar. Kemi zgjedhur me vetëdije rrugën e këshillimit dhe mirëkuptimit, jo të ndëshkimit dhe as të mbylljes së bizneseve që nuk respektojnë një për një protokollet e sigurisë. Kemi dashur të jemi mirëkuptues dhe t’ia lehtësojmë hallin. E kemi ditur dhe e kemi thënë se numrat do të rriteshin, pasoja më e natyrshme pas hapjes në të gjitha vendet, ku më shumë e ku më pak”, tha Rama.

Duke iu drejtuar qytetarëve, kryeministri tha se “Kemi kërkuar vijimësisht të mirëkuptoni nevojën për një solidaritet të ri në respektimin e rregullave”.

d-) “Me policë e ushtarë kontrollon mbylljen, por nuk mund të disiplinosh hapjen, nëse qytetarët nuk bëjnë detyrën e tyre të thjeshtë. Unë nuk kam ndryshuar mendim: ekonomia bie dhe ngrihet, të vdekurit nuk ringjallen. Për bukën e gojës në Shqipëri nuk ka vdekur askush, por është po kaq e vërtetë edhe tjetra, një mbyllje tjetër do të ishte dërrmuese për Shqipërinë, çdo familje dhe për burimet e energjisë së rimëkëmbjes”, tha Rama.

Por, Kryeministri theksoi se “Nëse do të vazhdojmë kështu fatkeqësisht do të na duhet të rimbyllemi dhe do të na duhet të përballojmë me shumëfish sëkëlldinë që provuam dhe pasojat e plagëve që morëm nga mbyllja e parë”.

e-) “Nuk dua ta zgjas me atë që do heqim po u rimbyllëm. Kam bindjen se ne jemi në kohë, e kemi vetë në dorë ta kontrollojmë rikthimin e armikut të padukshëm që nuk ka ikur asnjë ditë dhe është aty kudo”, tha Rama. 

Kryeministri Edi Rama në këtë dalje publike në lidhje me situatën e shkaktuar nga koronavirusi, deklaroi se rritja e rasteve të të infektuarve ishte e pritshme. Kreu i qeverisë theksoi se qytetarët duhet të respektojnë rregullat dhe të bëjnë detyrat e tyre të thjeshta.

***

-Rihapja e kufijve, Ministri Cakaj telefonata me homologun e Turqisë, Italisë, Hungarisë dhe Francës 

Gjatë javës intensive në Luginën e Preshevës, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj ka bërë me dije se ka zhvilluar një serë telefonatash me homologët e tij, duke nisur nga ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ai i Italisë, Luigi Di Maio, kreun e diplomacisë së Hungarisë, Péter Szijjártó dhe me sekretaren e shtetit për Çështjet Evropiane të Francës, Amélie de Montchalin.

Cakaj thekson se telefonatat e zhvilluara patën në fokus luftën e përbashkët kundër pandemisë globale dhe bashkërendimin e qëndrimeve për hapjen graduale të kufijve dhe rifillimin e fluturimeve direkte.

Ndër të tjera, Cakaj u shprehu falënderimet në emër të shqiptarëve, për ndihmën që këto shtete kanë dhënë për Shqipërinë, si pas tërmetit të 26 nëntorit, ashtu dhe në luftën kundër COVID-19.

Falënderues për mbështetjen e tyre në procesin e rindërtimit pas tërmetit dhe pandemisë”, shprehet Cakaj.

***

-Krerët e lartë të shtetit shqiptar urojnë 21-vjetorin e çlirimit të Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama, kanë përcjellë mesazhet e tyre me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Në një deklaratë për mediat, Meta tha se uron të gjithë qytetarët e Kosovës... Njëkohësisht shpreh falënderimin më të sinqertë për aleatët tanë, për NATO-n dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për atë kontribut madhor që dhanë”.

Ndërkohë, në rrjetet sociale, Meta duke publikuar një video nga hyrja e trupave të NATO-s në Kosova ka shkruar se sot, në 21-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, “Kujtojmë me nderim të jashtëzakonshëm jetën dhe veprën lapidare të Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe Komandantit legjendar Adem Jashari, djemtë dhe vajzat e UÇK-së, si dhe dhjetëra e mijëra heronj e dëshmorë që dhanë jetën për Kosovën Republikë”.

Kryeministri Rama, në rrjetet sociale ka shkruar se “21 vjet që ikën shumë shpejt nga një ditë e bekuar që kurrë nuk do të ikë prej kujtesës sonë kombëtare. Kosova e lirë. Lavdi dëshmorëve dhe popullit të Kosovës”.

Në lidhje me Ditën e Çlirimit të Kosovës kanë përcjellë mesazhet e tyre edhe zyrtarë të tjerë të Shqipërisë.

Kosova përkujtoj 12 Qershorin – Ditën e Çlirimit, ku në vend u organizuan ceremoni të ndryshme zyrtare.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe nga Kosova.

***

-Dy kontingjente të Forcave Speciale Shqiptare në misionin “Resolute Support” në Afganistan 

Dy kontingjente të Forcave Speciale të Shqipërisë u nisën të hënën për në misionin “Resolute Support” në Afganistan.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila thekson se “detyrimet e Shqipërisë ndaj NATO-s vijojnë pavarësisht pandemisë”.

Dje përcollëm dy kontingjente për në misionin “Resolute Support” në Afganistan. Kontingjenti i Forcave Speciale do të vijojë shërbimin delikat në Bagram, ndërsa trupat e batalionit të III të këmbësorisë do të shërbejnë në Aeroportin e Kabulit. Suksese djema dhe të ktheheni shëndoshë e mirë”, – tha ministrja Xhaçka.

***

-TIKA restauron pikturën murale në Xhaminë e Et’hem Beut

Pas një pune disamujore ka përfunduar restaurimi i pikturës murale në Xhaminë e Et’hem Beut, në Tiranë.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, e cila deklaroi se “kjo është një arsye më shumë për të vizituar këtë monument të rrallë”.

“Pas heqjes së skelerisë ka dalë në dritë piktura e mrekullueshme murale e Xhamisë së Et’hem Beut, në Tiranë. Një punë disamujore, që kërkon përqendrim e vullnet, e realizuar në mbi 300 metra katrorë sipërfaqe nga grupi i palodhur i restauratorëve Andi Spahia, Fatmir Carkanji (ndihmësrestaurator) nën drejtimin e Adrian Çenes”, tha Margariti.

Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë, po i nënshtrohet një ndërhyrjeje tërësore, financuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TIKA.

Xhamia e Haxhi Et’hem Beut, është një xhami e ndërtuar në Shqipëri nga Mulla Beu, nga Petrela, rreth fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë.

Mbi derën e parë të xhamisë edhe sot e kësaj dite gjendet një rrasë, në të cilën vërtetohet që kjo xhami u ndërtua nga Mulla Beu, një njëri i pasur tiranas, i cili me qëllim bamirësie i hodhi themelet e para të kësaj xhamie më 1791.

***

-Turqia përmes institucioneve të saja humanitare ndihmon në vazhdimësi jetimët shqiptarë 

Fondacioni " ALSAR" në kuadër të misionit të tij për t’iu qëndruar pranë shtresave në nevojë, realizoi gjatë gjysmës së parë të qershorit shpërndarjen e 50 pakove me mish kurbani “Adak” për fëmijët jetimë të qytetit të Tiranës, të cilët trajtohen me ndihmë të vazhdueshme nga ana e tij. Realizimi i këtij projekti u mundësua falë mbështetjes së ofruar nga bamirës nga Turqia.

Po ashtu, Fondacioni " ALSAR" në kuadër të misionit të tij realizoi shpërndarjen e ndihmës financiare të zekatit për 50 fëmijët jetimë të qytetit të Tiranës, të cilët trajtohen me ndihmë të vazhdueshme nga ana e tij.
Realizimi i këtij projekti u mundësua falë mbështetjes së ofruar nga Organizata Ndërkombëtare e Ndihmave “WEFA”, me qendër në Gjermani.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme