Maqedonia e Veriut dhe Hungaria intensifikojnë bashkëpunimin kundër COVID-19

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov të hënën është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, Peter Szijjarto, i cili ndodhet për vizitë pune në Shkup.

1392325
Maqedonia e Veriut dhe Hungaria intensifikojnë bashkëpunimin kundër COVID-19

Ministri Dimitrov duke rikujtuar pandeminë globale nga koronavirusi (COVID-19) tha se takimet me homologët e tij i mban në kushte të jashtëzakonshme. Ai tha se janë të përkushtuar për solidaritet dhe bashkëpunim mes Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë.

“Koordinimi dhe bashkëpunimi i ngushtë në nivel rajonal dhe me Bashkimin Evropian do të jenë faktorë të rëndësishëm për përballjen me koronavirusin. Dua po ashtu ta falënderojë Peter për mbështetjen lidhur me aspiratat tona tredekadashe që të anëtarësohemi në NATO”, tha Dimitrov.

Ai po ashtu falënderoi Hungarinë për mbështetjen lidhur me fillimin e negociatave aderuese të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian (BE).

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, të arritura përmes e-mailit se nga cilat vende Maqedonia e Veriut ka kërkuar ndihmë lidhur me luftën kundër COVID-19, Dimitrov tha se është paralajmëruar ndihmë norvegjeze, ndihma e BE-së prej 4 milionë eurosh për nevojat e sistemit shëndetësor dhe se kanë kërkuar dhe marrë përgjigje pozitive nga Kina, megjithatë nuk ka numra konkrete për atë ndihmë.

Duke theksuar se Holanda do të ndihmojë me testet për COVID-19, Dimitrov tha se kanë kërkuar ndihmë edhe nga Turqia.

“Mbrëmë vonë morën informacione edhe nga kabineti i presidentit turk Erdoğan dhe sot kjo do të paralajmërohet, ndihma në maska, rroba mbrojtëse dhe teste”, tha Dimitrov.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Hungarisë, Peter Szijjarto në emër të popullit hungarez uroi Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO dhe fillimin e negociatave aderuese me BE-në.

“Ne shumë mirë e dimë se sa është e rëndësishme që në Ballkanin Perëndimor të sundojë paqja dhe bashkëpunimi i ndërsjellë dhe këto gjëra na afrojnë drejt kësaj”, tha Szijjarto.

Ai theksoi se sot për Maqedoninë e Veriut kanë dhuruar 100.000 maska mbrojtëse, 5.000 rroba mbrojtëse në interes që të ndihmohen shërbimet shëndetësore në luftën kundër koronavirusit.

Duke theksuar se për fat të keq koordinimi mes vendeve anëtare të BE-së në luftën kundër COVID-19 ka qenë shumë i ngadaltë, Szijjarto tha se vendet anëtare janë lënë vetëm që të luftojnë me koronavirusin. (Agjencia Anadolli - AA)



Lajme të ngjashme