"Human Rights Watch" akuzon Greqinë për dhunë ndaj azilkërkuesve

Organizata "Human Rights Watch" thotë se azilkërkuesit janë ndaluar, sulmuar seksualisht, plaçkitur dhe janë detyruar të kthehen në Turqi.

1380897
"Human Rights Watch" akuzon Greqinë për dhunë ndaj azilkërkuesve

Azilkërkuesit po arrestohen, sulmohen seksualisht, plaçkiten, sulmohen dhe zhvishen para se të detyrohen të kthehen në Turqi nga forcat greke të sigurisë dhe grupet e armatosura të panjohura, tha Organizata e të drejtave të njeriut "Human Rights Watch" (HRW) në një raport të martën.

Vendimi i Greqisë për të pezulluar një muaj qasjen për azilkërkuesit duhet të shfuqizohet menjëherë, thuhet në raport.

Nadia Hardman, studiuese dhe avokate e Programit për të Drejtat e Refugjatëve në HRW tha se "Bashkimi Evropian fshihet pas një mburoje të abuzimit të forcave greke të sigurisë në vend që ta ndihmojë Greqinë të mbrojë azilkërkuesit dhe t'i zhvendosë ata në mënyrë të sigurt në të gjithë BE-në".

"BE-ja duhet të mbrojë njerëzit në nevojë në vend që të mbështesë forcat që rrahin, vjedhin, zhveshin dhe i hedhin azilkërkuesit dhe migrantët përsëri përtej lumit".

Hardman tha se kërkimet e bëra nga grupi i saj detajojnë dhunën e tmerrshme, abuzimet dhe sulmet seksuale nga forcat e sigurisë greke.

Në 21 intervista – me 17 burra dhe 4 gra në Turqi - të kryera midis datave 7-9 mars nga grupi në fjalë, azilkërkuesit thanë se ata u përpoqën të hynin në Greqi përmes kufirit të saj tokësor me Turqinë me ndihmën e policisë turke që i transportonte ata në kufij dhe u tregoi se ku të kalonin.

Mijëra azilkërkues, megjithatë u detyruan të përballeshin me policinë, ushtrinë dhe forcat speciale greke, të cilët qëlluan me gaz lotsjellës dhe plumba gome këdo që i afrohej portës kufitare Pazarkule, thuhet në raport.

"Të gjithë ata që janë intervistuar thanë se brenda disa orësh pasi kaluan me anije ose përmes lumit, burra të armatosur që mbanin uniforma të ndryshme të agjencive ligjzbatuese ose me rroba civile, përfshirë të gjithë ata me maska të zeza, kishin të gjithë në grupin e tyre. Ata i kishin arrestuan në qendrat e paraburgimit zyrtar ose joformal, ose në qendra të ngritura në anë të rrugës dhe u kishin vjedhur paratë, telefonat celularë dhe çantat, para se t'i detyronin të kthehen përsëri në Turqi", thuhet në raport.

Disa madje u përpoqën të kalonin përsëri [kufirin], por çdo herë që tentonin ata ktheheshin me forcë nga forcat greke. Në disa raste, azilkërkuesit u përballën jo vetëm me abuzim fizik, por edhe psikologjik.

“Ata e kontrolluan gruan time duke i prekur edhe gjinjtë. Ata u përpoqën t’i hiqnin shaminë dhe pantallonat. Kur u përpoqa t'i ndaloj, ata më rrahën keq me grushte, shqelma dhe me shufra plastike dhe shufra metalike. Ata goditën vajzën time 2-vjeçare me një shkop të rëndë plastik në kokë, si rrjedhojë ajo vazhdon të ketë plagë", rrëfen 31-vjeçari sirian me familjen e tij për "HRW".

"Më pas ata e qëlluan gruan time me një goditje elektrike në dore dhe shpatull dhe njëri nga burrat më vendosi një armë në kokë. Ata na morën paratë, pasaportat dhe telefonat tanë", shtoi ai.

Të tjerë përshkruanin incidente ku rojet greke të kufirit i kishin zhveshur deri në të brendshme, përfshirë gratë, dhe ishin detyruar të ktheheshin përtej kufirit.

Shumë prej atyre që shpëtuan përsëri në Turqi gjetën strehim në fshatin më të afërt turk.

“Ne u ofruam atyre ushqim, ujë dhe rroba. Çfarë mund të bëjmë tjetër?”, tha një burrë banor i një fshati aty për HRW-në.

HRW u kërkon Greqisë, Bashkimit Evropian dhe Turqisë të ndërmarrin urgjentisht hapa për të trajtuar abuzimet në kufi. (Agjencia Anadolli - AA)

 


Lajme të ngjashme