Në Shqipëri kremtohet festa e Fitër Bajramit

Në situatë pandemie mijëra besimtarë myslimanë në Shqipëri zhvilluan ritualet e Fitër Bajramit, që është një nga festat më të mëdha të fesë Islame.

1424619
Në Shqipëri kremtohet festa e Fitër Bajramit
Ramazan Bayramı_İşkodra_Arnavutluk_1.jpg
Arnavutluk_camiler yeniden açıldı2.jpg
Arnavutluk_ALSAR_iftar_2020.jpg
Arnavutluk_ALSAR_iftar_2020_b.jpg
Arnavutluk_ALSAR_iftar_2020_d.jpg
Arnavutluk_Seçim Kanunu Reformu_1.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (22/2020)

-Në Shqipëri kremtohet festa e Fitër Bajramit

Në situatë pandemie mijëra besimtarë myslimanë në Shqipëri zhvilluan ritualet e Fitër Bajramit, që është një nga festat më të mëdha të fesë Islame.

Besimtarë të shumtë u mblodhën në xhamitë e Tiranës, por edhe në qytete tjera për të falur namazin e Fitër e Bajramit.

Vitet e kaluara falja e namazit të Bajramit është realizuar edhe në sheshe, por këtë vit për shkak të masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri, besimtarët e kanë falur namazin vetëm në xhami, duke respektuar masat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë kundër COVID-19.

Pas faljes së namazit të Fitër Bajramit besimtarët vazhduan festimet në shtëpitë e tyre.

Që nga 18 maji, në Shqipëri u vendos që të rifillojnë aktivitetet fetare në xhamitë e Shqipërisë, që u pezulluan prej më shumë se dy muaj, në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit. 

Ndërkaq, kryeministri Edi Rama u ka uruar festën të gjithë besimtarëve myslimanë me anë të pamjeve nga xhamitë e Shqipërisë.

Urimi përcillet me pamje të xhamive kryesore të Shqipërisë: ajo e Namazgjasë, që po ndërtohet nga qeveria turke, e Plumbit në Shkodër, Et’hem Beut në Tiranë, Xhamia në Elbasan, në Golem e Qerret të Kavajës, e Mançurishtit në Devoll, e Maqellarës në Dibër, xhamia e Petrelës, xhamia në Sauk, ajo në Kullaj të Shkodrës, e xhamia e Delvinës.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta nga ana e tij ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë: Gëzuar Fitër Bajramin!

“Sot besimtarët myslimanë kremtojnë përkushtimin dhe sakrificën e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit, muajit të vetëpastrimit shpirtëror, të amnistisë hyjnore dhe solidaritetit njerëzor”, shprehet Meta.

Agjërimi si rit abrahamik, për besimtarët risjell çdo vit nevojën e largimit nga ligësitë, që janë pasojë e mospajtimit të arsyes me dëshirat”, citon Meta.

Fitër Bajrami përcjell mesazhin e natyrshmërisë njerëzore, të paqes me veten, me njerëzit dhe universin në tërësi, nëpërmjet vetë privimit ndaj egos dhe mposhtjes së kapriçove abuzive”, është shprehur Meta.

“Suksesi i njeriut qëndron tek forca për të kapërcyer vështirësitë, me dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, siç porosit Profeti Muhamed: “Nuk do të jeni besimtarë deri sa ta doni njëri-tjetrin”, ka cituar kreu i shtetit.

“Bashkoj lutjet e mia me ju, për jetimët, pensionistët, të sëmurët dhe të pamundurit, të cilët në këtë kohë pandemie e kanë pasur më të vështirë. Zoti ua pranoftë agjërimin gjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit! Gëzuar festën e Fitër Bajramit, me shëndet e mbarësi! Me lutjet tuaja dhe të gjithë shqiptarëve, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku ndodhen”, ka shtuar Meta.

Ndërsa, kardinali shqiptar, Ernest Troshan Simoni, uron besimtarët myslimanë shqiptarë për festën e Fitër Bajramit.

Në një video mesazh për besimtarët, kardinali Simoni thekson se Fitër Bajrami është vërtet dita e kushtrimit, dita për të treguar dashurinë për Zotin.

“Është dita për të treguar dashurinë për Zotin. Ju vëllezër myslimanë të Shqipërisë ju uroj shëndet, mirëqenie, dashuri, të jeni të bashkuar. Fitër Bajrami është dita e kushtrimit. I madhi Zot do iu japë paqe, begati e shëndet të gjithë atyre që e duan”, thekson kardinali.

Një urim i veçantë vjen edhe nga ambasada e Republikës së Turqisë në Tiranë, ku citohet " Urojmë festën e Ramazan Bajramit të gjithë shtetasve që ndodhen në Shqipëri si dhe popullit mik dhe vëlla shqiptar; urojmë që kjo festë të sjellë shëndet dhe paqe për gjithë botën islame. Urime Ramazan Bajramin!".

***

-Ambasadorja amerikane Kim: "Pa Reformën në Drejtësi dhe “Zgjedhoren”, s’mund të jeni pjesë e BE-së 

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim deklaroi para pak ditëve se duhet të përmbyllen Reforma në Drejtësi dhe Reforma Zgjedhore me të cilat s’mund të bëhet pazar.

Në një prononcim për mediat, Kim u shpreh se: “Mesazhi im është shumë i qartë: ShBA-të duan të njëjtën gjë që populli shqiptar do. Ne duam që Shqipëria të jetë një aleat i fortë dhe i aftë i SHBA. Ne duam që ju të jeni pjesë e familjes evropiane. Ju s’mund ta keni këtë pa Reformë Zgjedhore, nuk mund ta keni këtë pa Reformë në Drejtësi. Këto të dyja nuk janë për t’u bërë pazar. Janë domosdoshmëri. Ka ardhur koha të reshtet së bëri lojëra. Është koha që të realizohet Reforma në Drejtësi. Është koha që të realizohet Reforma Zgjedhore, sikurse drejtuesit i kanë premtuar popullit shqiptar dhe njësoj si SHBA dhe populli shqiptar presin...”, tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim.

Ndërsa, kryeministri Edi Rama, përshëndeti kthimin e opozitës në tryezën e reformës.

"Kthimi i opozitës jashtëparlamentare në tryezën e Reformës Zgjedhore një kthesë për t'u përshëndetur! Më mirë vonë se kurrë dhe inshallah këtë herë deri në mbylljen e këtij procesi të stërzgjatur, sepse koha nuk pret dhe me vullnet të mirë mund të arrihet shpejt në konsensus", shkruan Rama.

Në një prononcim për gazetarët kreu i opozitës, Basha u shpreh se Rama po pengon reformën zgjedhore dhe integrimin evropian të Shqipërisë.

***

-Këshilli Politik arrin konsensus për financimin e partive, kuotën gjinore e periudhën zgjedhore 

Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore në Shqipëri, Damian Gjiknuri, tha në fund të mbledhjes të zhvilluar këtë të martë se është arritur dakordësia mes palëve politike për disa çështje të rëndësishme.

Gjiknuri tha ndër të tjera tha se: “...Takimi ishte i suksesshëm, pasi ramë dakord për disa marrëveshje konsensuale për një grup çështjesh. Së pari, u pranua nga të gjitha palët që periudha zgjedhore të zvogëlohet nga 15 prill-15 maj dhe nga 15 tetori-15 nëntor. Është një periudhë shumë e mirë për të bërë zgjedhje në Shqipëri, pasi edhe klima është më e mirë. Pjesëmarrja sa më e lartë në zgjedhje do të jetë një gjë shumë e mirë...”, – theksoi ai.

Gjiknuri u shpreh se ramë dakord edhe për parimin e kuotës gjinore, që një në tre emra të jetë nga gjinia femërore, të shoqëruar dhe me sanksionet përkatëse. Nisur nga ky parim duhet të shihet si të eliminohen disa shqetësime.

“...Ramë dakord që të kemi dhe financimin miks, pra financim nga qeveria, dhe pjesa tjetër nga donacionet, por duke e ulur në një raport më të pranueshëm. Qeveria ka marrë përsipër të shtojë vlerën totale që do të jepet për fushatën e ardhshme zgjedhore. Kapitulli i financimit të fushatës ka marrë dakordësim. Vendosëm që mbledhjen e ardhshme ta kemi ditën e enjte, ku do të trajtojmë disa çështje të tjera. Këto ishin rezultatet e kësaj mbledhjeje dhe jam i kënaqur se kemi bërë disa hapa...”, nënvizoi Gjiknuri.

Në lidhje me arritjen e afateve për përmbylljen e Reformës Zgjedhore, Gjiknuri tha se: “...Nëse punohet me intensitet ne mund t’i realizojmë marrëveshjet e përgjithshme dhe mund të marrë pak ditë kohë. Më e rëndësishme sesa data është marrëveshja politike...”.

*** 

-ALSAR dhe TIKA ruajnë së bashku në çdo kohë dhe situatë traditën e iftareve

Jehona e traditës së shtrimit të iftareve edhe këtë vit ndonëse në rrethana të veçanta për shkak të pandemisë së koronaviruesit është ndjerë anë mbanë Shqipërisë, nën efektet e një atmosfere festive të muajit të bekuar të Ramazanit.

Fondacioni “ALSAR” në vijimësi të traditës së tij 14-të vjeçare të organizimit të iftareve realizoi gjatë gjithë këtij muaji përgatitjen dhe ofrimin e vakteve të ngrohta të iftarit për 3000 persona, një projekt ky i mundësuar, falë kontributit dhe mbështetjes së ofruar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim-TIKA.

Projekti startoi në Tiranë duke u shtrirë më pas në qytete të ndryshme shqiptare, me synimin për të krijuar ndjenja solidare e atmosferë festive të këtij muaji të mirësive e begative hyjnore dhe duke shpërndarë mesazhe begatie dhe vëllazërie.

***

-Ture virtuale në tri xhami, monumente të trashëgimisë kulturore shqiptare

Xhamia e "Iljaz Bej Mihrahori" në Korçë, e Plumbit në Berat si dhe xhamia e Muradies në Vlorë, janë jo vetëm objekte të rëndësishme të kultit në Shqipëri si monumente të trashëgimisë kulturore, por janë kthyer tashmë edhe në atraksione të preferuar për turistët e vizitorët.

Arkitektura e veçantë që i përshkon këto objekte, të ndërtuara në periudha kohore shumë të hershme, i bën këto xhami mistike dhe të veçanta.

Xhamia e "Iljaz bej Mihrahori", në Korçë, vlerësohet se është xhamia e parë me kube e ndërtuar në Shqipëri. Xhamia është ngritur mbi themelet e kishës së vjetër të Shënapremtes dhe dallon për sallën e lutjeve me përmasa të mëdha. Kjo xhami mori statusin “Monument Kulture” në vitin 1948.

Edhe xhamia e Plumbit (Izgurliut) në Berat që është rikonstrukturuar kohët e fundit nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim-TIKA daton e ndërtuar në vitet ’30 të shekullit XVI, koha e sundimit të sulltanit Sulejman Konunorit (1520-1566), periudhë kur qyteti i Beratit filloi të rimëkëmbet.

Elementët përbërës arkitekturorë të monumentit janë: salla e lutjeve në formë katrore me kupolë, portiku nga ana veriore dhe minarja e lartë dhe e hollë punuar në bazamentin e saj në teknikën e kluasonazhit.

Xhamia e Muradiesndodhet ne qytetin e Vlorës, në aksin rrugor Vlorë-Skelë, në një nga qendrat e qytetit, pranë Sheshit të Flamurit.

Objekti është ndërtim i shekullit të XVI, viti 1542, është vepër e arritur e arkitekturës shqiptare të këtij shekulli. Xhamia e Muradies është e ndërtuar me rreshta gurësh dhe tullash që të kujtojnë ndërtimet e kësaj kohe të arkitekt Sinanit në Stamboll. Kjo shquhet për ndërtim të mirë të mureve, për punën e rregullt të kornizave, dritareve dhe portalit të hyrjes.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti shprehet se për të zbuluar detajet e këtyre 3 monumenteve të kulturës, tashmë mund të vizitohen virtualisht në kushtet e situatës së krijuar nga pandemia.

Ministrja Margariti ka zgjedhur ofrimin e vizitave virtuale në këto tri xhami, në kohën që përkon edhe me festën e Fitër Bajramit.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

 



Lajme të ngjashme