KFOR: Misioni ynë sot nuk ndryshon nga ai 20 viteve më parë

Lidhur me operacionet e autoriteteve të Kosovës në veri të Mitrovicës, shefi i KFOR-it thotë se policia kosovare mund të kryejë operacione atje pa u konsultuar me KFOR-in.

1377741
KFOR: Misioni ynë sot nuk ndryshon nga ai 20 viteve më parë
AA_Kosova Barış Gücü_KFOR.jpg
AA_Kosova Barış Gücü_KFOR Komutanı_Mitroviçe Köprüsü_İtalya Jandarması2.jpg
AA_Kosova Barış Gücü_KFOR Komutanı_Michele Risi.jpg
AA_Kosova Barış Gücü_KFOR_2.jpg
AA_Kosova Barış Gücü_KFOR_Agim Bahtiri.jpg
AA_Kosova Barış Gücü_KFOR Komutanı_Mitroviçe Köprüsü_İtalya Jandarması.jpg
AA_Kosova Barış Gücü_KFOR Komutanı_Mitroviçe Köprüsü3.jpg
AA_Kosova Barış Gücü_KFOR_eğitim.jpg
AA_Kosova Barış Gücü_KFOR_eğitim3.jpg
AA_Kosova Barış Gücü_KFOR Komutanı_Mitroviçe Köprüsü_Ura e Ibrit.jpg
AA_Kosova Barış Gücü_KFOR Komutanı_Mitroviçe kuzeyi.jpg

Në një prononcim për agjencinë turke të lajmeve Anadolli (AA) kreu i Forcës shumëkombëshe Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Michele Risi thotë se mjedisi i qëndrueshmërisë në këtë vend është përmirësuar, por se ende është i pranishëm "krimi i organizuar, korrupsioni, prania e terrorizmit ndërkombëtar dhe tensionet ndëretnike".

 

"Misioni sot në këtë mandat nuk është ndryshe nga ai që kishim 20 vite më parë. Misioni ynë vjen drejtpërdrejt nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244. Ne jemi një forcë ndërkombëtare që jep siguri. Ajo që dallon tani nga 20 vite më parë është se ne nuk jemi i vetmi institucion i sigurisë në Kosovë, kemi policinë e Kosovës, policinë kufitare të Kosovës dhe ne faktikisht veprojmë si përgjegjës të tretë për të ruajtur sigurinë", deklaroi Risi për AA.

Bashkëpunimin e KFOR-it me autoritetet kosovare dhe ato serbe, Risi e cilësoi si "të shkëlqyer". Ai theksoi se si komandanti i KFOR-it po ashtu ka përgjegjësi të ruajë marrëdhëniet me shefin e forcave ushtarake serbe.

"Kjo marrëdhënie është periodike, por mund të vendoset në çdo kohë kur krizat mund të shpërthejnë. Në ato raste ne kontaktojmë drejtpërdrejt, në përpjekje për të zbutur çfarëdo situate përshkallëzimi, që mund të sjellë ndonjë incident ndërkombëtar", u shpreh Risi.

Lidhur me operacionet e autoriteteve të Kosovës në veri të Mitrovicës, Risi tha se policia kosovare mund të kryejë operacione atje në mënyrë të pavarur pa u konsultuar me KFOR-in, por për ndërhyrjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në këto operacione ai tha se nevojitet autorizim nga KFOR-i.

KFOR: Misioni ynë sot nuk ndryshon nga ai që kishim 20 vite më parë

I pyetur për një marrëveshje të pretenduar në media për shkëmbimin e territoreve midis Prishtinës dhe Beogradit nëse ajo mund të ndikojë edhe në rajon, komandanti i KFOR-it tha se këto janë çështje jashtë mandatit të KFOR-it, por se kjo forcë paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë "është e gatshme të mbështesë çfarëdo marrëveshje për të cilën Kosova dhe Serbia do të pajtohen".

Risi po ashtu përshëndeti qeverinë e re të zgjedhur në Kosovë, për të cilën siç tha ai, është rezultat i "zgjedhjeve shumë të suksesshme" dhe shprehu pritjen e tij që KFOR-i të bashkëpunojë në të njëjtën mënyrë siç ka bashkëpunuar me qeveritë e kaluara.

"Në të ardhmen e afërt, nuk pritet ulje e numrit të ushtarëve të KFOR-it"

Misioni i KFOR-it në Kosovë është të kontribuojë në ruajtjen e mjedisit të sigurisë. Ardhja e KFOR-it në Kosovë erdhi pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (UNSCR) më 10 qershor të vitit 1999, pas çka më 20 qershor forcat serbe u tërhoqën nga vendi.

KFOR-i fillimisht ishte i përbërë me një personel prej rreth 50 mijë personash nga vendet anëtare të NATO-s dhe nga vendet partnere jo-nëtare të NATO-s nën një komandë dhe kontroll të unifikuar. Në fillim të vitit 2002, KFOR-i e reduktoi numrin e trupave në rreth 39 mijë, në vitin 2003 me mjedisin e përmirësuar të sigurisë numri i trupave u reduktua në 17.500, ndërsa aktualisht numri i trupave të KFOR-it është në rreth 3.500, ndër të cilët edhe 371 ushtarë nga Turqia dhe 29 nga Shqipëria.

Gjatë një turneu mediatik treditor të organizuar nga NATO, që filloi në Bruksel dhe përfundoi në Kosovë, një zyrtar i lartë i Aleancës Veri-Atlantike që foli në kushte anonimiteti konfirmoi se NATO-ja në të ardhmen e afërt nuk planifikon uljen e numrit të ushtarëve të KFOR-it.

Ndonëse disa shtete në mënyrë të njëanshme kanë vendosur të tërheqin ushtarët e tyre, zyrtari i NATO-s në bisedën e tij me gazetarët theksoi se nuk është me rëndësi nëse ushtarët janë nga Shqipëria apo nga ndonjë vend tjetër i NATO-s. Numri i përgjithshëm i ushtarëve të KFOR-it do të mbetet i njëjtë.

"Ura Austerlitz" në Mitrovicë vazhdon të mbetet e mbyllur për qarkullimin e automjeteve

Pas vizitës në Bruksel dhe takimeve me zyrtarë të lartë, turneu vazhdoi me vizitën në KFOR-in e Kosovës, aktivitetet dhe trajnimet e kësaj force paqeruajtëse në terren, si dhe u zhvilluan takime me përfaqësues të qeverisë lokale dhe me përfaqësues të organizatave joqeveritare, veçanërisht në qytetin e Mitrovicës, pjesa jugore e të cilës është e banuar me shqiptarë, ndërsa ajo veriore me serbë dhe të dyja të ndara nga një urë mbi lumin Ibër, ku lejohet vetëm kalimi për këmbësorët, por jo edhe për automjetet.

Kjo urë që ndan 71.909 banorë të pjesës jugore të qytetit me 12.326 banorët e pjesës veriore të qytetit, që nga viti 2012 patrullohet 24 orë nga njësia e xhandarmërisë italiane "Carabinieri", e cila në Kosovë vepron në kuadër të KFOR-it.

Përveç urës, e cila mbetet e mbyllur për qarkullimin e automjeteve në mënyrë simbolike që pas luftës, e njohur ndërkombëtarisht si "Ura Austerlitz", pjesa jugore dhe veriore e qytetit lidhen edhe me dy ura të tjera, ku qarkullimi funksionon në mënyrë normale, si për këmbësorët ashtu edhe për automjetet.

Gjatë takimit me gazetarët, kryetari i Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri bëri të ditur se pas luftës numri i shqiptarëve të shpërngulur nga Mitrovica e veriut është rreth 15 mijë për shkak kjo të incidenteve nga ana e serbëve, që deri në vitin 2013 arritën në rreth 9.700 raste të regjistruara.

Bahtiri theksoi se që nga ardhja e tij në krye të komunës në vitin 2013 deri më tani numri i incidenteve është reduktuar pothuajse plotësisht, me vetëm 7 incidente të regjistruara. Duke theksuar se Mitrovica vazhdon të jetë një qytet i ndarë me probleme të ndryshme, ai theksoi se autoritetet po punojnë për përmirësimin e marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve në këtë qytet.

"Presim hapjen e urës për qarkullim të automjeteve dhe mallrave, pasi mendoj se urat i lidhin qytetet dhe qytetarët e tyre. Lëvizja e lirë e qytetarëve po ndodh dhe nuk kemi asnjë problem ndërsa hapi i dytë do të jetë lëvizja e lirë edhe për automjetet dhe mallrat", tha Bahtiri.

Ekipi i gazetarëve, i cili udhëtoi në Kosovë, vizitoi edhe organizatën joqeveritare serbe "AKTIV" në veri të Mitrovicës, e cila merret me të drejtat e serbëve në Kosovë. Kreu i kësaj organizate akuzoi qeverinë kosovare për mosrespektimin e serbëve si një komunitet pakicë në vend, siç pretendoi ai, për "gabime të dokumenteve zyrtare në gjuhën serbe, vonesën apo injorimin e sigurimit të dokumenteve shtetërore për serbët", si dhe disa çështje të tjera, që sipas tij diskriminojnë komunitetin serb në vend.

Ekipi i gazetarëve vizitoi edhe Manastirin e Deçanit, për të cilin thuhet se është ndërtuar në shekullin e 14-të dhe është pjesë e listës së monumenteve të mbrojtura të UNESCO-s. Ky manastir është zonë e vetëm fetare që mbrohet nga KFOR-i, pasi pas luftës së vitit 1999 monumenti disa herë ka qenë në shënjestër të sulmeve nga banorët e rrethinës.

Kujtojmë se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 filloi me një fushatë ajrore kundër Serbisë, e cila erdhi pas një periudhe të përshkallëzimit të dhunës midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe forcave serbe. Fushata ajrore i detyroi forcat serbe të tërhiqen nga Kosova.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi këmbëngul se vendi mbetet pjesë e Serbisë. Që atëherë, tensionet kanë vazhduar midis shqiptarëve dhe pakicës serbe në veri të Kosovës.

Pavarësia e Kosovës njihet nga mbi 100 shtete, përfshirë ShBA-të, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Turqinë.

Serbia, Rusia dhe Kina janë ndër vendet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. (Agjencia Anadolli - AA)



Lajme të ngjashme