Azilkërkuesit vazhdojnë të presin para kufirit grek

Azilkërkuesit që kanë ardhur në Edrene vazhdojnë të presin për 18 ditë para kufirit grek me shpresën se një ditë do të kenë mundësi të shkojnë në Evropë.

1378820
Azilkërkuesit vazhdojnë të presin para kufirit grek

Azilkërkuesit që kanë ardhur në Edrene vazhdojnë përpjekjen e tyre për të hyrë në Evropë.

Më së shumti ata përdorin lumin [Marica] për të kaluar në anën tjetër të kufirit [grek], kurse disa të tjerë vazhdojnë të presin në zonën tampon [kufiri i gjelbër] midis vendkalimeve kufitare Pazarkule-Kastanies dhe në sipërfaqen pyjore përreth me shpresën se një ditë Greqia do t’ua hapë dyert.

Më shumë se 10.000 azilkërkues e kalojnë natën në çadrat që kanë ngritur këtu dhe mundohen të mbijetojnë në kushte të vështira.

Azilkërkuesit, të cilët mendojnë ende se Greqia do t’i hapë portat, pavarësisht ndërhyrjes së pamëshirshme që ushtarët grekë bëjnë ndaj emigrantëve duke përdorur ujë me presion, bomba me gaz lotsjellës dhe plumba plastikë dhe të vërtetë, janë fokusuar tek takimi trepalësh që do të zhvillojnë nesër Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan), Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel.

Ishte planifikuar që takimin e nivelit të lartë ta mirëpriste Presidenti Erdoan në Stamboll, por më vonë u njoftua se takimi do të realizohej me telekonferencë për shkak të koronavirusit të ri.

Nga ana tjetër afër brigjeve të qytezës Didim të Ajdënit (Aydın) ekipet e Rojës Bregdetare turke kanë ndaluar një gomone me 42 [31 sirianë, 11 palestinezë, nga të cilët 19 janë fëmijë] azilkërkues që përpiqeshin të shkonin në ishujt e Greqisë.

 


Lajme të ngjashme