Mali i Zi shpall fundin e epidemisë së koronavirusit

Mali i Zi ka kaluar dy periudha inkubacioni 28-ditësh pa asnjë rast të infektimit me koronavirus, që do të thotë se janë arritur kushtet për shpalljen e përfundimit të epidemisë.

1428506
Mali i Zi shpall fundin e epidemisë së koronavirusit
Karadağ_Merkez Kliniği.jpeg
Karadağ Akdenizin İncisi.jpg
Karadağ_turizm_Ulqin_Ülgün.jpg
Türk işadamından Naser Alim Karadağ tıbbı yardım.jpg

Zyrtarisht shpallet fundi i epidemisë së koronavirusit në Mal të Zi

Mali i Zi ka kaluar dy periudha inkubacioni 28-ditësh pa asnjë rast të infektimit me koronavirus, që do të thotë se janë arritur kushtet për shpalljen e përfundimit të epidemisë, ka thënë i ngarkuari i drejtorit të Institutit për Shëndet Publik Senad Begiq. Sipas tij kjo procedurë është e definuar me ligj, që thotë se epidemia mund të përfundojë atëherë kur kalon periudha e dyfishtë e inkubacionit. Kemi dy periudha inkubacioni pa raste të reja dhe në të vërtetë janë arritur kushtet që epidemia të përfundojë, ka thënë Begiq. Forma juridike, siç ka sqaruar ai, lidhur me temën nuk ndryshon shumë, sepse rreziku për infektim akoma është i pranishëm. Përfundimi i epidemisë faktikisht nuk do të thotë asgjë. Vala e parë formalisht ka përfunduar, por masat dhe urdhrat e Ministrisë dhe rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik edhe më tej janë në fuqi, ka thënë Begiq.

Mali i Zi ka hapur të gjitha vendkalimet kufitare 

Mali i Zi ka hapur të gjitha vendkalimet kufitare dhe aeroportet për qytetarët e vendeve të cilët numrin e të infektuarve me koronavirus e kanë më pak se 25 raste në 100 mijë banorë. Në mesnatën e ditës së hënë janë hapur vendkalimet kufitare me Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën dhe Kroacinë. Të gjithë qytetarët nga këto vende mund të hyjnë në Mal të Zi pa pasur nevojë të karantinimit. Qytetarët e Serbisë të cilët do të hyjnë në Mal të Zi do të duhet të karantinohen për 14 ditë. Në pikën kufitare Boozhaj-Hani i Hotit, që lidh Malin e Zi me Shqipërinë, vetëm brenda një dite kanë kaluar rreth dymijë udhëtarë. Situatë e njëjtë ka qenë edhe në pikat e tjera kufitare. Nuk ka pritje dhe çdo gjë kalon shpejtë dhe pa procedura të jashtëzakonshme. Për turistët e parë që kanë hyrë në Mal të Zi, Ministria e Turizmit ka përgatitur për ata dhurata simbolike. Qeveria e Malit të Zi shpreson se statusi korona-free, apo pa koronavirus, do t’i japë shtytje industrisë së turizmit duke u ofruar siguri turistëve të huaj se gjithçka në vend është në rregull. Ndërkaq operatorët turistikë janë ende në pritje të një sezoni të vështirë, por shpresojnë se statusi pa koronavirus do të zbusë sado pak goditjen ndaj industrisë së turizmit, e cila përbën një të pestën e bruto prodhimit të brendshëm të Malit të Zi dhe punëson rreth 19% të fuqisë punëtore. Numri i vizitorëve megjithatë pritet të shënojë rënie se 2,6 milionë sa ka qenë vitin e kaluar.

Në tubimet publike deri në 200 persona

Trupi koordinues nacional, me propozimin e Institutit për Shëndetin Publik, ka vendosur që në tubimet publike, në ambiente të hapura dhe të mbyllura, mund të marrin pjesë deri në 200 persona. Nga Qeveria e Malit të Zi kanë theksuar se është e detyrueshme respektimi i masave të distancës fizike prej së paku 2 metra. Siç kanë theksuar në garat sportive dhe në turnetë në objektet e hapura dhe të mbyllura sportive mund të marrin pjesë vetëm deri në 200 spektatorë. “Trupi koordinues nacional, me propozimin e Institutit për Shëndetin Publik ka vendosur se në të gjitha tubimet publike, në ambiente të hapura dhe të mbyllura, përfshirë këtu edhe dasmat, ahengjet dhe ceremoni mortore mund të marrin pjesë vetëm 200 persona, thuhet në kumtesën e Qeverisë së Malit të Zi. Përndryshe që nga 1 qershori lejohet puna e kopshteve për fëmijë, këndeve të lojërave për fëmijë, të kinemave, teatrove, klubeve të natës.

Biznesmeni turk Naser Alim i dhuron 30 shtretër elektrikë Qendrës Klinike Spitalore të Malit të Zi 

Pavarësisht se në Mal të Zi ka përfunduar epidemia e koronavirusit, këtu vazhdojnë të mbërrijnë donacione nga sipërmarrje dhe biznese të ndryshme. Së fundmi biznesmeni turk Naser Alim, pronar i kompanisë “Alim Sanayi Ticaret Ltd.Şti.”, i ka dhuruar Qendrës Klinike Spitalore të Malit të Zi 30 shtretër elektrikë të teknologjisë më moderne me vlerë prej 43.000 dollarë. Ky donacion është realizuar me përkrahjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Konsullatës së Malit të Zi në Stamboll. Qeveria e Malit të Zi i shprehu falënderime Turqisë për këtë donacion ndërkohë që drejtori i Qendrës Klinike Jefto Erakoviq tha se kjo ndihmë dhe ndihmat e mëparshme nga Turqia vërtetojnë miqësinë e sinqertë midis dy vendeve. Sipas tij me këtë donacion Qendra Klinike do të përmirësojë dukshëm cilësinë e mbrojtjes shëndetësore për pacientët tanë.

Përgatiti për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi, Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme