Koronavirusi në Shqipëri – Shkon në 21 numri i viktimave

Në njoftimin zyrtar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale konfirmon se ka ndërruar jetë të dielën në Spitalin Infektiv në Tiranë 61-vjeçari me inicialet S.K., i prekur me COVID19.

1391788
Koronavirusi në Shqipëri – Shkon në 21 numri i viktimave

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se edhe një tjetër pacient me koronavirusin e ri (COVID-19) ka ndërruar jetë në Shqipëri, ndërsa numri i viktimave gjithsej është rritur në 21.

Në njoftimin zyrtar ministria konfirmon se ka ndërruar jetë të dielën në Spitalin Infektiv në Tiranë 61-vjeçari me inicialet S.K., me COVID19, i shtruar prej 20 ditësh në spital, në gjendje të rëndë.

“Më herët 61-vjeçari nga Tirana pësoi vdekje klinike dhe prej disa ditësh gjendja e tij ishte rënduar së tepërmi. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv në terapinë intensive, 61-vjeçari që vuante nga hipertensioni, nuk ia ka dalë të mbijetojë”, theksohet në njoftim.

Në Shqipëri numri i rasteve me koronavirusin e ri është 361, përfshirë edhe personat që kanë ndërruar jetë, ndërsa mes tyre 104 janë shëruar.

Kujtojmë se në vend është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa masat janë shtyrë pa afat. Institucionet në Shqipëri kanë marrë masa të shumta si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve. (Agjencia Anadolli - AA)



Lajme të ngjashme