Presidenti Thaçi nis konsultimet për qeveri të re, Kurti kërkon zgjedhje të reja

Pas mocionit të suksesshëm të shkarkimit të qeverisë së Kosovës në krye me Albin Kurtin, Presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar se të hënën nis konsultimet me partitë politike për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

1387731
Presidenti Thaçi nis konsultimet për qeveri të re, Kurti kërkon zgjedhje të reja
Hashim Thaçi_Alib Kurti_kolaj.jpg
korona_covid19 testi.jpg
Kosova Diyaneti_korona tedbirler.jpg
Kosova_uzaktan eğitim.jpg
Kosova Hükümeti_logo.jpg
Kosova Başbakanı_Albin Kurti_basın açıklaması.jpg
Kosova_Hastane_Acil Kliniği.jpg
Kosova_Albin Kurtu_Avdullah Hoti.jpg
Kosova_korona_boş yollar.jpg

Presidenti Thaçi nis konsultimet për qeveri të re, Kurti kërkon zgjedhje të reja

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin është rrëzuar nga një mocion i mosbesimit i inicuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës. Mocioni u votua me 82 vota për, 32 kundër, dhe 1 abstenim. Qeveria Kurti u rrëzua në ditën e 52-të të qëndrimit në pushtet.

Shqyrtimi i mocionit të mosbesimit ndaj ekzekutivit ishte kërkuar të shtyhet për shkak të gjendjes së krijuar nga koronavirusi, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Qeveria Kurti u miratua me 3 shkurt të këtij viti në Kuvendin e Kosovës, pas më shumë se 100 ditësh negociata LVV-LDK dhe rreth 4 muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, të cilat të parën e renditën LVV-në, e të dytën LDK-në.

*

Thaçi nis konsultimet me partitë politike për qeveri të re 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë të premten se nga e hëna do t’i thërrasë partitë politike për konsultim, lidhur me formimin e qeverisë së re.

Ai tha se fokusi i tij do të jetë në shmangien e zgjedhjeve të reja dhe mos-shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

“Qeveria në ikje, është në detyrë dhe duhet t’i kryejë punët që i takojnë me kushtetutë dhe ligje. Fokusi im është që të shkojmë drejt një qeverie të stabilitetit e të unitetit gjithë-përfshirës në mënyrë që të kemi sukses në reformat tonë të nevojshme e të domosdoshme”, ka thënë Thaçi.

*

Kryeministri në detyrë Kurti kërkon nga presidenti Thaçi zgjedhje të reja

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se presidenti Hashim Thaçi duhet të mendojë për datë të zgjedhjeve, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Vetëvendosje. Në postim, Kurti ka thënë se neni më i rëndësishëm i Kushtetutës së Republikës së Kosovës për ecjen përpara është ai 82.2 ku thuhet: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”. Këtu, folja jokalimtare ‘mund’ nuk është ajo e një mundësie subjektive të zgjedhjes, por e lejes për të proceduar nga një autoritet. Nuk është e rastësishme që në versionin në anglisht të Kushtetutës sonë, fjala ‘mund’ nuk është ‘can’ por ‘may’. Së këndejmi, neni 82.2 është dispozitë e lejimit dhe jo e përzgjedhjes, ka shkruar Kurti. Ai më tej ka theksuar se presidenti i Republikës së Kosovës, në vend se të hutohet me nenin 95 te Kapitulli VI i Kushtetutës (Qeveria e Republikës së Kosovës), duhet të fokusohet në nenin 82 te Kapitulli IV (Kuvendi i Republikës së Kosovës).

Kurti ka thënë se “Kontrata legjitimuese me popullin është ndërprerë dhe duhet të rikthehemi tek ai, porsa të mbarojë pandemia Covid-19”. Ai po ashtu ka thënë se “Kjo do të jetë hera e tretë e situatës së njëjtë në Kosovën e pavarur”, duke kujtuar mocionet e suksesshme të mosbesimit edhe në vitet 2010 e 2017, pas të cilave Presidenti shpërndante Kuvendin dhe shpalleshin zgjedhjet.

*

Qeveria ndihmon bizneset dhe punëtorët e prekur nga masat kundër koronavirusit 

Qeveria në detyrë e Kosovës do t’i ndihmojë kompanitë e ndikuara nga koronavirusi, për pagat e punëtorëve në dy muajt e ardhshëm. Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi ka propozuar një pako për emergjencë fiskale. Ndër 13 pikat e prezantuara, Bislimi ka thënë se Qeveria do t’i kompensojë kompanitë për pagat të cilat ka propozuar të jenë në masën e pagës minimale prej 170 euro. Po ashtu propozohet të bëhet subvencionimi i qirasë deri në 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për dy muajt e ardhshëm. Qeveria merr përsipër edhe mbulimin e kontributeve pensionale për dy muajt e ardhshëm. Do të ketë edhe fonde shtesë për komunat e prekura nga koronavirusi, po ashtu edhe për Ministrinë e Bujqësisë dhe atë të Kulturës. Sipas Ministrit në detyrë të Financave e gjithë kjo pako do të kushtojë 170.6 milionë euro.

*

Sindikata e Sektorit Privat kërkon përfaqësues të saj në Qeveri 

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës specifikisht të tregojë se mjetet për sektorin privat, për cilat kategori ndahen, pasi punëtorët kanë kërkuar informata gjë për të cilën ata si sindikatë janë të pa informuar. Sindikata ka mirëpritur propozimin e ministrit të Financave për ndarjen e mjeteve për sektorin privat dhe inkurajon që sa më shpejt ta bëj ndarjen e tyre, në bashkëpunim me sindikatën e punëtorëve.

*

Institucionet në Kosovë ftojnë qytetarët të qëndrojnë në shtëpi

Po vazhdon beteja e institucioneve në Kosovë por edhe e vet qytetarëve kundër pandemisë globale Covid-19. Por shqetësuese mbetet dalja e qytetarëve në rrugë dhe dyqane në kohën e lejuar të lëvizjes.

Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, ka njoftuar të dielën se nga 36 pacientët e shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK, 5 janë në gjendje më të rëndë shëndetësore. Përmes një video-konference, ministri i ka bërë sërish apel qytetarëve që të mos lëvizin e t’i ndjekin rekomandimet e nevojshme nga Instituti dhe të respektojnë vendimin e qeverisë për kufizimin e lëvizjes.

“Ju lutemi që të shmangni edhe vizitat familjare dhe format e tjera të grumbullimit brenda familjeve. Kërkojmë që koha e lejuar për qarkullim të mos kuptohet në asnjë mënyrë si një hapësirë për t’u grumbulluar”, ka thënë ai.

Ndërkaq, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka thënë se nga data 8 shkurt e deri tani janë bërë mbi 1300 testime.

“Duke pas parasysh të gjitha masat e marra unë duhet të iu them që rekomandimet duhet të vazhdoni t’i mbani si, larja e duarve, mosprekja e fytyrës, të pihet sa më shumë ujë, të mundohemi ta ruajmë distancën deri në 2 metra. Unë vetëm një gjë e kisha thënë, shikoni valën epidemike në vendet e tjera ku situata ka dalë jashtë kontrolli”, ka thënë ai. 

*

Edhe tri raste të reja me koronavirus në Kosovë 

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka konfirmuar të dielën se janë edhe tri raste të reja me koronavirus, nga 45 mostra të testuara. Kështu tani numri i të prekurve me Covid-19 ka shkuar në 94.

 Sipas njoftimit, rastet pozitive janë raste kontakti, dy prej të cilave me vendbanim në Prishtinë dhe një me vendbanim në fshatin Kijevë-Malishevë.

*

Arrijnë shtatë mijë teste të reja për Covid-19

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se në Institutin e Shëndetit Publik të vendit, të shtunën kanë ardhur 7 mijë teste të reja për detektimin e koronavirusit. Vitia ka thënë se kanë iniciuar kërkesën për furnizim edhe të 10 mijë testeve tjera. Ai ka njoftuar po ashtu se nga Organizata Botërore e Shëndetësisë mbërriti një pjesë e donacionit me material mjekësor mbrojtës kundër COVID-19.

*

Emërohet Bordi i ri i Shërbimit Spitalor Universitar

Qeveria në detyrë e Kosovës, me kërkesë të ministri në detyrë të Shëndetësisë Arben Vitia, ka shkarkuar dhe më pas emëruar Bordin e  Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës.

Vitia në një video-konferencë për media tha se secila qeveri ka një program politik që duhet ta shtyjë përpara.

“Sa i përket emërimit të një përfaqësuesi në bordin e Shërbimit Spitalor nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, them që secila qeveri ka një program politik që duhet ta shtyjë përpara dhe kjo është edhe arsyeja pse ligjet janë formuluar në mënyrë të tillë që në vende dhe institucione të tilla të rëndësishme, këto programe politike të shtyhen përpara përmes përfaqësuesve politik që vijnë nga Ministria e Shëndetësisë. Dhe konformë legjislacionit në fuqi kam marrë vendimin”, ka thënë ministri Vitia.

Kryesues i Bordit Drejtues të SHSKUK është emëruar Xhevat Jakupi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, me mandat njëvjeçar të cilin e pason me radhë në vitin e dytë përfaqësuesi i Qendrës Klinike Universitare, dhe në vitin e tretë ai i Qendrës Klinike Stomatologjike të Kosovës.

*

Kërkohet ndihma e Bashkësisë Islame në menaxhimin e situatës me Covid-19 

Ushtruesi i Detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ka pritur të dielën në takim kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava. Aty u bisedua për situatën në të cilën gjendet Kosova në kohën e pandemisë globale me Covid 19. Ministri Sveçla, njëherit Koordinator i Grupit Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve,  theksoi se tashmë është hyrë një fushatë intensive vetëdijesimi. Ai kërkoi që në kuadër të këtyre përpjekjeve të intensifikohen thirrjet edhe nga Bashkësia Islame në Kosovë.

“Për Ministrinë përfshirja e Bashkësisë Islame dhe bashkësive të tjera fetare në Kosovë në fushatë vetëdijesimi, do të ndihmonin jashtëzakonisht shumë që tu kërkojnë qytetarëve t’i reduktojnë  daljet e tyre vetëm atëherë kur vlerësohet se është e domosdoshme”, theksoi Sveçla.

Ndërsa kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, përgëzoi institucionet e Kosovës për angazhimin që janë duke bërë në menaxhimin e kësaj situate.

Ai tha se në këtë sfidë do të kenë patjetër mbështetjen e BIK-ut, në mënyrë që bashkërisht të luftohet me të gjitha forcat edhe me ndihmën e Zotit të tejkalohet kjo sfidë me përmasa globale.

*

Fillon mësimi online edhe në gjuhën turke e boshnjake

Ministria e Arsimit e Kosovës ka vazhduar me xhirimet për procesin e mësimit online, tashmë edhe për njësitë mësimore për klasat 1 deri në 9. E të hënën fillon mësimi edhe në gjuhët turke dhe boshnjake. Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, u ka bërë thirrje të gjithë fëmijëve shqiptarë kudo që gjenden që të shfrytëzojnë mësimin online të ofruar në këtë kohë. Përmes një postimi në Facebook, ministrja Bajrami ka ftuar veçanërisht shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc që t’i shfrytëzojnë materialet e Ministrisë.



Lajme të ngjashme