Greqia vazhdon të mbajë të bllokuar azilkërkuesit

Pesëqind (500) azilkërkues që kanë shkelur në ishullin Lesbos të Greqisë vazhdojnë të presin rreth 1 javë në portin e ishullit.

1376776
Greqia vazhdon të mbajë të bllokuar azilkërkuesit

Pesëqind (500) azilkërkues, në mesin e të cilëve edhe gra e fëmijë, që kanë mbërritur pas 1 marsit në ishullin Lesbos të Greqisë vazhdojnë të presin për rreth 1 javë në portin e ishullit.

Katërqind e pesëdhjetë (450) mbahen në anijen e transportit të flotës greke me emrin “Rodos”, e cila do t’i çojë ata në pjesën kontinentale të Greqisë, kurse 50 azilkërkues të tjerë janë të detyruar që ta kalojnë natën në autobusin e bashkisë në sheshin e portit, pasi në anije nuk ka vend të mjaftueshëm për të gjithë.

Me qëllim parandalimin e krizës së azilantëve më 2 mars qeveria greke kishte pezulluar për 1 muaj pranimin e kërkesave për azil.

Autoritetet greke nuk kanë bërë ndonjë sqarim mbi fatin që i pret azilkërkuesit që kanë mbërritur në tokën greke.

Organizata për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut (HRW) ka theksuar se qeveria greke ka shkelur legjislacionin ndërkombëtar dhe atë evropian duke mospranuar kërkesat e azilkërkuesve.

“Në rast se Greqia i deporton personat në fjalë në vendet e tyre të origjinës pa u njohur atyre të drejtën e azilit, atëherë kjo përbën shkelje të një të drejte themelore të njeriut, siç është mos-esktradimi i personave që përballen me rrezikun e torturës dhe dënimin me vdekje”,- paralajmëron organizata (HRW) në komunikatën e saj.

 


Lajme të ngjashme