Rritet bilanci i vdekjeve nga Covid-19 në rajonin e Ballkanit

Numri i vdekjeve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut nga epidemia e Covid-19 arriti në 110.

1405528
Rritet bilanci i vdekjeve nga Covid-19 në rajonin e Ballkanit

Deri tani në Shqipëri janë testuar gjithsej 7.279 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar 726 raste pozitive me Covid-19

Në Shqipëri rritet në 28 numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (Covid-19), me vdekjen edhe të një tjetër personi të infektuar, ndërsa numri i rasteve rritet gjithsej në 726, përfshirë edhe personat që kanë ndërruar jetë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë edhe një pacient 60-vjeçar në Tiranë, i konfirmuar me Covid-19.

Sipas Ministrisë, gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 264 persona të dyshuar me Covid-19, ku nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 14 raste pozitive.

“Gjatë 24 orëve të fundit një pacient ka ndërruar jetë. Deri në këto momente janë testuar 7.279 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me Covid-19, 726 raste. Deri sot, 28 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje”, thuhet në njoftim.

Gjatë 24 orëve të fundit, 7 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 gjithsej në 410”.

Në Shqipëri për shkak të COVID-19 është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa vazhdojnë masat e shumta si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve, pezullimi i transportit urban dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Ndërkaq në Kosovë, rritet në 21 numri i të vdekurve nga Covid-19.

Pacienti i cili ka vdekur sot në mesditë, siç njofton Klinika Infektive, është 44-vjeçar nga Komuna e Gjilanit.

Autoritetet shëndetësore të Kosovës kanë njoftuar për një vdekje të re si pasojë e koronavirusit të ri (Covid-19) duke çuar në 21 numrin e përgjithshëm të të vdekurve në nivel vendi.

Siç ka bërë të ditur Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pacienti M.I., 44-vjeçar nga Komuna e Gjilanit ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive në Prishtinë sot në mesditë.

“Pacienti është hospitalizuar në Klinikën Infektive me datën 17 prill të këtij viti, është konfirmuar me Covid-19 dhe është pranuar në gjendje shumë të rëndë. I njëjti vuante edhe nga sëmundje të tjera”, njofton kjo klinikë.

Në Kosovë deri më tani 731 persona janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, ndër të cilët 21 kanë vdekur.

Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, rritet në 61 numri i të vdekurve nga Covid-19.

Ministri Filipçe tha se me 126 pacientët e shëruar ka arritur në gjithsej 500 numri i pacientëve të shëruar nga Covid-19 në vend.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe njoftoi se nga koronavirusi i ri (COVID-19) kanë vdekur edhe dy persona duke e rritur në 61 numrin e të vdekurve.

Në spitalin "8 Shtatori" ndërruan jetë dy persona, një paciente 49-vjeçare nga Likova e Kumanovës ishte pranuar më 3 prill me frymëmarrje të rënduar dhe e njëjta menjëherë ishte vendosur në aparat për frymëmarrje artificiale. Ndërsa pacienti tjetë,r i cili vdiq sot, është një 73-vjeçar nga Shkupi që ishte pranuar më 19 prill në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ministri Filipçe tha se me 126 pacientët e shëruar ka arritur në gjithsej 500 numri i pacientëve të shëruar nga Covid-19 në vend.

Ai tha se gjatë 24 orëve të kaluara janë kryer 335 teste ndërsa janë konfirmuar 19 raste të reja me Covid-19 edhe atë në Shkup-3, Kumanovë-8, Prilep-2, Strugë-2, Veles-2, Gostivar-1 dhe Vinicë-1.

Me këtë numri i pacientëve të diagnostikuar me virus arrin në 1.386. Deri më tani janë kryer gjithsej 15.120 teste. (AA)



Lajme të ngjashme