Jehonë botërore dërgimi i 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë drejt Bergamos

Rreth 30 mjekë dhe infermierë shqiptarë nisën të dielën e kaluar drejt Italisë, ku do të luftojnë në vijën e zjarrit me COVID-19.

1389794
Jehonë botërore dërgimi i 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë drejt Bergamos
Arnavutluk italya-ya sağlık çalışanı gönderdi_2.jpg
Arnavutluk italya-ya sağlık çalışanı gönderdi_3.jpg
Arnavutluk italya-ya sağlık çalışanı gönderdi_8.jpg
Arnavutluk korona_Türk yardım_ALSAR_1.jpg
Arnavutluk korona_Türk yardım_ALSAR_3.jpg
Arnavutluk korona_Türk yardım_ALSAR_9.jpg
Arnavutluk korona_Türk yardım_ALSAR_13.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (14/2020)

Rreth 30 mjekë dhe infermierë shqiptarë u nisën të dielën e kaluar drejt Italisë, ku do të luftojnë në vijën e zjarrit me COVID-19.

“Italia është shtëpia jonë dhe sot jemi të gjithë italianë”, tha kryeministri Edi Rama nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit, ndërsa përcolli ekipin e bluzave të bardha drejt Italisë.

-“Së pari, ju shpreh të gjithëve mirënjohjen e thellë për gatishmërinë e menjëhershme për të bërë gjënë e duhur në këtë moment kaq të jashtëzakonshëm. E di që disave këtu në Shqipëri do t’u dukej e çuditshme që 30 mjekë dhe infermierë të armatës sonë të vogël të bluzave të bardha nisen sot për në vijën e zjarrit të Italisë”, tha Rama.

-Kryeministri u shpreh i vetëdijshëm edhe për faktin se “30 mjekë dhe infermierë nuk e  përmbysin raportin mes forcës vrastare të armikut të padukshëm dhe forcave të bluzave të bardha që po luftojnë me të në vijën e zjarrit matanë detit. Që edhe andej është shtëpia jonë tanimë që kur Italia, motrat dhe vëllezërit italianë, na shpëtuan dhe na mikpritën dhe adoptuan në shtëpinë e tyre kur Shqipëria digjej nga ato dhimbje të papërshkrueshme”.

-Po ashtu kreu i qeverisë shqiptare vuri në dukje se armiku është i përbashkët, i cili nuk njeh kufi: “Ne po luftojmë me të njëjtin armik të padukshëm dhe mjetet e njerëzit e luftës tonë nuk janë pa kufi, por sot ne nuk mund t’i mbajmë forcat në rezervë në pritje të hyjnë në luftë këtu, kur sot në Itali edhe shqiptarë të plagosur nga armiku po kurohen në spitalet e luftës dhe kanë nevojë për ndihmë”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se është e vërtetë që të gjithë janë mbyllur në kufijtë e tyre edhe vende shumë të pasura u kanë kthyer kurrizin të tjerëve, por mbase pikërisht se nuk jemi të pasur dhe nuk na ka lënë kujtesa akoma, ne nuk mund t’ia lejojmë vetes të mos i tregojmë Italisë se shqiptarët dhe Shqipëria nuk e braktisin kurrë mikun në vështirësi.

“Kjo është një luftë ku askush nuk fiton dot i vetëm dhe ju të dashur anëtarë e anëtare të këtij misioni kurajoz për jetën po niseni për një luftë që është edhe e jona. Sot ne jemi të gjithë italianë dhe Italia duhet dhe do ta fitojë luftën edhe për ne dhe gjithë Evropën dhe botën. Zoti ju bekoftë të gjithëve!” – tha Rama. 

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm Italian, Luigi Di Maio priti në aeroportin “Fiumicino” të Romës mjekët dhe infermierët shqiptarë që do të punojnë për një muaj në spitalin e Bergamos në ndihmë të stafeve italiane që po luftojnë me COVID-19.

“Kështu që faleminderit popullit shqiptar, qeverisë shqiptare për ndihmën që po na japin..! Faleminderit shumë! Një falënderim shkon edhe për ministrin e Jashtëm shqiptar, që përfaqëson politikën shqiptare dhe që shoqëroi mjekët dhe infermierët”, u shpreh Di Maio.

Kryeministri i Italisë, vendit më të prekur nga koronavirusi në botë, Guiseppe Conte, falënderoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për dërgimin e ekipit mjekësor që arritën përtej Adriatikut dhe do të shërbejnë në Breshia. Në postimin e bërë në Facebook Conte i drejtohej Ramës me 'faleminderit'.

Ndërkohë që edhe kreu i LEGA-s, ish-ministër i Brendshëm, Matteo Salvini ka telefonuar kryeministrin shqiptar duke e falënderuar. "Keni demonstruar një ndjeshmëri dhe një bujari që nuk do ta harrojmë" tha Salvini, ndër të tjera, që ka premtuar se kur të mbarojë emergjenca do të bëjë një vizitë në Shqipëri.

Të shumta kanë qenë komentet edhe të qytetarëve italianë. Disa prej tyre shkruajnë: “Do e mbajmë mend këtë gjest të madh të Shqipërisë! Faleminderit! Ashtu siç nuk do të harrojmë dredhitë e mëdha të vendeve të tjera. Faleminderit juve që u zbuluat kush ishit..."

Ndërsa, eurodeputetët italianë i kanë dërguar një letër kryeministrit Edi Rama duke i shprehur vlerësimin e tyre për dërgimin në Itali të 30 mjekëve dhe infermierëve.

Deputetët theksojnë se, solidariteti që keni demonstruar është shprehje e vlerave të rëndësishme që kanë frymëzuar lindjen e Bashkimit Evropian. Ne e mirëpritëm vendimin e Këshillit për të filluar zyrtarisht negociatat e pranimit të Shqipërisë në BE dhe shpresojmë ta shohim së shpejti Shqipërinë në Komunitetin Evropian. Ju falënderojmë për ndihmën tuaj”.

Ndërkaq, nisja drejt Italisë, një nga vendet më të prekura në botë nga pandemia e koronavirusit, e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, ka tërhequr edhe vëmendjen e medias ndërkombëtare si AFP, Reuters, New York Times, Ibtimes, Il Messaggero, Radio ”Lombardia” e shumë media të tjera.

***

-“Air Albania” në partneritet me "Turkish Airlines" nis misionin për kthimin në Shqipëri të qytetarëve shqiptarë 

Kompania “Air Albania”, ka nisur pak ditë më parë misionin për kthimin në Shqipëri të qytetarëve shqiptarë, të cilët janë të bllokuar në qytete të ndryshme evropiane, për shkak të mbylljes së kufijve si rezultat i përhapjes së virusit COVID-19.

Avioni i parë, "Lasgushi", në bordin e të cilit ndodheshin një ekip prej 30 mjekësh dhe infermierësh shqiptarë, të cilët do të japin kontributin e tyre në përballimin e situatës në Itali, udhëtoi drejt Romës për t’u kthyer prej andej me qytetarët shqiptarë, të cilët do të riatdhesohen.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, sqaroi se qytetarët, të cilët do të kthehen në Shqipëri do të jenë ata që janë përzgjedhur mbi bazën e kritereve të përcaktuara nga Ministria për Evropën dhe Politikën e jashtme.

-“Sot nisim fluturimet për misionin e shpëtimit të të gjithë shqiptarëve të cilët ndodhen në Europë dhe kanë nevojë të kthehen në shtëpitë e tyre. Duhet të kemi parasysh disa nga kriteret që ministria e Jashtme ka vendosur. Ata që mund të kthehen janë studentët, ato grupe në nevojë të cilët nuk kanë një strehë sot në qytetet evropiane ku ndodhen, ose qytetarët të cilët jetojnë në Republikën e Shqipërisë. Për të gjithë qytetarët e tjerë, nënshtetasit shqiptarë, por që jetojnë, punojnë në vendet e tjera europiane duhet të vazhdojnë të qëndrojnë atje. Ne jemi në luftë, kjo nuk është një kohë për të bërë turizëm e për t’u kthyer pranë familjarëve, padyshim kur të kemi fituar këtë luftë të gjithë do ktheheni në atdheun tuaj për të takuar familjarët”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se misionet për kthimin e shtetasve shqiptarë do të vijojë për disa ditë teksa theksoi se janë marrë të gjitha masat për sigurinë e të gjithë stafit të “Air Albania” që do të angazhohen në këtë mision.

“Djemtë dhe vajzat e “Air Albania”, të pajisur dhe të veshur ashtu siç duhet pasi do jetë një mision i rrezikshëm, do të kryejë këtë fluturim për disa ditë me radhë, në të gjitha qytetet ku janë deklaruar se kemi qytetar shqiptarë në nevojë që duhet të kthehen në familjet e tyre. Djemtë dhe vajzat e “Air Albania”, pilotët, janë të angazhuar për ta kryer këtë mision sa më shpejtë dhe sa më mirë”, deklaroi ministrja Belinda Balluku. 

***

-Shqipëria uron Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin në NATO 

Krerë të institucioneve të larta në Shqipëri kanë uruar Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin e saj në Aleancën Veri-Atlantike NATO.

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka përshëndetur anëtarësimin zyrtarisht të Maqedonisë së Veriut në NATO. 

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Cakaj shkruan se, “I gëzuar të mirëpresim në Aleancën tonë, Aleatin e 30-të.Urime për fqinjin tonë të vlerësuar, Maqedoninë e Veriut për këtë arritje historike. Së bashku jemi më të fortë dhe do të kontribuojmë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal”.

Maqedonia e Veriut është bërë anëtarja e 30-të e NATO-s pas deponimit të instrumentit të anëtarësimit në Traktatin e Atlantikut të Veriut në Departamentin e Shtetit të SHBA-së në Washington.

Ceremonia për ngritjen e flamurit të Maqedonisë së Veriut u zhvillua të hënën e kaluar në Selinë e NATO-s.

***

-"ALSAR" në partneritet me institucionet turke nis fushatën e dhurimit të ndihmave

Fondacioni “ALSAR” duke shprehur angazhimin dhe kontributin e tij, për t’ju ardhur në ndihmë shtresave sociale në nevojë, në këtë situatë të vështirë të krijuar për shkak të epidemisë COVID-19, nisi më datë 25 mars 2020 fushatën e solidaritetit dhe dhurimit të ndihmave përmes shpërndarjes së kontingjentit të I-rë të ndihmave në pako ushqimore në shenjë të solidaritetit njerëzor për t’u ardhur në ndihmë 100 familjeve të njësisë administrative Petrelë, Tiranë.

Realizimi i këtij projekti u mundësua falë marrëdhënies së suksesshme të bashkëpunimit me institucionin e Bashkisë Tiranë.

Në ditët në vijim sipas një grafiku u mundësua shpërndarja e kontingjenteve të tjera të ndihmave humanitare, duke kontribuar sadopak në plotësimin e nevojave emergjente të banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. Pikërisht me bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, shpërndarjen e kontingjentit të II-të të ndihmave humanitare në njësitë administrative 6, 8, Petrelë si dhe në qendrën sociale "Gonxhe Bojaxhi", u dhuruan 200 pako ushqimore. si dhe u bë shpërndarja e kontingjentit të III-të të ndihmave humanitare në njësitë administrative 2, 5, 7,11,13,14 dhe Kërrabë ku u dhuruan 250 pako ushqimore. 

Ndalesa e radhës së Fondacionit "ALSAR", në ditët e solidaritetit për t’ju ardhur në ndihmë shtresave sociale në nevojë, ishte në qytetin e Librazhdit, ku në bashkëpunim me institucionin e bashkisë së këtij qyteti, u realizua shpërndarja e kontingjentit të IV-të të ndihmave humanitare për 150 familje, duke lehtësuar sadopak vuajtjet dhe vështirësitë e tyre në këtë situatë të vështirë të krijuar për shkak të epidemisë COVID-19.

Fondacioni ALSAR përmes rrjeteve të saja sociale dhe radio "Zëri i Turqisë"-TRT gjenë rastin të shpreh mirënjohjen ndaj organizatës HASENE me qendër në Gjermani dhe organizatës IHH me qendër në Holandë që kontribuuan për realizimin e suksesshëm të këtyre projekteve bamirëse.

***

-Instituti turk "Yunus Emre" zhvillon kurset e gjuhës turke përmes rrjetit Online

Për shkak të pandemisë globale/Coronaviruesit dhe në kuadër te masave të ndërmarra nga qeveria shqiptare kurset e gjuhës turke të institutit "Yunus Emre" Shkodër vijojnë të zhvillohen tashmë virtualisht,

Sipas njoftimit nga ky institucion kulturor dhe arsimor "Në këto ditë ku duhet të qëndrojmë në shtëpi po  zhvillohen kurset e turqishtes virtualisht.

Teksa shprehën mallin ndaj turqishtes, studentët përcollën emocion kur mësuan për aktivitetet që do të organizohen së shpejti mbi të njëjtën platformë virtuale".

Mesazhet kuptimplotë që kishin përgatitur nxënësit e nivelit C1.2 të kurseve të turqishtes që filluan para pak ditëve ishin: "Qëndro në shtëpi"...

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme