Kosovë – Bie qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, 82 deputetë pro mocionit të mosbesimit

Në fund të një seance maratonë të mbajtur ditën e mërkurë në Kuvendin e Kosovës pas votimit të hapur, me 82 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim, u votua për rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti.

1385301
Kosovë – Bie qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, 82 deputetë pro mocionit të mosbesimit

Të pranishëm në sallë ishin 117 deputetë. Ra në sy vota kundër mocionit e Kryeparlamentares Vjosa Osmani nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në seancën ku dhe u votua mocioni i mosbesimit për rrëzimin e qeverisë së tij.

Ai e ka nisur fjalimin e tij duke thënë se ishte krenar për kabinetin qeveritar, teksa ka përmendur edhe vendimet që kanë marrë që prej kur e kanë nisur punën.

“Jo vetëm që nuk i patëm 100 ditë për ta dëshmuar veten, sot mund të them që jam krenar me këtë kabinet dhe me të arriturat e tij, qysh në fillim i përgjysmuan pagat e kabinetit qeveritar, po jo edhe pagat e sistemit të drejtësisë, dëshiruam të tregojmë se çfarë konsiderojmë vlerë, i shkarkuam 7 koordinatorët e panevojshëm nacional, u aprovua mbështetja financiare pas stuhisë në komunën e Pejës dhe të Istogut, u shkarkua Bordi i Telekomit, u shfuqizua vendimi për pagat e ish-ministrave dhe ish-zëvendësministrave pasi përfundojnë mandatin. Ndarja e mjeteve financiare në shumë prej 200 mijë euro për dëmet nga tërmeti si shtesë për shumë ndihma, u shkarkua bordi i Infrakosit, u shfuqizua vendimi ku ju bëheshin favore këshilltarëve. Kemi ndarë një shumë prej 10 milionë eurosh për luftimin e virusit korona. Vetingu që përbëhet nga 10 profesionistë e ministrat tanë kanë bërë një punë të madhe dhe të palodhur. Shfuqizimi i vendimeve për emërimin e 14 konsujve të kotë. Aprovimi i buxhetit të Kosovës”, ka thënë Kurti, ku ka përmendur edhe masat që kanë marrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Ai ka përmendur edhe heqjen e tarifës deri më 1 prill, ndërsa ka thënë se pastaj do të vazhdohet me reciprocitet.

Seanca ka pasur një pikë të rendit të ditës, shqyrtimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga Kurti, e paraqitur nga LDK-ja partnere e koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen (VV).

Partnerët e koalicionit, por edhe deputetë të opozitës, kanë debatuar për më shumë se 10 orë duke argumentuar qëndrimet pro dhe kundër rrëzimit të qeverisë.



Lajme të ngjashme