Nga sot, lejohet hyrja në Kosovë nga Shqipëria e vendet e tjera pa testin për Covid-19

Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për shfuqizimin e pikave të vendimit të Qeverisë të datës 31 maj 2020 duke lehtësuar hyrjet nga Shqipëria dhe vendet e tjera kufitare.

1431735
Nga sot, lejohet hyrja në Kosovë nga Shqipëria e vendet e tjera pa testin për Covid-19
Kosova Sağlık Bakanı_Armend Zemaj_korona.jpg
Kosova_koronavirüs polikliniği.jpg
Kosova Hükümeti_Kabine Toplantısı_Avdullah Hoti.jpg
Kosova Cumhurbaşkanı Hashim Thaçi_açıklama.jpg
Erdoğan_Avdullah Hoti_tebrik etti.jpg
Albulena Haxhiu.jpg

Nga sot, lejohet hyrja në Kosovë nga Shqipëria e vendet e tjera pa testin Covid-19

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar lidhur me vendimet që janë marrë të dielën në mbledhjen e Qeverisë. Nga e hëna më 08 qershor lejohet qarkullim i plotë, por me kujdes, si brenda ashtu edhe me Shqipërinë e vendet e tjera të rajonit, ka bërë të ditur në një postim në «Facebook», kryeministri Hoti. Ai ka njoftuar po ashtu se në kuadër të parandalimit të përhapjes së sëmundjes, Ministria e Shëndetësisë do të miratoj “Manualin për Mbrojtje nga Covid-19”. Do të rekrutohen 200 specialistë shëndetësorë që do të mbikëqyrin zbatimin e masave që dalin nga ky manual. Në fund Hoti ka porositur të vazhdohet me maturi e respektim të masave për mundjen e plotë të virusit #COVID19, deri në hapje të plotë. 

*

151 raste me koronavirus nga 1 qershori në Kosovë

151 raste me koronavirus janë shtuar që nga 1 qershori e deri të dielën më 7 qershor, në Kosovë, duke çuar numrin e rasteve aktive në 313. Numri i të infektuarve është rritur shumë më shumë sesa ai i të shëruarve. Vetëm të dielën 40 persona u konfirmuan me koronavirus, ndërkaq gjashtë pacientë u raportuan të shëruar. Rastet pozitive të dielën më 7 qershor janë nga Prishtina 10 raste, Vushtria 6 raste si dhe nga një rast në Akrashticë dhe Maxhunaj të kësaj komune. Pastaj 3 raste në qytetin e Prizrenit, e 4 raste në Tupec të kësaj komune. Në Fushë-Kosovë 3 raste aq sa edhe në fshatin e kësaj komune Miradi e Poshtme. 5 raste në Milloshevë të komunës së Obiliqit dhe me nga 1 rast në Gjilan, Mitrovicë, Rahovec dhe në Likoc të Skenderajt.

Që nga 1 qershori Kosova ka hyrë në fazën e tretë të lehtësimit të masave, ku ndër të tjera janë hapur kufijtë, çerdhet dhe gastronomia. Për një javë numri i të infektuarve është shtuar në numër të konsiderueshëm.

*

Vushtrri, vetëm në dy familje janë mbi 50 të infektuar

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri u ka bërë serish thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga përhapja e koronavirusit, pas shtimit të numrit të rasteve në këtë komunë.

Ai në një postim në «Facebook», ka thënë se pakujdesia e një individi një muaj më herët, ka bërë që virusi të përhapet te kaq shumë njerëz, ku vetëm në dy familje të mëdha janë mbi 50 të infektuar.

“Ata kanë shpërndarë virusin në mesin e familjarëve të tyre duke mos ditur që e kanë virusin sepse nuk kanë pasur simptoma. Prandaj ju lutemi, shmangni vizitat familjare, mbajeni distancën dhe mbani maskat”, ka shkruar Tahiri.

*

Nuk ka nevoje për panik, thonë zyrtarët 

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, iu drejtua qytetarëve mbrëmjen e së dielën për të kërkuar nga ta që mos të kenë panik, pas shtimit të rasteve më Covid-19. Bashkë me drejtorin e Institutit Kosovar të Shëndetit Publik, atë të Policisë së Kosovës dhe të Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësorë, Zemaj tha se të gjithë bashkë kanë bërë një kalkulim të gjendjes ditore aktuale dhe qartësim të situatës në të cilën ndodhemi. “Duhet t’ju drejtohemi dhe të tregojmë se gjendja është normale dhe nuk ka nevojë për panik”, deklaroi Zemaj.

*

Strategjia e Qeverisë për të hequr çdo kufizim përbën rrezik, thotë Haxhiu

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se strategjia e Qeverisë për të hapur gjithçka dhe hequr çdo kufizim, përbën rrezik. Ajo përmes një postimi në «Facebook» ka shkruar se rritja e numrit të rasteve pozitive përbën shqetësim serioz. “Por ‘strategjia’ e Qeverisë ilegale për t’u nxituar dhe për të hapur gjithçka dhe hequr çdo kufizim, përbën rrezik të madh dhe përmbysë secilën arritje të deritashme! Veprimi më i lehtë është ‘hapi të gjitha, largoje çdo kufizim’”, ka thënë ajo. Haxhiu thotë se “bëhet fjalë për shëndetin dhe jetën e qytetarëve prandaj duhet kujdes dhe veprime e vendime të matura”.

*

Së shpejti do të dihet data e rifillimit të plotë të fluturimeve ndërkombëtare

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka paralajmëruar hapjen e kufijve ajrorë si pjesë e masave më të reja lehtësuese kundër koronavirusit. 

Pas hapjes së kufijve tokësorë, në ditët e ardhshme do të bëhet e ditur edhe data e hapjes së transportit ajror si mënyra më e shpejtë dhe e sigurt e lidhjes së Kosovës me diasporën, tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.

“Do t'iu njoftojmë së shpejti për datën e rifillimit të plotë të fluturimeve ndërkombëtare, duke ia mundësuar diasporës ta vizitojnë atdheun e tyre”, ka shkruar Abrashi në një postim në «Facebook».

*

Presidenti Erdogan uron kryeministrin Hoti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka pranuar një telegram urimi nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan me rastin e emërimit të tij si kryeministër i Kosovës. Në telegram të publikuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Erdoğan ka uruar Hotin në emër të popullit turk, me rastin e marrjes së postit të shefit të ekzekutivit pas votimit në kuvend.

"Ju uroj suksese në misionin tuaj të ri. Turqia edhe më tutje do të vazhdojë t'ju mbështesë në punët tuaja, të cilat do t'i realizoni për një Kosovë të fortë dhe të prosperuar", ka shkruar presidenti Erdoğan.

Presidenti turk ka thënë se solidariteti midis Turqisë dhe Kosovës ka fituar rëndësi në luftën kundër pandemisë COVID-19, e cila ka kapluar tërë botën.

"Shpresoj që furnizimet mjekësore, të cilat i kemi dërguar kanë kontribuar në luftën e Kosovës kundër pandemisë COVID-19. Ju përcjell ngushëllimet e mia për vëllezërit tanë kosovarë që humbën jetën për shkak të pandemisë, ndërsa të prekurve u uroj shërim sa më të shpejtë", shkruan në telegram.

Tutje në telegramin e presidentit Erdoğan shprehet besimi i tij që marrëdhëniet bilaterale të të dyja vendeve "të cilat shtrihen në lidhjet miqësore dhe vëllazërore, do të zhvillohen më tej edhe me këtë rast".

Avdullah Hoti u zgjodh të mërkurën më 3 qershor në Kuvendin e Kosovës me 61 vota kryeministër i ri i Kosovës, pas shkarkimit me mocion votëbesimi të ish-kryeministrit Albin Kurti.

Partia e Hotit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka bërë marrëveshje për bashkëqeverisje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe parti më të vogla të minoriteteve.

*

Qeveria e Kosovës heq reciprocitetin ndaj Serbisë 

Qeveria e Kosovës ka hequr masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, e cila u vendos nga Qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurti pas heqjes së taksës 100 për qind të importit të mallrave nga Serbia.  Me sugjerimin e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti me shumicë votash të kabinetit qeveritar u anuluan vendimet e qeverisë së mëparshme të miratuara më 20 mars dhe 30 maj për futjen graduale të reciprocitetit ndaj Serbisë, në vend të taksës 100 për qind të mallrave nga Serbia. Anëtarët e Qeverisë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt votuan kundër këtij vendimi. Pas mbledhjes, kryeministri Hoti tha se shfuqizimi i vendimit të mëparshëm për futjen e reciprocitetit heq pengesën për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Hoti tha se pret të njëjtën gjë nga Serbia. Ai theksoi se heqja e pengesave nga pala e Kosovës do të jetë e vlefshme për një kohë të caktuar, të arsyeshme, në mënyrë që të sigurojë një shans për dialog, ndërsa partnerët ndërkombëtarë pritet të bëjnë presion ndaj Serbisë. Ai shtoi se në rast se dialogu nuk jep rezultate, Qeveria e Kosovës ruan të drejtën e kthimit të masave.

*

Presidenti Thaçi përshëndet vendimin për heqjen e reciprocitetit

Presidenti Hashim Thaci ka thënë se e mirëpret vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për heqjen e të gjitha barrierave, që Serbia deri më sot i ka përdorur si pretekst për bllokimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

“Tani presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet nga Serbia me qëllim që pa humbur kohë të rifillojë dialogu, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve", ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në rrjetet sociale.

*

Deri tash 150 mijë qytetarë kërkojnë zgjedhje të reja 

Më 25 mars u shkarkuan nga Kuvendi e tash po kërkojnë zgjedhje të reja. Qeveria Kurti ra me mocionin e mosbesimit të iniciuar nga partneri i saj qeverisës, LDK, parti kjo që tash ka formuar qeverinë e re. E në Vetëvendosje kanë nisur peticionin e nënshkrimeve të qytetarëve për shkuarje në zgjedhje të reja. Në këtë parti thonë se përgjigja qytetare është e jashtëzakonshme në mbështetje të kërkesës kundër atyre që tradhtuan vullnetin e shprehur më 6 tetor. Deri të dielën më 7 qershor, janë mbledhur 150 mijë nënshkrime dhe peticioni ende po vazhdon, njofton kjo Lëvizje.

“Ditëve në vijim do të fillojmë mbledhjen e nënshkrimeve edhe në çdo fshat e lagje për të lehtësuar procesin e nënshkrimit të peticionit për të gjithë qytetarët që duan ta plotësojnë atë”, shkruan Vetëvendosje në një postim në «Facebook».

*

Ballkani barazon, Drita në krye të tabelës

«Ballkani» nuk ka arritur të rikthehet në kampionat në Superligën e Kosovës në futboll, ashtu siç e kishte parashikuar. Pauza prej gati tre muajsh duket se ka lënë gjurmë te kjo skuadër e cila lufton për titullin e kampionit. Edhe pse llogaritej favorit në duelin e së dielës si vendase kundër Drenicës, në fund është detyruar të pajtohet me një pikë. Ndërkohë, «Trepça’89» nuk u dorëzua në Gjilan, duke arkëtuar një pikë shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë në elitë. «Drita» ka mposhtur «Flamurtarin» 1:0 duke tejkaluar «Ballkanin» në klasifikim. Skuadra tjetër që lufton për titull, «Prishtina» ka realizuar fitore me rezultat bindës, 8:1 në përballje me Ferizajn. Me këtë fitore kryeqytetasit janë ngjitur në pozitën e tretë, tani me 44 pikë, dy më pak se «Drita» që kryeson renditjen dhe një më pak se «Ballkani» që gjendet në pozitën e dytë.



Lajme të ngjashme