Shqipëri – Shoqata e të Diplomuarve në Turqi (TUMED) shpërndan ndihma për qytetarët në nevojë

Me rastin e muajt të Ramazanit, Shoqata e të Diplomuarve në Turqi (TUMED) me mbështetjen e Kryesisë së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve të Afrishme (YTB) organizoi shpërndarjen e pakove ushqimore për personat në nevojë në Tiranë.

1417752
Shqipëri – Shoqata e të Diplomuarve në Turqi (TUMED) shpërndan ndihma për qytetarët në nevojë

Shoqata e të Diplomuarve në Turqi (TUMED) me mbështetjen e YTB-së organizoi të enjten shpërndarjen e pakove ushqimore për personat në nevojë në Tiranë, ndërsa ndihmat do të vazhdojnë të ndahen edhe në qytete të tjera të vendit.

Gjatë shpërndarjes së ndihmave në Tiranë ishte i pranishëm edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, i cili në një prononcim për agjencinë e lajmeve AA, tha se ndihmat nga Turqia ndaj shqiptarëve nuk kanë përfunduar, pasi edhe përmes TIKA-s janë shpërndarë 3.500 pako ushqimore për familjet në nevojë në qytete të ndryshme.

"Shoqata e të Diplomuarve në Turqi është një shoqatë e iniciuar dhe mbështetur nga YTB, që mbledh në vetvete të gjithë shqiptarët që janë diplomuar në Turqi. Kjo shoqatë nuk mjaftohet me aktivitetet e arsimit dhe kulturore, por sot po shpërndan ndihma humanitare", tha ambasadori turk.

"Gjysmë Hëna e Kuqe e Turqisë përmes një porosie të Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) i dorëzoi Kryqit të Kuq Shqiptar 1,5 ton ndihma mjekësore", u shpreh ai duke shtuar se Turqia po mundohet të shpërndajë mirësi dhe solidaritet në Shqipëri, Ballkan dhe në të gjitha vendet e botës.

"Shpresoj që ndjenja e solidaritetit dhe mirësisë të peshojë më rëndë në të gjithë botën edhe pas situatës së virusit COVID-19, dhe përpjekjet e Turqisë të denjë për çdo lëvdatë do të vlerësohet ashtu siç e meriton", shtoi ai.

Kryetari i Shoqatës së të Diplomuarve në Turqi, Egert Haxhiu për AA tha se institucionet turke iu janë gjendur pranë sa herë që kanë pasur nevojë.

"Falënderojmë qeverinë turke, presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, shtetin turk, popullin turk, YTB-në dhe të gjithë ata që kontribuojnë për të mirën e njerëzve kudo që kanë nevojë. I jemi mirënjohës të gjithë popullit mik turk, i cili gjithmonë është pranë nesh në ditë të vështira dhe në ditë të mira. Institucionet turke na janë gjendur pranë si në tërmetin e 26 nëntorit, ashtu edhe në situatën e pandemisë, dhe në situata të ndryshme, duke na sjellë edhe ndihma mjekësore të ndryshme për të cilat populli shqiptar ka pasur nevojë", u shpreh Haxhiu.

Jona Ceka, e cila ishte një nga personat që u ndihmua me kontributin e YTB-së, tha se institucionet turke u gjenden pranë tyre çdo muaj, duke shpërndarë ndihma për familjet në nevojë.

Një tjetër qytetar që u ndihmua ishte edhe Latif Rrupuli, i cili tha: "U jam shumë mirënjohës institucioneve turke që na ndihmuan. Kishim shumë nevojë. Unë jam i sëmurë me diabet të lartë dhe nuk kam gjetur mbështetje. Jam shumë falënderues për institucionet turke që na ndihmuan".

Me mbështetjen e YTB-së do të shpërndahen 350 pako me produkte ushqimore si vaj, sheqer, miell, makarona, kripë, oriz dhe produkte të tjera për familjet në nevojë në qytete të ndryshme të Shqipërisë. (Agjencia Anadolli - AA)



Lajme të ngjashme