Kosovë, kërkohet mbyllja e institucioneve ku ka Covid-19

Vetëm për dy ditë është tejkaluar shifra e 100 personave të infektuar, ndërsa dy persona të infektuar kanë humbur jetën.

1436539
Kosovë, kërkohet mbyllja e institucioneve ku ka Covid-19
Kosova_koronavirüs polikliniği.jpg
Besnik Tahiri_Ilir Meta.jpeg
Ramush Haradinaj_Monika Kryemashi_Durres.jpg
Kosova Hükümeti_Kabine Toplantısı_Avdullah Hoti.jpg
futbol_Kosova_Drita.jpg

Për dy ditë, 102 të infektuar në Kosovë, kërkohet mbyllja e institucioneve ku ka Covid-19

Vetëm për dy ditë të fundjavës, të shtunën dhe të dielën, në Kosovë janë konfirmuar edhe 102 raste të reja të personave të infektuar me Covid-19. Ndërsa dy persona të infektuar kanë humbur jetën në dy ditët e fundit. E në tri ditët e fundit janë regjistruar 160 raste.

Të shtunën janë rezultuar 53 raste. Më së shumti, nga 18 raste, janë shënuar në Komunat e Prishtinës dhe të Vushtrisë. Instituti ka rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive.

E të dielën mbrëma, janë konfirmuar edhe 49 raste të reja me koronavirus në Kosovë, ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Ndërkaq 25 pacientë janë shëruar. Instituti ka njoftuar se këto rezultate kanë dalë nga 265 mostra të marra nga Klinika Infektive. “Rastet pozitive janë nga: komuna e Vushtrrisë 22 raste, komuna e Pejës 7 raste, komuna e Prishtinës 5 raste, komuna e Gjilanit dhe ajo e Prizrenit nga 3 raste, komunat e Mitrovicës dhe të Istogut 2 raste, si dhe nga 1 rast nga vendbanimet: Fushë Kosovë, Mamushë, Lubovec-Skenderaj, Zhiti-Viti dhe Suharekë”, thuhet në njoftim.

*

Instituti kërkon mbylljen e institucioneve ku ka Covid-19

Duke pasur parasysh se në javën e fundit ka rritje të rasteve pozitive që në intensitet krahasohen me mesin e muajit prill dhe ka raste te punëtorët e organizatave publike, private, Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregëtare dhe biznese private, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike rekomandon Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetëizolim si dhe bartja e maskave të jetë obligative. Instituti thotë se këto ditë vërehet fluks i shtuar i qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve. Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme. Apelohen qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit në hapësirat e mbyllura.

*

Ministrja Haradinaj-Stublla falënderon homologun turk për ndihmat e Turqisë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e saj turk, Mevlüt Çavuşoğlu, ku ka falënderuar për ndihmat e Turqisë të dërguara në vendin e saj për të trajtuar krizën me koronavirusin e ri (COVID-19). Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se në bisedën telefonike midis Haradinaj-Stublla dhe Çavuşoğlu është diskutuar rreth situatës së krijuar nga koronavirusi. “Në këtë bisedë shpreha falënderimin për ndihmat mjekësore dhe pajisjet mbrojtëse që dërgoi Turqia për të ndihmuar Kosovën në përballjen me pandeminë, si dhe për mbështetjen në të gjitha proceset e shtetndërtimit të Kosovës”, ka theksuar ministrja Haradinaj-Stublla. Sipas njoftimit nga ministria, kryediplomatët e dy vendeve kanë folur edhe për harmonizimin e axhendës dhe prioriteteve të Kosovës, "sidomos tani që Turqia do të jetë kryesuese e radhës pas Kosovës në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore".

*

Haradinaj-Stublla bisedë telefonike me ministrin e punëve të jashtme Cakaj

Të dielën, ministrja e punëve të jashtme Meliza Haradinaj-Stublla ka zhvilluar bisedë telefonike edhe me homologun shqiptar, Gent Cakaj.

“Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri nuk lëvizin nga themelet e forta që na mbajnë bashkë në çdo kohë. Roli i Shqipërisë ka qenë ndër shtyllat kryesore të mbijetesës sonë në shekullin e kaluar, të çlirimit dhe pavarësisë.

Me z.Cakaj rikonfirmuam vullnetin që bashkërisht, si dy shtete, do jemi krah për krah në realizimin e detyrave tona shtetërore e kombëtare, e po ashtu edhe gatishmërinë e realizimit të vizionit euro-atlantik të vendeve tona”, ka shkruar në “Facebook” ministrja Haradinaj.

*

Zëvendëskryeministri Tahiri takohet me presidentin Meta 

Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka takuar presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta. Këtë lajm Tahiri e ka bërë të ditur përmes një statusi në Facebook. “Rikonfirmuam lidhjen tonë të fortë historike e politike, e cila do të mbetet udhërrëfyes i rrugëtimit tonë Euro-Atlantik”, ka thënë Tahiri. E për takimin në “Facebook” ka njoftuar edhe presidenti Ilir Meta, duke shprehur kënaqësinë për takimin me dy zyrtarë nga qeveria e Kosovës. “I lumtur që një gjeneratë e re merr përgjegjësi të rëndësishme në këto momente të rëndësishme për të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, ka shkruar Meta.

*

Kryetari Haradinaj takim në Durrës me kryetaren Kryemadhi

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka zhvilluar të dielën në Durrës një takim me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi.

“Përsëri në Shqipëri, përsëri në Durrës. Kënaqësi të kem një bashkëbisedim me Monika Kryemadhin, kryetaren e LSI-së, lidhur me aktualitetin politik në dy shtetet tona. U gëzova, po ashtu, të shoh qytetarët e Kosovës, që po i kthehen bregdetit shqiptar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

*

Kryeministri Hoti pranon letër nga Tusk 

Presidenti i Partive Popullore Evropiane, Donald Tusk, i ka shkruar një letër urimi kryeministrit, Avdullah Hoti, ku mes të tjerash ka thënë se dialogu me Beogradin duhet të rifillohet me energji të re, pasi është një moment I ri. Tusk ka kërkuar poashtu që parimet e sundimit të ligjit, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit të jenë të larta në agjendën e Hotit.

*

Haradinaj kundër pjesëmarrjes në tavolinë ku diskutohen kufijtë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e mirëpret rifillimin e dialogut me Serbinë, por thotë se duhet t’iu bëhet e qartë të gjithëve se Kosova nuk guxon të marrë pjesë në një tavolinë ku diskutohet për kufijtë dhe ndryshimin e territoreve. Ish-kryeministri duke mos dashur të komentojë se kujt i takon t’i prijë negociatave me shtetin fqinjë, thotë për “KosovaPress” se Kushtetuta i përcakton qartë kompetencat e shefit të ekzekutivit dhe të parit të shtetit.

*

Nxënësit kosovarë dhe turq koncert digjital në respekt të arsimtarëve

Institutet “Yunus Emre” në Prishtinë, Prizren dhe Pejë të Kosovës zhvilluan një koncert digjital për të respektuar arsimtarët që punojnë në kushte të vështira për shkak të COVID-19. Në koncert të zhvilluar në bashkëpunim nga shkolla e mesme e muzikës "Prenk Jakova" në Prishtinë dhe liceu artistik Aydın Doğan në Stamboll që u binjakëzuan vitin e kaluar, morën pjesë me mesazhet me pamje, edhe Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, drejtori i Arsimit për Stambollin, Levent Yazıcı, drejtori i instituteve Yunus Emre në Prishtinë, Prizren dhe Pejë, Mehmet Ülker dhe drejtoresha për Arsimin në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala. Në mesazhin e tij ambasadori Sakar tha se është i kënaqur me aktivitetin e bukur,  edhe pse nuk është i pranishëm fizikisht.

"Me përpjekjet sakrifikuese të arsimtarëve tanë është mundësuar vazhdimi i pandërprerë i arsimit në një periudhë ku jeta ka ndaluar në të gjitha fushat. Është e admirueshme që të dy shkollat e artit së bashku kanë organizuar këtë koncert në mënyrë që të mbështesin arsimtarët tanë dhe të tregojnë solidaritet me ta", tha Sakar.

Drejtori i instituteve “Yunus Emre” në Prishtinë, Prizren dhe Pejë, Mehmet Ülker në mesazhin e tij tha se lidhja vëllazërore e bërë në vitin 2019 mes dy shkollave është zbukuruar me koncerte të mbajtura në Tiranë dhe Prishtinë.

Drejtori i Arsimit për Stambollin, Levent Yazıcı tha se Instituti “Yunus Emre” vazhdon përpjekjet për të përballuar kërkesat e larta në mësimin e turqishtes.

E drejtoresha për Arsimin në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala ka përgëzuar aktivitetin dhe ka uruar vazhdimin e bashkëpunimit.

Pas mesazheve, u zhvillua koncerti digjital, i cili u publikua nga kanalet e medias sociale të Instituteve “Yunus Emre” në Prishtinë, Prizren dhe Pejë.

*

Lëvizja Vetëvendosje mbajti tubim për përvjetorin e çlirimit të Kosovës dhe themelimit të saj 

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim festiv në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë për të festuar 12 Qershorin - Ditën e Çlirimit të Kosovës dhe 15-vjetorin e themelimit të saj. Rreth 5 mijë aktivistë dhe mbështetës kanë marrë pjesë në tubimin e thirrur nga ky subjekt, ku mbajtën fjalime disa prej anëtarëve të kryesisë së kësaj partie, deputetë e aktivistë, ku gjithashtu edhe performoi rok-grupi "Troja". Themeluesi dhe kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, tha se sfida e tyre 21 vjet pas çlirimit të shtetit "është ç’kapja e shtetit nga të korruptuarit". "12 Qershori është dita e çlirimit të Kosovës nga Serbia. Por, pas këtij çlirimi nga okupatori i jashtëm, është zhvilluar një sundim nga brenda. Njëherë përmes UNMIK-ut i cili nuk solli as zhvillim demokratik e as progres ekonomik. E pastaj përmes një kaste të politikanëve të cilët në emër të çlirimit filluan zhvatjen e pasurisë publike dhe shkaktuan varfërimin e popullit", tha Kurti.

Kurti në tubim bëri të ditur se përpos Prishtinës dhe Tiranës, së shpejti do të fillojnë themelimin e qendrës së Vetëvendosjes edhe në Maqedoninë Veriore. Lëvizja Vetëvendosje është themeluar më 12 qershor në vitin 2005 nga Albin Kurti, kur në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-së, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe nga vendi.

*

Drita vazhdon kryesimin në Superligë

Të dielën janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të javës së 24-t në Ipko Superligë. Drita ka shënuar fitoren e radhës dhe atë si mysafire në Mitrovicë ndaj Trepcës ’89 me rezultat 2:0. Me këtë fitore, gjilanasit janë rikthyer sërish në pozitën e parë në renditje, me dy pikë më shumë se ndjekësja më e afërt, Prishtina. Prishtina një ditë më herët e kishte mposhtur Vushtrinë si mysafire 2:0. Fitore të lehtë si mysafir ka realizuar edhe Gjilani, që e ka mposhtur Ferizajn, 3:0, duke e ruajtur kësisoj hapin me skuadrat e kreut të renditjes. Me këtë fitore, Gjilani mbetet në vendin e katërt me 45 pikë të tubuara, 4 më pak se sa Drita kryesuese, derisa Ferizaj mbetet në vendin e dhjetë me 25 pikë.



Lajme të ngjashme